Fokaçe me patate dhe rozmarinë, receta e gjysheve italiane

Fokaçja është një recetë tipike italiane, e cila është e përhapur nga jugu në veri, ku sigurisht që çdo krahinë përdor produkte specifike. Sot për ju kemi përgatitur fokaçe me patate dhe rozmarinë, një recetë e thjeshtë dhe super e shijshme.

Përbërësit për tavën e madhe të furrës:
● 450 g miell 0 farina + 50 g miell semolino ose 500 g miell 0
● 15 g maja birre e freskët (1 katror)
● 3 lugë vaj ulliri
● 1 lugë të vogël sheqer
● 1 lugë të vogël kripë
● 360 ml ujë shumë të vakët
● 3-4 patate + 1 lugë vaj ulliri
● degë rozmarinë të freskët, kripë kokërrmadhe
● 3 lugë vaj ulliri + 3 lugë ujë – për ta spërkatur

Përgatitja: Në një tas të vogël hedhim majanë të copëtuar në thërrime, sheqerin dhe pak ujë të vakët (e marrin nga sasia e mësipërme). E përziejmë dhe e lëmë të pushojë 10 minuta. Në një tas të madh hedhim miellin, kripën, ujin që na ka mbetur, vajin e ullirit dhe së fundi majanë e birrës bashkë me ujin. E përziejmë me lugë druri, e mbulojmë me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 1-1.5 orë, pasi varet dhe nga temperatura e ambientit. Pas kësaj kohe, vëmë letër furre në tavë ose e lyejmë me vaj dhe aty përmbysim brumin, e hapim me dorë, e lëmë të pushojë për 20-30 minuta dhe më pas e spërkasim me vajin e ullirit dhe ujin, të cilët i kemi përzier në një tas me pirun. Pas 30 minutash vëmë sipër patatet të qëruara, të prera në feta të holla dhe të përziera me vajin e ullirit (1 lugë). Shpërndajmë rozmarinë sipas dëshirës, me kripë kokërrmadhe dhe e vëmë të piqet në furrën e ngrohur më parë me 270°C, për afro 20 minuta ose derisa të shohim që ka marrë ngjyrë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU