FMN: Shqipëria në zonën e rrezikut, ka borxhin më të lartë në rajon!

Duke përfituar nga ambienti i ulët i interesave, forcimi i monedhave kombëtare, hyrja në ciklin rritës të ekonomisë dhe politikave shtrënguese fiskale, vendet e rajonit të Ballkanit po ulin borxhin publik. Ndërsa shtete si Kosova dhe Maqedonia që kishin nivele të ulëta të borxhit në krahasim me PBB po shfrytëzojnë momentin për të kryer investime nëpërmjet kredive të reja me interesa të ulëta.

Por pavarësisht kushteve, Shqipëria paraqitet me një nivel të rrezikshëm borxhi, më i larti rajonal me 71.3% në raport me PBB-në, teksa FMN ka ndryshuar pritshmëritë me rritje për ecurinë e këtij treguesi në raport me tetorin e vitit të kaluar, sipas statistikave zyrtare të FMN. Teksa për të gjitha vendet e rajonit, nisur nga zhvillimet aktuale FMN pret rënie të borxhit, për Shqipërinë e ka rritur pritshmëritë për borxhin me  3.3 pikë përqindje më shumë për vitin 2019. Në 2019-n, borxhi pritet të jetë 68.5% e PBB-së, nga 65.2%, që ishte parashikimi në raportin e mëparshëm të tetorit.

Revolucion në këtë drejtim ka bërë Serbia, e cila brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria.

Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi  suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar.

Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga  inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.

Pak e shumë në të njëjtat kushte ka kaluar edhe ekonomia e Shqipërisë, ku monedha kombëtare është vlerësuar së paku me 5% më 2017 kundrejt euros, ku vendi kishte rritjen më të lartë ekonomike se Serbia dhe buxheti ishte me suficit primar, mirëpo borxhi publik i vendit tonë kanë rënë me vetëm 2 pikë përqindje të PBB-së./Monitor

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU