Gjatë vitit 2016 ritmi i zhvillimit të ekonomisë shqiptare u rrit më tej (në afro 3.5 për qind), ndërkohë që treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, fiskal dhe financiar u përmirësuan. Autoritetet vijuan të ndjekin axhendën e tyre të reformave, me objektiv nxitjen e potencialit të rritjes dhe rritjen e elasticitetit të ekonomisë.
Programi i mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i porsapërfunduar, ka shërbyer si instrument në këtë drejtim. Këto janë disa nga konkluzionet e raportit, të përgatitur nga ana e Pier Carlo Padoan, ministër italian i Ekonomisë, për Fondin Monetar Ndërkombëtar, lidhur me ekonominë e Shqipërisë. Raporti përfshin analiza edhe për vende të tjera të rajonit, raporton shqiptarja.com.
Duke ndjekur investime më të mëdha private, konsumin e rritur dhe rimëkëmbjen e eksporteve, përshpejtimi i ekonomisë solli një rënie të konsiderueshme të shkallës së papunësisë (14.5 për qind në fund të vitit 2016, nga 17.7 për qind në fund të 2015-ës). Inflacioni bazik dhe ai tërësor nisën të rriten drejt kapjes së objektivit që ka përcaktuar Banka e Shqipërisë për inflacionin.
Deficiti i llogarisë korrente u zvogëlua, duke përfituar nga eksporte më të larta, ndërkohë që përshpejtimi i investimeve të huaja direkte në energjetikë dhe në industrinë nxjerrëse lehtësoi kërkesat për financim.
Treguesit kryesorë flasin për një moment të rritjes së konsoliduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2017. Konsolidimi fiskal është në rrugën e duhur. Pas më shumë se dy dekadash deficitesh primare gati të njëpasnjëshëm, që prej 2016-ës u regjistrua një suficit primar strukturor; raporti i borxhit publik me Prodhimin e Brendshëm Bruto është vënë në një trajektore të qëndrueshme rënëse.
Këto rezultate pasqyrojnë gjithashtu përpjekje në vazhdim për të përmirësuar administrimin e financave publike, si në drejtim të të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve, duke përfshirë reformat në pensionet dhe në sektorin e energjetikës. Autoritetet shqiptare e kanë institucionalizuar angazhimin e tyre ndaj politikave të rëndësishme fiskale përmes një rregulli të porsamiratuar fiskal që synon pakësimin ambicioz të borxhit publik.
Në aspektin monetar, kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në kufijtë e synuar kërkon mbajtjen e një politike monetare ekspansioniste në afat të shkurtër dhe normalizimin me kujdes të politikës monetare në afat të mesëm. Për më tepër, Banka e Shqipërisë duhet të qëndrojë e angazhuar në drejtim të avancimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar.
Sistemi bankar është i shëndetshëm, likuid, me fitim dhe i mirë-kapitalizuar. Janë iniciuar disa ndryshime ligjore dhe rregullatore si pjesë e një strategjie të efektshme për të përballuar dobësitë që vijnë si pasojë e huave të këqija.
Është miratuar një ligj i ri për falimentimin, ndërkohë që janë amenduar ligji për regjistrimin e pasurive të patundshme, ai për sigurimin e padive dhe ai për përmbarimin privat me qëllim për të mbrojtur të drejtat e huadhënësve dhe forcimin e zbatimit të kolateraleve.
Veç kësaj, po merren masa të reja për të shtuar përdorimin e rrugëve jashtë-gjyqësore për ristrukturimet e borxheve, si dhe për të zbatuar një strategji afatmesme të de-euroizimit, në mënyrë që lehtësohen rreziqet e mundshme ndaj stabilitetit financiar dhe të rritet efikasiteti i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare.
Duke ecur më tej, rritja dhe elasticiteti i ekonomisë do të mbështeten më shumë duke forcuar bazat, duke nxitur besimin dhe mjedisin e biznesit, duke lehtësuar gradualisht kushtet financiare të vendit, po ashtu si dhe nga një mjedis i përmirësuar jashtë vendit. E rëndësishme është që autoritetet mbeten krejtësisht të angazhuara ndaj axhendës së tyre të reformave drejt një rritjeje të qëndrueshme dhe procesit të përputhshmërisë me Bashkimin Evropian, përfundon Padoan.
c.a