Flet kirurgu që i vendosen tritol në makinë: Kanë ngatërruar objektiv!

Makina, që u dëmtua nga shpërthimi i një sasie tritoli mbrëmjen e së martës në Tiranë, rezulton në pronësi të një mjeku kirurg.

Mjeti tip “Mercedez Benz”, me targë AA 441 OO, u dëmtua pjesërisht kur ndodhej në hapësirën mes bllokut të pallateve, ku e kishte parkuar mjeku Dervish Hasi, i cili e ushtron profesionin e tij në një spital privat në kryeqytet.

Policia tha se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:40, në rrugën “Belul Hatibi”, që ndodhet pranë xhamisë “Xhura”, në afërsi të zonës së njohur si “Oxhaku” në Tiranë.

Të njëjtat burime thanë se nga shpërthimi, automjeti u dëmtua në pjesën e pasme, pasi një sasi e vogël tritoli ishte vendosur sipër gomës së pasme, nga krahu i shoferit. Sipas ekspertëve, që kryen verifikimet në vendin e ngjarjes, dyshohet se lënda plasëse është aktivizuar nga afër me fitil zjarrpërcjellës.

Ndërsa nisur nga fakti që ishte një sasi e vogël dhe mjeti ka qenë i parkuar në momentin e ngjarjes, sipas grupit hetimor, tregon se autorët kanë pasur si qëllim paralajmërimin e mjekut. Nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë lidhje me profesionin që ai ushtron në spitalin privat.

Megjithëse, vetë mjeku Dervish Hasi, gjatë deklarimeve që ka dhënë për oficerët e Policisë, ka mohuar të ketë probleme apo konflikte, qoftë personale apo për shkak të profesionit.

Ai ka shpjeguar se makinën e kishte blerë rreth një vit më parë dhe, sipas tij, mund të jetë edhe ndonjë ngatërresë nga ana e autorëve. Edhe pse burimet thanë se, nga verifikimet e kryera, automjeti i dëmtuar rezulton i regjistruar në emër të kirurgut Hasi. Policia nuk përjashton mundësinë që autorët mund të kenë ngatërruar objektivin.

Hasi nuk është banor i zonës, por pak metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi ndodhet një xhami, ku mjeku kishte shkuar për të kryer ritet fetare, pasi ishte besimtar dhe e frekuentonte shpesh atë zonë.

a.cupaj

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU