Fleckenstein: Nëse reforma në drejtësi dështon, harrojeni BE

Klasa politike po pret mendimin e Venecias për draftin dhe opinionet që i kanë dërguar për reformën në drejtësi, rëndësinë e së cilës e riktheksuan edhe këtë të enjte në dy intervista të dhëna për Top Story me Sokol Ballën edhe dy përfaqësuesit më të zëshëm të Parlamentit Europian sa i takon rrugës së integrimit të Shqipërisë.

Fillimisht ishte eurodeputeti Fleckenstein ai që theksoi rëndësinë e kësaj reforme, e më pas kolegu i tij, Eduard Kukan.

Intervista me Knut Fleckenstein

Sokol Balla: Zoti Fleckenstein, ju do të vizitoni Shqipërinë së shpejti dhe supozoj se kjo ka lidhje me reformën e drejtësisë?

Knuk Fleckenstein: Është e sigurtë që ka lidhje me të. Kjo është një vizitë e shkurtër. Do të vi së bashku me kolegun Eduard Kukan, për të folur me homologët tanë në Partinë Socialiste dhe atë Demokratike, sigurisht, edhe me zotin Meta, mbi reformën e drejtësisë.

Sokol Balla: A ka lidhje me shqetësimin tuaj se kjo reformë e nisur si rezultat i ekspertëve, po mbyllet si një marrëveshje e negociuar politikisht?
 
Knut Fleckenstein: Varet. Gjithmonë bëhet fjalë për një çështje politike në një reformë të tillë. Por, në fund, e rëndësishme është që të kemi terrenin për një sërë reformash të domosdoshme. Nëse doni të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, nëse doni që në vendin tuaj të ketë një klimë më të mirë për kompanitë, atëherë ju duhet të keni reformën e gjyqësorit. Kjo është pjesa më e rëndësishme dhe unë mendoj se ka një propozim mjaft të mirë. Tashmë duhet të presim për rekomandimet e Komisionit të Venecias, në përfundim të punës së tyre. Më pas, do të ecim hap pas hapi për ta zbatuar atë.  Por, së pari duhet të kalojë nga Parlamenti.

Sokol Balla: Ju thatë se kush është i interesuar për reformën në drejtësi, është i interesuar për të luftuar korrupsionin në gjithë sistemin politik. Por, shfaqen dy pozicione për momentin. Nga njëra anë qeveria, apo Partia Socialiste më mirë, që i qëndron draftit që ju e quani të mirë. Pastaj, një pjesë e koalicionit, partia e Ilir Metës mban një pozicion tjetër. A do të thotë kjo se qëndrimet e tyre janë të ndryshme dhe mbi korrupsionin?
 
Knut Fleckenstein: Unë nuk e di..  shpresoj të jetë kështu. Ajo çfarë ngrihet nga dy partitë, apo grupimet politike, është se si të arrihen rezultatet më të mira për ta luftuar këtë (korrupsionin). Ne do të shkojmë atje dhe do të dëgjojmë propozimet e të gjitha palëve. Unë shpresoj që ata të pajtohen sëbashku, brenda një periudhe kohore të arsyeshme, në mënyrë që të nis zbatimi. Unë do t’i rekomandoja Komisionit, që të hap sa më parë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, pasi të miratoheshin ndryshimet e nevojshme në ligj dhe në kushtetutë.

Sokol Balla: E di që politikanët nuk pëlqejnë pyetjet me “nëse”, por çfarë ndodh nëse kjo reformë ngec, apo dështon?

Knut Fleckenstein: Nëse dështon, harrojeni anëtarësimin për në Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme.

Sokol Balla: Vitet e ardhshme janë 5, 10. .?

Knut Fleckenstein: Unë nuk mund t’jua them. Do të duhen po aq vite, sa kohë do të marrë zbatimi i saj në vendin tuaj. Pa reformën në drejtësi, është e sigurtë që nuk bëhesh anëtar i BE-së.

Sokol Balla: Një nga pikat më të nxehta politike është përzgjedhja e anëtarëve për gjykatën e supreme dhe atë kushtetuese. Sipas formatit aktual, ne i zgjedhim ata në parlament, edhe vetëm me 36 deputetë. Drafti, që ju e vlerësoni të mirë, propozon që nga 36, të bëhet me 84. Por, zoti Meta dhe PD thotë se ne duhet ta bëjmë këtë me 93 deputetë, çfarë përbën dhe një prej sugjerimeve tê Komisionit të Venecias me rekomandimet e para. Si mund të arrihet kompromisi mbi këtë, sipas jush? Cili është versioni më i përshtatshëm?

Knut Fleckenstein: Nuk dua të jem arbitri, tani, për secilin paragraf. Është diçka mbi të cilën duhet të diskutojnë partitë politike në Shqipëri, që të gjejnë zgjidhje, sepse kjo është një çështje e shqiptarëve. Ata nuk duhet të na bëjnë neve një favor, por duhet të punojnë në Parlament për njerëzit e tyre. Unë nuk mund t’ju them tani se kush është numri më i mirë, por nuk mendoj se kjo duhet të jetë arsye për shtyrje të vazhdueshme. Duhet të ketë një zgjidhje të mundshme, së shpejti.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU