4 vite më parë, kur Berisha zotohej për amanetin e Ibrahim Kodrës

Sali Berisha ka sulmuar ashpër Ministrinë e Kulturës ditën e djeshme, pasi ajo ka vendosur që të zhvarrosë eshtrat e piktorit të famshëm Ibrahim Kodra, që nga Ishmi, do të sillen në Tiranë.

Berisha tha se ky është një akt vandal dhe i pacipë nga Rama. Lajmi sillet në vëmendje nga ‘Tema’, e cila shkruan se në fakt vetë Berisha kur ishte kryeministër premtoi se do të zhvarroste eshtrat e Kodrës dhe do t’i sillte në Tiranë.

Madje, dha edhe fjalën e burrit, siç shkruan ‘Panorama’ më 23 Prill 2012.

Berisha premton zhvarrosjen e eshtrave të Kodrës nga Ishmi

Me fjalën e burrit, ashtu siç e do zakoni, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka premtuar se do të përmbushë amanetin e fundit të Kodrës. Gjatë një vizite që Kryeministri Berisha zhvilloi dje në ekspozitën e piktorit Ibrahim Kodra, hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, në një bisedë private me drejtuesin e fondacionit “Ibrahim Kodra”, Fatos Faslliu, premtoi se do të zhvarrosë eshtrat e piktorit nga varrezat e Ishmit, ku u vendos menjëherë pas vdekjes. “Kodrës do t’i bëhet nderi deri në fund, do ta varrosim me dinjitet”, mësohet të ketë thënë Berisha, duke i shtrënguar edhe një herë dorën Faslliut e duke i thënë: “Fjalë burrash!”. Sipas njerëzve që i kanë qëndruar pranë maestros deri në momentet e fundit të jetës, dëshira e tij nuk ka qenë kurrë të varroset në Ishëm, por në Tiranë ose Durrës.

Një problem të cilin Fatos Faslliu e ka ngritur shpeshherë në media. Por duket se tani do të gjejë një zgjidhje. Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar lart ekspozitën “Shqipëria Fantastike”, nën kurimin e drejtorit të saj, Rubens Shima. Ekspozita, e hapur në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” në Milano, i cili ka ofruar një pjesë të mirë të koleksionit të mjeshtrit, por edhe me koleksionistë të tjerë privatë brenda dhe jashtë Shqipërisë, mes të cilëve dhe koleksionisti Kozma Dashi. Kryeministri Berisha e cilësoi Ibrahim Kodrën si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit në të gjitha kohërat, një krijues vigan që ekspozoi veprat e tij me piktorët më të mëdhenj të kohës. “Ai vjen sot në vendin e tij, në 100- vjetorin e Pavarësisë, më dinjitoz se kurrë, me kontributin e tij të madh në gjeninë krijuese të kombit, me këtë ekspozitë të mrekullueshme”, tha Berisha. Por sipas tij, kryevepra e të gjitha kryeveprave të Ibrahim Kodrës është “Shqipëria Fantastike”, vepër të cilën ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e propozoi të përdoret si pankartë a broshurë në aktivitete të ndryshme me rastin e 100-vjetorit. Kjo iu la si detyrë drejtorit të GKA-së, Rubens Shima, i cili duhet të mbledhë Komitetin e Festimeve dhe ta diskutojnë që të përdoret kjo vepër si alternativë e dytë, krahas asaj që është e përzgjedhur.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU