Financimi në bujqësi, më 13 prill mbyllen aplikimet

Më 13 prill mbyllet zyrtarisht afati i aplikimeve për përfituesit e subvencioneve në bujqësi. Fermerët e interesuar kanë edhe 10 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionet pranë degëve rajonale të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Sipas të dhënave paraprake, fluksi dhe interesi i fermerëve aplikues rezulton të jetë në rritje.

Përfituesit do të vlerësohen sipas një skeme pikëzimi të informatizuar, i cili u vu në zbatim për herë të parë vitin e kaluar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Përmes këtij sistemi kompjuterik synohet të rritet transparenca për vlerësimin e projekteve dhe të eleminohet korrupsioni duke rikthyer besimin se dhënia e subvencioneve jepet realisht në bazë të meritës.
Fondi do të ndahet sipas hartës së rajonizimit, duke i dhënë prioritet kulturave që rriten në një zonë të caktuar. Fondi i vënë në dispozicion për këtë vit për të gjitha skemat është rreth 12 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë më së shumti për mbështetjen dhe zhvillimin e vlerave zinxhirë në sektorin e bujqësisë ku bëjnë pjesë prodhimi, grumbullimi dhe tregtimi.
Po ashtu, mbështetja me subvencione do të synojë rritjen e sipërfaqeve me sera. Por përpos mbylljes së kësaj skeme përfitimi, fermerët do të mund të përfitojnë mbështetje përmes kredive me interesa preferenciale nga bankat tregtare.

Për këtë qëllim shërben fondi i garancisë i mundësuar përmes një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe BERZH, prej  300 milionë eurosh, nga të cilat 75 milionë do t’u vendosen në dispozicion bankave si kolateral, mekanizëm që pritet të nxisë zhvillimin e bujqësisë.  Për këtë instrument janë në pritje për financim rreth 70 projekte.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU