Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit (FSF), Jovan Shurbatoviq, ka thënë se u kanë dërguar FIFA-s një letër ku u kanë thënë se nuk do të dalin në terren kundër Zvicrës, nëse Xherdan Shaqiri nuk e ndërron këpucën me flamur të Kosovës.
Super-sulmuesi i Zvicrës, që vjen nga Zhegra e Gjilanit, në njërën këpucë ka flamurin e Zvicrës, vend të cilin e përfaqëson, ndërsa në tjetrën ka flamurin e Kosovës prej nga edhe vjen.Ky fakt kishte irrituar aq shumë FSF-në, të cilët u kanë thënë zyrtarëve të FIFA-s se nuk do të paraqiten në fushë nëse Shaqiri nuk i ndërron këpucët.
“Ajo që na irritoi neve më së shumti ishte se gjatë seancave stërvitore vumë re se një nga lojtarët e tyre, konkretisht Shaqiri, bartte flamurin e të ashtuquajturës Kosovë.
Kemi reaguar, madje edhe kërcënuar, kemi thënë se nuk do të dalim në fushe e të luajmë ndeshjen nëse ai nuk i ndërron këpucët”, ka thënë Shurbatoviq për B92, transmeton Koha.net.
Megjithatë, zyrtarët e FIFA-s nuk patën mirëkuptim për kërkesën serbe.
“Nuk pati reagim, ndërsa ne insistuam sërish, shkruam disa emaila, patëm kontakt direkt me njerëz nga zyra e FIFA-s, dhe në fund, para nisjes së ndeshjes, pranuam njoftimin se kjo lejohet sipas rregulloreve të FIFA-s sepse ai shtet, Kosova, është anëtar me të drejta të plota i tyre dhe se futbollistët mund t’i shprehin ndjenjat e tyre kombëtare”, theksoi Shurbatoviq.
Kësisoj, siç shkruan B92, lojtarëve serbë nuk u mbeti gjë tjetër pos të paraqiten në terren, ndërsa vazhdojnë të kritikojnë gjykimet e gjyqtarit gjerman, Felix Brych. (b.an)