Feja në shkollë, Fuga: Budallallëk pedagogjik, kultura fetare dhe feja, janë e njëjta gjë

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar idenë e futjes së mësimit të fesë nëpër shkolla si një budallallëk pedagogjik, në një intervistë të dhënë për Neës 24 në emisionin “Në tempull”. Sipas tij, kultura fetare dhe feja janë e njëjta gjë.

“Mund të krijohen konflikte mes prindërve dhe mësuesve, shkollës. Prindërit mund të thonë përse na ndërhyni në edukimin e fëmijës, kur me Kushtetutë thuhet se nuk është e detyruar. Detyron fëmijët të besojnë interpretimin e shtetit mbi fenë. Duhet shumë kujdes”- tha Fuga.

Sipas akademikut Fuga, referimi tek ekspertët e huaj për këtë çështje, bëhet për të shmangur hapësirën e diskutimit me aktorët lokale.

“Në momentin që paguhet nga qeveria, eksperti i huaj nuk mund të jetë arbitër në konfliktin që ka shoqëria me qeverinë”- u shpreh Fuga.

“Në shoqëri nuk mund të bësh eksperimente. Njerëzit nuk janë vetura që frenojnë dhe unë bëj kontrollin teknik të tyre. Në momentin që thua do zgjidhen 5 shkolla, ti e ke kufizuar problemin. Kur ti e zbaton krijon një realitet të ri që s’ka të bëjë me ato shkolla. Kujdes me këtë idenë pilot. Kujdes me përjashtimin e aktorëve shqiptarë, që njohin mentalitetin shqiptar. Ku e di eksperti në Gjermani apo në Paris, se cili është mentaliteti shqiptar. Unë e kuptoj që ka një hezitim përsa i përket emrit të lëndës dhe unë dua të them që ky hezitim nuk vjen si rezultat i një dyshimi momental, por sepse ashtu siç është menduar nuk ka zgjidhje. Eshtë për të ardhur keq.”- shprehet ai.

“Unë kam pyetur gjithmonë a ka klerikë ky vend. Me gjithë respektin e madh që kam për klerikët që njohin një të kaluar të vështirë. Problemi është që klerikët në pamjen time kanë pozicione shumë të mbyllura brenda komuniteteve të tyre për probleme sociale shpirtërore të Shqipërisë. Prononcohen shumë pak. E kanë shumë të kufizuar daljen e tyre në hapësira publike. Nuk i dëgjojmë. Mua më vjen keq për këtë. Ata bëjnë punën e tyre në komunitete, në familje, por unë do doja një artikulim më të gjallë. Ata duhet patjetër të reagojnë”-deklaroi Fuga.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU