Fatos Klosi: Askush nuk e ndjen veten të sigurt nga Reforma

Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi paralajmëron se askush nuk do t’i shpëtojë hetimit në kuadër të reformës në drejtësi. Sipas tij në një intervistë për Sot, kjo ka qenë edhe arsyeja se përse forcat politike e zvarritën me dy vjet miratimin e draftit kushtetues. “Përderisa e zvarritën dy vjet, kjo tregon se politika i trembet, në të kundërt, kjo reformë do ishte votuar akoma më herët. Në Shqipëri, çdo gjë shfrytëzohet në luftën politike, dhe kjo është një nga arsyet. Kanë ndodhur shumë ngjarje si Rruga e Kombit, ngjarja në bulevard dhe askush s’ka marrë përgjegjësinë që i takon. Fakte ka plotë që tregojnë se politikanët duhet të tremben”, tha Klosi.
Fatos Klosi deklaron se politikanët tashmë nuk e ndjejnë veten të sigurt pas miratimit të reformës në drejtësi, ndërsa ligjet që do të shoqërojnë draftin e ndryshimeve kushtetuese do të prodhojnë një konflikt të ri politik.“Partia Demokratike nuk e do reformën në drejtësi, nuk është dakord që reforma të zbatohet. PD-në, praktikisht e detyruan për të bërë edhe ndryshimet kushtetuese dhe besoj se do të marrë “hak” me ligjet që duhet të shoqërojnë këto ndryshime kushtetuese. Unë mendoj se PD do të prodhojë sërish konflikt të ri politik, pasi ashtu siç nuk e dha që në fillimin konsensusin për ndryshimet kushtetuese, të njëjtën gjë do të bëjë edhe me ligjet që shoqërojnë reformën”, shprehet Klosi.Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Sot”, komenton situatën politike pas miratimit të draftit të ndryshimeve kushtetuese, që do të shoqërohen me ligjet e paketës për reformën në drejtësi.Klosi tha se kjo reformë do të jetë tepër e thellë pasi Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë nën ‘lupën’ e hetimit dhe të afërmit e zyrtarëve të lartë të korruptuar; ata do të japin shpjegime të hollësishme për burimin e pasurisë. Sa i takon përgjimit të gjyqtarëve, Klosi tha se regjistrimi është i lehtë, por zbardhja kërkon personel. Ai vuri në pikëpyetje rolin e institucioneve ndërkombëtare që do të asistojnë në luftën kundër korrupsionit, duke sjellë si shembull rastin e policit rrugor të dalë në pension të ardhur si ekspert i FBI për çështjen “Trebicka”. Ai theksoi se institucionet ndërkombëtare duhet të tregohen më të përgjegjshme nëse duan të na ndihmojnë të luftojmë korrupsionin.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU