Fatmir Sejdiu: Për ditëlindjen e Rugovës, ai, engjëll mbrojtës i Kosovës

Sot është ditëlindja e 72-të e Presidentit Ibrahim Rugova, i cili vdiq më 2006 pas një beteje me kancerin. Në këtë përvjetor të lindjes, Rugovën e ka kujtuar edhe njeriu që e pasoi në postin e presidentit pas vdekjes, Fatmir Sejdiu.

Ai e ka lartësuar veprën e Rugovës duke e quajtur “Engjëll Mbrojtës i Kosovës”. Sejdiu kishte marrë drejtimin e LDK-së pas vdekjes së Rugovës ndërkohë që ambicie për të udhëhequr me këtë subjekt, ka edhe tani.

Ja çfarë shkruan ai:

 Lindi 72 vjet më parë, për të qenë sot e përjetësisht Engjëlli Mbrojtës i Kosovës

I tillë u bë me punë, dije, përkushtim, vizion dhe dashuri ndaj vendit. E donte lirinë, e donte Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.

Për një Kosovë të tillë punoi përjetësisht e pafundësisht.

Kujtojmë fillin e tij politik, mbi filozofinë e Durimit dhe atë Refuzimit, mbi të gjitha mbi atë Kuptimit dhe të Interpretimit më të mirë të mundshëm, të kërkesave të një populli i cili donte lirinë dhe vetëm lirinë.

Rugova në politikë erdhi nga domosdoshmëria për një prijëtar të ditur dhe të guximshëm, për një lider me vizion, i cili mbi individualen ndërton të përgjithshmen, mbi robërinë ndërton lirinë.

Nuk erdhi nga nevoja për realizim të interesave personale a grupore, por për interesin e përgjithshëm te vendit, për liri dhe pavarësi, të cilën po e gëzojmë dhe jetojmë sot.

I tillë erdhi, i tillë mbeti.

 Përjetësisht, Engjëll Mbrojtës i Kosovës!

Fjalë të ndjera për presidentin që ishte njeriu që bëri aq shumë për Kosovën. (B.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU