Falsifikoi firmën e Tahirit për vilën e Enverit e mashtroi dhjetëra biznesmenë, 4 vite burg ish-banorit të BB

Prezantimi i gënjeshtërt te persona të ndryshëm si punonjës i Bashkisë së Tiranës, apo i Ministrisë së Brendshme, i ka kushtuar një dënim me 4 vjet burg Elton Tozajt, ish­-banorit të “Big Brother”.

Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë masë dënimi ndaj Tozajt, duke i vlerësuar si të provuara akuzat e ngritura ndaj tij për “mashtrim”, më shumë se një herë në dëm të disa personave dhe “falsifikim të dokumenteve”. Sipas Prokurorisë, Tozaj ka përfituar shuma të konsiderueshme nga persona të ndryshëm, duke iu premtuar kredi të buta për blerje banese. Në një tjetër rast, përmes falsifikimit të firmës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i pandehuri Tozaj akuzohet se ka mashtruar një biznesmen, të cilit i premtoi dhënien me qira të një lokali në zonën e ish-­Bllokut.

I pandehuri u dënua me 6 vjet heqje lirie, por ai përfitoi ulje për shkak se gjyqi ndaj tij u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar raporton panorama. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet heqje lirie. Ndërsa i pandehuri, përmes avokatit kërkoi të deklarohej i fajshëm dhe të dënohej me kohën e paraburgimit, ose të pezullohej ekzekutimi i dënimit të tij me burg, duke u lënë në Shërbim Prove.

Në dispozitivin e vendimit, gjykata urdhëron asgjësimin e provave materiale, mes të cilave katër dokumente “miratim dhënie banese me kredi të butë”, me stemë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nënshkruar nga ministri Saimir Tahiri.

AKUZA
Prokuroria e Tiranës pretendon se personazhi i njohur për pjesëmarrjen e tij në një programet e “Big Brother Albania”, duke u prezantuar si punonjës i Bashkisë, ka arritur të zhvatë shuma parash nga qytetarë të ndryshëm. Organi i Akuzës pretendon se ka dyshime të bazuara në prova se në të paktën tri raste, Toza u ka marrë personave të tretë shuma nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë, duke u premtuar se do t’i përfshinte në listën e përfituesve të kredive të buta nga Bashkia. Po sipas Prokurorisë, për të krijuar besueshmëri për premtimin e tij, ai u ka dhënë disa formularë për të plotësuar të dëmtuarve me firma të zyrtarëve të lartë, përfshi edhe atë të ministrit Saimir Tahiri.

Pre i veprimeve të Tozajt, sipas Prokurorisë, ka qenë edhe një biznesmen, të cilit i ka marrë para, duke i premtuar ndërmjetësim për marrjen me qira nga ana e tij të “Vila 31”, në zonën e ish­ Bllokut. Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri ka marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh dhe një shumë prej 5 mijë eurosh, duke pretenduar që çmimi i qirasë do të ishte 3 dollarë/ m2. Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur më 1 nëntor në Gjykatën e Tiranës dhe zgjati gjashtë seanca gjyqësore.

Elton Tozaj ka pasur probleme me drejtësinë për çështjen e mashtrimeve edhe më herët. Ai ishte arrestuar në Tiranë disa vite më parë pas denoncimit nga të paktën tre taksistë, të cilëve u kishte premtuar licencë për ushtrim aktiviteti me pretendimin se ishte zyrtar i Bashkisë së Tiranës. Taksistët kishin paguar nga 30 deri në 60 mijë lekë të rinj për marrjen e licencave të premtuara, mirëpo kur dokumentet nuk u bënë dhe Elton Tozaj filloi të mos u përgjigjej në telefon, atëherë taksistët bënë padi në Policinë e Shtetit, duke akuzuar të riun për mashtrim./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU