FAKSIMILE/ “Rruga e Arbrit” jo më vetëm premtim, çelet tenderi për zbatimin e projektit

Ka qenë një prej premtimeve më të mëdha në thuajse të gjitha fushatat që janë zhvilluar pas rënies së komunizmit, por për arsye të ndryshme, ka mbetur një projekt në sirtar. Bëhet fjalë për “Rrugën e Arbrit”, e cila ka qenë një prej kërkesave kryesore të komunitetit dibran.

Edhe në fushatën e fundit ajo zuri vendin kryesor në premtimet e të dy palëve. Tentativa për finalizimin e projektit ambicioz thuajse 27-vjeçar pati edhe në mandatin e shkuar të qeverisë “Rama 1”, por për arsye të ndryshme nuk u arrit të finalizohej. Një kompani kineze ishte e interesuar, por oferta e saj ishte tepër e ‘kripur’ për financat shqiptare shkruan JavaNews.

Tashmë, ashtu siç ishte premtuar, kanë nisur procedurat për finalizimin e projektit. Ministria e Transporteve ka çelur tenderin për kompanitë e interesuara për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit”. Tenderi çelet sot në datën 10 Gusht në ora 08:00 dhe ofertat priten deri në datën 2 Tetor 2017.

Fondi limit i përcaktuar nga ministria është 280,442,957,00 lekë. Më poshtë faksimile e çeljes së procedurës së prokurimit./JavaNews/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU