Facebook dhe Twitter po dëshmojnë në Kongres për ndërhyrjet

Drejtuesit kryesore të Facebook-ut dhe Twitter-it po këmbëngulin në dy seanca dëgjimore të Kongresit që po mbahen të mërkurën, se po përpiqen fort të identifikojnë aktorët e huaj që duan të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara, përpara zgjedhjeve të muajit nëntor.

Një nga drejtueset e larta të Facebook-ut Sheryl Sandberg i tha komisionit të Zbulimit të Senatit se kompania “po bllokon çdo ditë miliona përpjekje për të regjistruar llogari të false” dhe po “bën përparim në raport me lajmet e rreme”. Ajo tha se përpjekjet e fundit të kompanisë “po japin rezultate të sukseshme”, por shtoi se “ne nuk mund ta ndalojmë ndërhyrjen nga vetëvetja”.

Zonja Sandberg tha se Facebook-u po punon me ekspertë të huaj, partnerë të industrisë dhe qeverive, përfshirë institucione të zbatimit të ligjit, për të shkëmbyer informacion rreth kërcënimeve dhe për të parandaluar abuzimeve “për të shmangur ndërhyrjen e mëtejshme në zgjedhjet amerikane”.

Kompanitë e mediave sociale ndodhen nën presion lidhur me ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet amerikane për përhapjen e informacioneve të rreme, çështje që lidhen me privatësinë dhe censurën. Kongresi i ka kritikuar kompanitë e mediave sociale gjatë vitit të kaluar lidhur me përgjegjësinë e tyre gjatë ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe më gjerë.

Më parë këtë vit Prokurori i Posaçëm Robert Mueller paditi dymbëdhjetë rusë me akuza që buronin nga planet për të prishur zgjedhjet e vitit 2016 duke krijuar llogari të rreme që publikonin në mediat sociale lajme përçarëse. Shtetasit rusë të paditur janë anëtarë të Agjencisë së Zbulimit të Federatës Ruse (GRU).

Shefi ekzekutiv i Twitterit Jack Dorsey tha se kompania e tij ishte “e papërgatitur dhe e pajisur keq” për fushatat e ndikimi të huaj, por tha se ka i ka shtuar përpjekjet e saj për të eleminuar llogaritë e rreme me qëllimin për të parandaluar “ndikimin e huaj armiqësor”.

 

“Ne po identifikojmë dhe po sfidojmë nga tetë në 10 milionë llogari të dyshimta çdo javë dhe po pengojmë çdo ditë më shumë se gjysëm milioni llogari të futen në Twitter”.

Zoti Dorsey tha gjithashtu se Twitter-i vazhdon të gjejë llogari që mund të kenë lidhje me rusët, duke vënë në dukje se 3,843 prej tyre janë pezulluar.

Zoti Dorsey, i cili gjithashtu do të paraqitet më vonë përpara komisionit të Energjisë dhe Tregtisë së Dhomës së Përfaqësuesve, iu përgjigj pyetje të republikanëve të irrituar që pretendonin se kompanitë e mediave sociale kanë qenë të njëanshëm ndaj konservatorëve. Ai tha se Twitter kur merr vendime bazuar tek ideologjitë politike.

“Twitter nuk bazohet tek idetë politike për të marrë ndonjë vendim, qoftë lidhur me vendin që duhet të kenë në faqe postimet, qoftë se si i zbatojmë rregullat tona”, tha ai. Zoti Dorsey tha se Twitteri përdor ato që quhen “sinjale të sjelljes”, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e mesazheve të parëndësishme apo abuzive.

Zëvendëskryetari i komisionit të Senatit për Zbulimin Mark Warner tha në seancë se gjigandët e medias sociale “u kapën në papërgatitur nga sulmet e ashpra ndaj zgjedhjeve amerikane” dhe shprehu dyshime rreth mënyrës se si kompanitë po përballen me problemin.

“Jam skeptik nëse do të jeni në gjendje t’i jepni zgjidhje kësaj çështjeje, vetëm” tha Warner. “Kongresit i duhet të marrë masa në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar Kongresi i detyroi kompanitë e mediave sociale të përqëndrohen më shumë në çështjen e ndërhyrjes ruse, Facebook-ut dhe Twitter-it iu deshën disa muaj që të pranonin se ishin manipuluar.

Shumë kompani të mediave sociale kanë bërë ndryshime në politika që kanë mundësuar gjatë vitit të kaluar kapjen dhe bllokimin e llogarive të shumta me qëllime të këqija. Por shërbimet falas që gjejnë po aq përdorues, mbeten të pandryshuara, duke bërë që kritikët të thonë se kompanitë e mediave sociale do të vazhdojnë të përballen me aktorët e këqij, duke manipuluar sistemet e tyre nëse nuk ndryshojnë.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg pranoi në një shkrim të publikuar nga të martën nga gazeta Uashington Post, se kompania e tij e zbuloi shumë vonë në 2016-n se kishte “aktorë të huaj që drejtonin fushatat e koordinuara për të ndërhyrë në procesin demokratik të Amerikës”. Ai tha se prej atij momenti kompania ka bërë përmirësime të tilla siç ishte “gjetja dhe heqja e llogarive të rreme” dhe keqinformimi.

Por zoti Zuckerberg paralajmëroi se Facebook-u dhe kompanitë e tjera të mediave sociale përballen me “kundërshtarë të sofistikuar dhe të financuar mirë, të cilët po bëhen më të mençur me kalimin e kohës. Është një garë armatimi dhe do të duhet një kombinim forcash mes sektorit privat dhe publik amerikan për të mbrojtur demokracinë në vend nga ndërhyrjet e jashtme”.

Gjatë 12 muajve të fundit, tre të katërtat e të gjithë përdoruesve të Facebook-ut ose i kanë rregulluar të dhënat e tyre lidhur me privatësinë, ose kanë fshirë aplikacionine tyre të Facebook-ut nga telefonat celularë, sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew.

Anketimi u zhvillua nga 19 maji deri më 11 qershor, pas gjetjeve se ish-firma këshillimore “Cambridge Analytica” kishte mbledhur të dhëna për dhjetëra miliona përdorues të Facebook-ut, pa dijeninë e tyre.(VOA)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU