Europa e Bashkuar kundër çadrës, tre shuplaka në një ditë

Nga Ardit Rada

Fakti që Shqipërinë nuk e bënë kurrë si Europa nuk lidhet vetëm pse iniciatorët e ardhur nga diktatura s’e kishin parë Europën as në televizor. Siç duket kanë menduar ndryshe dhe nuk i janë bindur qysh në fillim, herë për të ruajtur karrigen dhe herë për sedër burri.

Partia Demokratike ka marrë sot tre “shuplaka” të rrufeshme nga Bashkimi Europian për çadrën e ngritur në Tiranë, për deklaratat e papërgjegjshme ndaj ambasadorëve më të lartë në vend dhe mbi të gjitha për bojkotin e Kuvendit në përgjithësi dhe të reformës së Drejtësisë në veçanti.

Eurodeputeti Knut Fleckenstein guxoi për herë të parë që t’i drejtohet PD-së me “Ti” duke iu adresuar specifikisht Sali Berishës si njeriu më me peshë të opozitës dhe duke e cilësuar si rrëfyes të përrallave në skenën politike.

Tiranës me tendën e cirkut në bulevardin kryesor duket se do t’ia prishë qetësinë edhe Shefja e Diplomacisë në BE, Federica Mogherini. Gjatë turit ballkanik të saj në datat e para të marsit, Mogherini nuk mund ta anashkalonte Shqipërinë e papjekur politikisht. Sikurse Fleckenstein, edhe përfaqësuesja e BE pritet të japë mesazhet e saj për rëndësinë e Reformës në Drejtësi dhe nevojën e zhvendosjes së politikës nga çadra, brenda sallës së Parlamentit. Sesa e ashpër do të jetë retorika e italianes, kjo merret me mend për aq kohë sa PD nuk lëviz nga istikami ku hyri një ditë të vrenjtur dhe me shi.

Dy lajmeve të mësipërme, që vijnë nga zyrtarë europianë me rëndësi për ne, iu bashkua edhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Austriaku kristian-demokrat kërkoi fundin e bojkotit duke shfaqur keqardhje për vendimin e PD, vendim ky që kërcënon integrimin e Shqipërisë më shumë se çdo papërgjegjshmëri tjetër. Dhe e gjitha kjo, sepse investimet e amerikanëve dhe Europës për reformën në Drejtësi po përqeshen dita-ditës.

Partia Demokratike, që udhëheq të ashtuquajturën opozitë të përbërë nga ajo vetë dhe 3 parti me nga një deputet të sajuar, ka në dorë tashmë jo veç fatin e reformës, por edhe të sajin. Tashmë që e gjithë kupola e BE ka folur qartë, kamerdaret e Joseph Daul dhe Doris Pack nuk e mbajnë dot më mbi ujë partinë që e donte vendin si gjithë Europa… /JAVANEWS

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU