Tregjet e kapitaleve e kanë pritur pozitivisht daljen ditën e sotme të Eurobondit shqiptar. Ky transaksion përfaqëson herën e tretë që shteti ynë del në bursat e letrave me vlerë. Hera e parë ka qenë në vitin 2010 dhe e dyta më 2015-ën. Në dallim nga herët e para, Shqipëria u paraqit sot me kërkesën zyrtare për një Eurobond me afat maturimi 7-vjeçar, ndërkohë që deri tani dy Eurobondet kanë qenë me afat 5-vjeçar.
Data e maturimit të këtij Eurobondi do të jetë kështu viti 2025.Agjencitë e brokerimeve të pajtuara nga qeveria shqiptare për të kryer transaksionin venë në dukje se interesi me të cilin po shiten bondet e para është 3.6 – 3.7 për qind, mjaft më i ulët nga herët e tjera, kur shteti është detyruar të paguajë një interes prej 5.75 përqindësh.
Gjithsesi, brokerat vene në dukje se një Eurobond i ngjashëm i Maqedonisë është pranuar nga tregjet me interes 2.75%, pra një pikë më poshtë se ai shqiptar. Kjo është hera e parë që Shqipëria hyn në treg pa pritur që të maturohej Eurobondi prej 450 milionë eurosh, i marrë në vitin 2015. Kështu, 200 milionë euro të tij do të blihen sërish nga shteti shqiptar, ndërkohë që 500 milionë të tjera do të jetë vlera e Eurobondit të ri 7-vjeçar.
Ulja e kostos së këtij borxhi do të ndikojë pozitivisht në bilancin e pagesave të jashtme të vendit. Ndërkohë, Financat kanë deklaruar se gjatë vitit të ardhshëm do të ndodhen përballë kërkesave në rritje për shpenzime buxhetore, që llogariten afro 700 milionë euro.
ma.me