“Është koha të mos na ngatërrojnë ‘hijet’ antiamerikane…”

Nga Arjan Starova

Duke e ndjekur debatin mbi Reformën në Drejtësi si të gjithë shqiptarët e tjerë, por ndoshta pak më me interes për shkak të përvojës sime të gjatë në politikë, mendova të shkruaj përsëri.

Këtë radhë për të thënë diçka thelbësore për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Nuk e kam menduar kurrë që debati mbi Reformën në Drejtësi të mund të arrinte në një pikë të tillë të nxehtë sa ta çonte Partinë Demokratike deri te “përplasjet” me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Pas deklarimit publik të Ambasadës së SHBA-ve mbi qëndrimin jobashkëpunues të Partisë Demokratike, menjëherë të shkon ndërmend se paska “diçka” që kjo e fundit e kuptoka “më mirë” sesa amerikanët, të cilët pa dashje po “mbështetkan” “kapjen” politike të Drejtësisë shqiptare. Natyrisht, gjithkush mund të gabojë, shtete dhe njerëz, por në rastin tonë është duke gabuar rëndë Partia Demokratike.

Kësaj as nuk duhet t’i shkojë kurrë ndërmend se SHBA, që po përpiqet kaq shumë për Reformën e Drejtësisë shqiptare dhe jo vetëm, me përpjekjet e ambasadorit Donald Lu, por edhe me institucionet e saj përkatëse, po kërkon të dëmtojë Shqipërinë, sepse në fund të fundit, janë të gjithë shqiptarët që mendojnë njëlloj si Amerika: se sistemi ynë i Drejtësisë ka probleme serioze dhe se, para së gjithave madje, është vetë politika ajo që po e pengon reformimin e tij. Arsyet për të provuar se çfarë rëndësie ka ai shtet i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund t’i përmbajë e gjithë hapësira e këtij shkrimi modest, por unë e them me bindje të thellë se ata kanë qenë përherë mbështetje e demokracisë së brishtë shqiptare edhe atëherë kur shumë shqiptarë nuk e kanë ditur, nuk e kanë kuptuar, ose e kanë keqkuptuar këtë.

Prandaj, do të doja t’u them miqësisht disa njerëzve, edhe disa miqve të mi ndër ta, që të mundohen ta ndryshojnë zakonin e vjetër shqiptar që e sheh përherë gabimin te të tjerët (duke nënkuptuar se vetë është i pagabueshëm), duke e lënë mënjanë “jehonën” me argumente popullore kafeje që po i bëjnë qëndrimit të gabuar të Partisë Demokratike në lidhje me Reformën në Drejtësi, duke ushqyer pa dashje edhe një thashethemnajë antiamerikane mosmirënjohëse.

Natyrisht, nuk jam nga ata njerëz që më pëlqen të përdor argumente të cilat, sipas ligjeve të shkencës së Logjikës, quhen “argumente për shkak të autoritetit” të dikujt. Ata që më njohin nga afër e dinë mirë këtë. Në çdo diskutim, udhëhiqem nga ajo që besoj fort se është e vërtetë dhe nga ideja se e vërteta është gjithnjë e krahasueshme dhe askush nuk mund të ngulmojë për të qenë zotëruesi i një të vërtete të vetme. Tani po vazhdoj më tej. Nëse dikush do të përpiqej ta kuptonte fare thjesht debatin e tejnxehtë mbi Reformën në Drejtësi në Shqipëri, ai do të duhej të shtronte pyetjet: Përse politika shqiptare e ka kaq “merak” Reformën në Drejtësi kur mbështetës politikë dhe me ekspertizë për të kanë dalë SHBA-të dhe BE-ja?

Çfarë i shqetëson ca politikanë shqiptarë që kanë frikë nga një Drejtësi që do të reformohet me një mbështetje kaq të rëndësishme? Sa e vërtetë është e ashtuquajtura mundësi për “kapje” politike të Drejtësisë shqiptare? A nuk ka qenë “e kapur”, apo më mirë “e penguar” dhe “e përdorur” nga politika Drejtësia shqiptare deri tani dhe të gjithë ne kemi qenë të paaftë ose mosdashës për ndonjë reformë të saj?

A mund të themi, pra, është politika shqiptare ajo që kërkon një reformë të vërtetë, sepse është pikërisht korrupsioni i saj ai që e ka penguar dhe e pengon Reformën në Drejtësi? Të gjitha këto pyetje (megjithëse ka edhe dhe shumë të tjera) do të mjaftonin për të ardhur te “rrethi vicioz” i përpjekjeve për Reformë të Drejtësisë shqiptare. Reforma në Drejtësi kërkon reformë në politikë, kurse reforma në politikë kërkon reformë në drejtësi.

E megjithatë, ekziston një rrugëdalje prej këtij rrethi vicioz, sepse as e gjithë politika nuk është e korruptuar, as e gjithë drejtësia nuk është e tillë. Madje, janë të paktë dhe të lehtënumërueshëm ata që janë të korruptuar në politikë dhe në drejtësi. Prandaj Reforma në Drejtësi mund të vështrohet si e ardhur në një pikë të tillë kur shumica e politikës dhe e drejtësisë, që e do dhe e mbështet atë, duhet të veprojë në emër të interesave madhore të Shqipërisë, që po mbështeten fort nga SHBA-të dhe BE-ja. Kjo shumicë, e pavështruar si e djathtë apo e majtë, duhet të mos mbetet më peng e një pakice që duket dhe ndihet se është e korruptuar.

Dhe, së pari duhet të mos ndihet peng në politikë. Ecuria e procesit të Reformës në Drejtësi sa më shumë po i afrohet përfundimit, aq më keqas po ngërthehet me interesat politike dhe, do të vijë çasti kur pyetja do të jetë fare e thjeshtë: ose Reformë në Drejtësi në mbështetje të interesave madhore të demokracisë shqiptare të mbështetur nga aleatë strategjikë të Shqipërisë, ose besnikëri e paarsyeshme ndaj pakicës së një grupimi politik, në këtë rast ndaj një pakice të Partisë Demokratike. Dhëntë Zoti, mos ardhtë puna deri këtu, sepse rrjedhojat për të djathtën do të ishin të paparashikueshme./Panorama/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU