Ekzekutoi Naim Zyberin në spital, rrëfehet nga burgu autori

Arben Grori, 46–vjeçar, emër i njohur për drejtësinë vuan dënimin për dy vepra penale.

Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane për vrasjen e Naim Zyberit në 6 gusht 1997 në spitalin San Paolo, Milano, vrasësit të vëllait të tij, Artur Grori.

Ndërkohë është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg në Shqipëri për trafik droge.

Në një intervistë për ‘Shekulli’, ai rrëfehet pas më shumë se 17 vite nga arrestimi.

Arben emri yt është shumë i njohur për opinionin publik. Prej sa vitesh ndodhesh në këtë qeli?

 Këtu ndodhem prej rreth 11 vitesh. Ndërsa prapa hekurave kam 17 vjet.

Kush është dita juaj?

Rutina e përditshme, ashtu sikundër je në shtëpi. Në mëngjes do dalësh, do lahesh, pi një kafe shkon në palestër, vjen në dhomë. Kemi mundësi të shkojmë edhe tek ndonjë shokë i sektorit. Dalim në ajrosje. Pjesën më të madhe të ditës e kalojmë duke parë televizor. Këtu lëvizjet janë të kufizuara, s’ka shumë mundësi për tu argëtuar.

Për çfarë mendon më shumë?

Për familjen. Ajo është kryesorja dhe na mban gjallë që ne vazhdojmë të shpresojmë. Bëjnë burg si ne, ashtu edhe ata që janë jashtë, pasi mendojnë se çfarë do i sjellin djalit, një javë para se të vijnë. Këtu në burg nuk të ofrohet asgjë. Gjithçka e bënë familja. Kam dy djem një 18 vjeç dhe tjetri 17.

A të vijnë shpesh në takim e çfarë i thonë babait?

Posi jo. Një herë në javë, ose një herë në dy javë. Tani që kanë shkollën pak më rrallë. Sipas mundësive. Ata nuk mund të rrinë këtu gjatë gjithë kohës. Tashmë janë lidhur me burgun. Nuk u bënë përshtypje jeta në burg, ose qenia ime këtu. Ata duket sikur janë rritur në burg. Ose nuk e shprehin.

Mendon se një ditë do e lësh këtë vend?

Atë nuk e dimë ne, e dinë gjykata, qeveria, institucionet. Ne po e vuajmë dënimin. Po e bëjmë burgun të gjithë. Do s’do, me dashje pa dashje, po e vuajmë. Kanë kaluar shumë vite. Të bëjnë një ligj si gjithë Europa. Nuk na kanë dhënë asnjë risi. Nuk kemi asnjë të drejtë të dalim prej këtu. Pasi të kesh bërë 15 ose 20 vite burg të shkosh pranë familjes, ose të shkosh të punosh e të kthehesh. Po bëre kaq vite burg ç’farë të ngelet më. Kaq është jeta. Ne mundësitë për punë i kemi, jem i akoma të rinj. I drejtohem ministrit të drejtësisë dhe që është njeri që i kupton ligjet. Të bëjë një ligj për ne të dënuarit e përjetshëm. Të kemi mundësinë të bëjmë diçka. Kam bërë 17 vite burg. Pse të mos shkojmë tani pranë familjes. Ose të gjejmë një punë jashtë. Pse duhet të vdesim në burg. Ndoshta jo si në Greqi e Itali, por si në Gjermani e Francë. Të integrohemi edhe ne, kemi ngel shumë prapa. Ashtu si bënë edhe reformën në drejtësi që e bënë për vete.

Pse mendon kështu?

Atë reformë e bëjnë vetëm për vete. Ndërrojnë vetëm emrat. Kjo reformë ndryshon sistemin e gjykatës prokurorisë, këshillit të lartë të drejtësisë gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, vetëm kaq. Pra do hiqen ca njerëz dhe do vihen ca të tjerë. Janë të njëjtat gjëra.

E ndjek politikën..si e sheh?

Si kjo që është tani nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Në ç’kuptim?

Pozitive apo negative nuk e di por, është shumë e koklavitur. Nuk mund të thuhet siç ishte para katër ose tetë vitesh që kuptohej. Sidomos kur ishte Fatosi ( e ka fjalën për ish kryeministrin Nano). Tani është shumë e ngatërruar . Pra, është shumë interesante. Korrupsion ka jashtë mase. Me sa shohim ne në televizor. Duket se ka edhe pak drejtësi, por prapëseprapë. Këtu zoti janë njerëzit, gjyqtarët , prokurorët, drejtorët, ministrat. Këta janë ata që duhet të vënë dorën mbi ne, dhe që duhet të bëjnë diçka.

Nëse do ktheheshim pas në kohë ç’farë do i thoshe Arben Grorit 20 -vjeçar?

Ç’farë do i thosha. Tani, Arben Grori është 46-vjeçar. Janë ca gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me 20- vjeçarin. Janë punët e lidhura me shtetin. Në Shqipëri atëherë nuk ka pasur shtet. Nëse do ishte ndryshe, unë nuk do ndodhesha këtu. Në atë kohë punoja gjithë ditën dhe nuk i bija në qafë askujt. Por ç’farë të thuash kur atij 20-vjeçarit i binin në qafë, si individi ashtu dhe qeveria. Unë në atë moshë kam qenë në Gjermani po ç’e do, erdha këtu, pasi jam shqiptar. Kjo është e keqja ime.

Kujt ia vë gishtin dhe thua, ky më solli këtu ku jam? 

Ia vë vetes sime. Fajin e kam vetë që erdha këtu. Pse erdha. Unë i kisha mundësitë të jetoja kudo, pasi kisha nënshtetësinë gjermane. Erdha për të jetuar pranë familjes. Pavarësisht se edhe të tjerët mund të kenë faj, kryesori bie mbi mua.

Ke kërkuar nga drejtësia që çështja jote të rigjykohet?

Unë kam kaq vite. Çdo njeri që është i dënuar kërkon të bëhet diçka për veten. Kam lëvizur të gjithë gurët. Kam shkuar edhe në Strasburg. Kam fituar çështjen. Por këtu jemi në Shqipëri, dhe kjo gjë nuk mund të diskutohet. Këtu është e keqja se, në ligj ka Maliq. Nuk është se vendos vetëm ligji apo gjykatësi.

Ju vuani nga në sëmundje. Prej sa kohësh jeni diagnostikuar dhe kush e mundëson mjekimin?

Që nga 2003-2004 vuaj nga dëmtimi i nervave, quhet sklerozë. Sëmundja më erdhi nga stresi i burgut. Vazhdojë të kurohem, pak vetë, e pak shteti. Pas dhjetë vitesh, shteti u kujtua të bënte diçka, vetëm pasi e detyruan të huajt pasi këtu s’ka asgjë. Ata kanë harxhuar 200 milion lekë që të më mbajnë në burg në vend që të më nxjerrin jashtë për tu shëruar. Para shtatë vjetësh gjykata europiane u shpreh me vendim që unë të shkoja në një spital civil. Por shteti nuk donte. Me dhunë shkova. Më çuan me 500 forca policie. Kishin frikë nga unë dhe më nxorën.

A është Ben Grori i rrezikshëm?

Atë e dinë njerëzit. Ti si mendon? Ke 15 vjet që shkruan për mua. A e kanë njohur njerëzit se kush është Arben Grori, a e din ata nga erdhi ky njeri ky kriminel, apo engjëll? Gjithmonë kam dashur ta di këtë. Se sa mirë keni shkruar për mua. Unë kam qenë një djalë i ri punëtor dhe tashmë përfundova këtu. Kam pasur lokale, hotele.

Çfarë të shtyu ty, të ndryshoje kursin dhe me kë i ke pasur kontradiktat më të mëdha?

Kështu ishte 1997. Çfarë të them më, a ka pas shtet atëherë? Ato janë bëmat, që ne vuajmë burgun tani. Kjo më shtyu mua të vija në Shqipëri për të punuar, nga mëngjesi deri në darkë. Nuk kam qenë tip problematik me njerëzit. Kam shkuar mirë me të gjithë. Këtu dalin shumë gjëra që tashmë nuk mund ta kthesh kohën mbrapsht. Sot, kushedi se ku do isha po të kisha qëndruar në Gjermani.

Si janë marrëdhëniet me institucionin, a ndodh që të kërkoni ndihmën e oficerëve?

Patjetër. Me ta i ndajmë të gjitha. Kërkojmë ndere, për takime shtesë, për të dalë diku, për ndonjë vizitë te mjeku, apo për të shkuar edhe në shtëpi. Para ca kohësh më dhanë mundësinë për dy orë të vizitoja prindërit, kisha mamanë sëmurë. Ajo është rropatur për mua nëpër burgje.

Atë vrasje në Itali nuk e kam kuptuar?  

Si ta kuptosh. Ç’lidhje ka Arben Grori nga Italia këtu. Por ky ishte shteti . Arben Grori duhej dënuar patjetër. Unë mora pafajësi një herë për atë.

Po ç’ndodhi?

Por, shkon Kryeministri dhe rreh kryetarin e gjykatës…dhe ja ku jam këtu.

Për kë e ke fjalën?  

Kryeministri i asaj kohe (viti 2002), shkon e i bën presion kryetarit të Gjykatës së Lartë të po asaj kohe (thotë emrin duke tundur kokën).

Sa shpenzon gjatë muajit dhe kush ti mundëson të ardhurat?

Familja, motrat që kam jashtë. Më japin 500 mijë lekë të vjetra në muaj. Varet se çfarë konsumon.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU