Ekstradimi i Ballistit, serbët me sytë nga ministri kroat

Ekstradimi i Ballist Morinës ka shkaktuar shumë zhurmë në Serbi, Kroaci dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Mediat serbe shkruajnë se ai i cili ka në dorë fatin e Morinës është ministri kroat i drejtësisë Drago Boshnjak.

Në një intervistë për gazetën “Vecernje Novosti”, gjykatësi që mori vendimin në dëm të tifozit shqiptar, Pero Miloglav lë të kuptohet se ky vendim ka shumë mundësi të hidhet poshtë në instancat e tjera më të larta.

Ai fillimisht thekson se mori vendimin në bazë të dokumentave që kishte në tryezën e tij, por shton se tashmë çështja kalon në Gjykatën e Lartë të Zagrebit që do të japë edhe vendimin përfundimtar.

Ai shton se mundësitë që Gjykata e Lartë ta zhvlerësojë ekstradimin janë të mëdha.

Urdhërin e transferimit të Morinës në Beograd e ka kërkuar Ministria Serbe e Drejtësisë menjëherë pasi ai u ndalua nga autoritetet kroate.

Aktualisht, Gjykata e Lartë Serbe ka nisur një proces ndaj tij për çështjen e ngritjes së dronit në ndeshjen eliminatore Serbi-Shqipëri të tre viteve më parë dhe sipas mediave, ai rrezikon deri në tre vjet heqje lirie.

Media serbe po ashtu shkruajnë se Shqipëria ka ndërmarrë hapa diplomatikë që të mos lejojë ekstradimin e Morinës në Serbi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU