EKSKLUZIVE/ Qeveria “Rama 2”, si do ndryshojë ndarja e ministrive

Nga Armando Meta/

Kryeministri Edi Rama prej disa javësh ka shapllur si ob jektiv të punës së tij, jo vetëm reformën administrative, por edhe një reformë tërësore sa i përket numrit të portofoleve në qeveri. Ndonëse nuk është përcaktuar përfundimisht sesa ministri do të jenë gjatë mandatit tjetër 4 vjeçarë, objektivi është që nga 19 ministri që ka aktualisht qeveria ‘Rama 1’, në shtator ‘Rama 2’ të luhatet mes 10 ose 12 ministrive. Pra të reduktohet me 9 ose me 7 numri i ministrive që janë aktualisht.

Problematika

Ekspertët që merren me reformat administrative dhe strukturore shprehen për javanews se numri prej 19 ministrish që janë aktualisht, është shumë i lartë po të kihet parasysh numëri i popullsisë. Sipas tyre, në strukturimin e kabineteve ministrore ka 2 elementë: i pari që ka të bëjë me anën politike të shpërndarjes së portofoleve dhe i dyti nevojat që ka vendi për një administratë operative, me sa më pak burokraci dhe që të jetë efikase. Në këndvështrimin e ekspertëve deri më tani ka dominuar nevoja për të pasur sa më shumë portofole ministrore, duke pasur parasysh se për afro 2 dekada qeveritë kanë mbijetuar falë koalcioneve. Pra rreth nevojës për të pasur numra në Kuvend. Përpjekjet për të kënaqur aleatët kanë çuar në krijimin e një sërë ministrish deri dhe të panevojshme, të cilat jo vetëm kanë krijuar një administratë të fryrë, por nga ana tjetër kanë krijuar edhe një ‘mish- mash’ kompetencash, ku faji mbetej gjithnjë jetim, pasi në shumë raste ministritë akuzonin njëra tjetrën si fajtore deri dhe për problematika më të thjeshta. Në këto rrethana vendimarrja mbetej në mes të rrugës, problemet nuk zgjidheshin ndërsa lëmshi ligjor i kompetencave sa vinte dhe bëhej më i koklavitur, shkruan javanews.

Projekti ristrukturor

Por cilat janë ministritë që rrezikojnë të shkrihen ose t’u bashkangjiten ministrive të tjera që do të mund t’i mbjetojnë ristrukturimit? Ekspertë të reformave strukturore shprehen se janë disa ministri që janë më të ekspozuara nga ky ristrukturim si: Ministria e Mjedisit, e Kulturës, e Zhvillimit Urban, e Ekonomisë, e Inovacionit dhe Administratën Publike, ministrat e  Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe për Çështjet Vendore. Sipas tyre, projekti që po sendërtohet për ristrukturimin e qeverisë duket se është që Ministria e Kulturës t’i bashkangjitet asaj të Arsimit, Ministria e Mjedisit t’i bashkangjitet Ministrisë së Bujqësisë, Ministria e Zhvillimit Urban t’i bashkangjitet Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministria e Ekonomisë të bëhet pjesë përbërëse e Ministrisë së Financave, Ministria e Inovacionit t’i bashkangjitet Ministrisë së Brendëshme. Dy portofolet e tjera të ministrave të shtetit nuk do të jenë më, shkruan javanews.

Debat ka hapur nëse dhe Ministria e Integrimit do të duhet t’i bashkangjitet Ministrisë së Jashtme. Për momentin nuk ka një përcaktim përfundimtar, por gjasat janë që këto dy ministri të vijojnë të jenë të ndara për vetë natyrën specifike që ka problematika e integrimit, sidomos sa i përket kuadrit ligjor për përputhjen e legjislacionit shqiptarë me atë të BE-së. Reduktimi i portofoleve ministrore, aq më shumë në kushtet ku disa ministri thuajse trajtojnë të njëjtat problematika ndonëse kanë emërtesa të ndryshme, shihet si një alternativë për një qeveri më efikase, me përgjegjësi më të drejtpërdrejta dhe një zvogëlim të ndjeshëm të hallkave burokratike. Gjithësesi do jetë fundgushti periudha në të cilën do të paraqitet dhe projekti i ristrukturimit të qeverisë “Rama 2”, ku do të dalin në pah se cilat do të jenë superministritë që do të krijohen dhe cilat do të jenë ato që nuk do të jenë më, shkruan javanews.

Struktura aktuale e ministrive

  1. Ministria e Mbrojtjes
  2. Ministria e Punëve të Brendshme
  3. Ministria e Punëve të Jashtme
  4. Ministria e Integrimit Evropian
  5. Ministria e Ekonomisë
  6. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
  7. Ministria e Zhvillimit Urban
  8. Ministria e Financave
  9. Ministria e Arsimit dhe Sportit
  10. Ministria e Drejtësisë
  11. Ministria e Kulturës
  12. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
  13. Ministria e Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
  14. Ministria e Shëndetësisë
  15. Ministria e Energjisë dhe Industrisë
  16. Ministria e Mjedisit
  17. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
  18. Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin
  19. Ministër Shteti për Çështjet Vendore

Në pikëpyetje

  1. Ministria e Ekonomisë
  2. Ministria e Zhvillimit Urban
  3. Ministria e Kulturës
  4. Ministria e Mjedisit
  5. Ministria e Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
  6. Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin
  7. Ministër Shteti për Çështjet Vendore

 

 

1 koment

PËRGJIGJU