Pas Ferdinand Elezit edhe një kandidaturë tjetër duket se ka aplikuar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ajo është një femër dhe quhet Arta Marku. Pas përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tashmë duket se procesi ka hyrë në dinamikën e vet për pasuesin e tij. Kjo duket edhe nga kandidaturat që kanë filluar të depozitojnë aplikimet e tyre pranë Kryesisë së Kuvendit për postin e Kryeprokurorit të Përkohshëm, në bazë të formularit të përcaktuar nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Së fundmi një nga emrat e përfolur si kandidate për këtë detyrë, është edhe Arta Marku, prokurore në rrethin e Shkodrës. Ajo është me moshë 41-vjeçe dhe është nga Puka. Marku ka përfunduar në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001. Ajo ka një eksperiencë prej 15 vitesh si zëvendësprokurore e këtij rrethi. Gjithashtu, Marku garon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mësohet se bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë, Shkodër dhe Kukës.
Në media u përfol se 41-vjeçarja Arta Marku vjen si propozim i kreut të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja. Por kreu i Komsionit të Ligjeve Manja, në një prononcim ekskluziv për javaneës.al u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me lajmin e publikuar se Arta Marku vjen si propozim i tij. “Unë nuk merrem me emra. E vetmja gjë që do të bëj si kryetar komisioni është që nesër në orën 18.00 sapo të mbyllet afati i dorëzimit të aplikimeve do të bëj publike listën sipas vendimit të Kuvendit”, deklaroi Manja për javaneës.al. Shumica parlamentare nëpërmjet kryeministrit i është drejtuar për konsensus kreut të PD Basha në lidhje me kryeprokurorin e përkohshëm, konsensus i cili është refuzuar nga PD, e cila pretendon se kryeprokurori duhet të zgjidhet me 3/5 e Kuvendit dhe nuk ka prokuror të përkohshëm.
Armando Meta