Efekti elektoral i Astirit

Nga Eduard Zaloshnja

Pothuaj çdo muaj, zhvilloj nga një sondazh kombëtar politik, për një firmë që u ofron konsulencë bizneseve të huaja në Tiranë. Të mësuar me praktikën perëndimore të sondazheve të shpeshta periodike në vendet e tyre të origjinës, biznesmenët e huaj duan të dinë se si luhaten kuotat e partive kryesore në opinionin publik. Kjo gjë më jep mundësinë që të mas pulsin e elektoratit shqiptar pas ngjarjeve të rëndësishme, të cilat ndodhin pothuaj periodikisht në këtë vendin tonë.

Nuk kam zhvilluar ende ndonjë sondazh pas protestave të Astirit, por ecuria e sondazheve të mëparshme, më jep mundësinë të bëj një hamendje të mirinformuar rreth efektit elektoral të saj.

Qysh nga koha kur prokuroria kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit (vjet në tetor), e deri më sot, numri i banorëve në moshë për votim që janë të gatshëm të votojnë për PS-në, është luhatur në kuotat 700-730 mijë (në zgjedhjet e vjetshme, PS-ja mori 765 mijë vota). Nga ana tjetër, numri i banorëve në moshë për votim që janë të gatshëm të votojnë për dy partitë kryesore të opozitës (PD e LSI), është luhatur në kuotat 650-700 mijë (në zgjedhjet e vjetshme, PD-ja mori 455 mijë vota dhe LSI-ja 225 mijë vota).

Me pak fjalë, edhe pas tronditjeve “Tahiri”, “Babale”, “Protesta e Kalimashit” etj., dy partitë opozitare, së bashku nuk kanë arritur të kenë ndaj PS-së epërsi statistikore në kuotat elektorale. Të mos flasim pastaj për deputetët e veçantë të PDIU-së pranë PS-së, të cilët mund të kenë influenca personale lokale, që nuk maten dot nga një sondazh kombëtar…

Këto rezultate të së shkuarës së afërt, më bëjnë të mendoj se edhe ngjarjet e Astirit nuk do të jenë në gjendje t’i japin opozitës një injeksion të fortë në kuotat elektorale. Ndërkohë, strategjia e opozitës duket se mbështetet pikërisht te këto lloj injeksionesh, të cilat kanë vetëm efekt të përkohshëm dhe jo domethënës, nga pikëpamja statistikore.

Duke vazhduar me këtë metaforë mjekësore, opozita – në vend të injeksioneve – ka nevojë për një operacion të thellë. PD-ja si partia kryesore e opozitës, duhet ta operojë vetveten për t’u ngjitur sipër kuotës së 455 mijë votave, ku e zhyti vjet Lulzim Basha (të mos harrojmë se PD-ja mori plot 600 mijë vota më 1997-ën, kur nuk bënte dot fushatë poshtë Shkumbinit…). Dhe kuptohet, që operacioni duhet të fillojë nga koka.

Në vend që të mbetet në shpresën e protestave lokale si ajo e Kalimashit dhe Astirit, ose të skandaleve të tipit Habilaj ose Babale, PD-ja duhet t’i bëjë një transplant tërësor udhëheqjes së saj, me synimin që votuesit e djathtë të kenë përsëri besim tek ajo. Në kushtet kur në horizont nuk duket ndonjë parti e re opozitare, një udhëheqje e rinovuar e PD-së, mbetet e vetmja shpresë për t’iu kundërvënë pushtetit arrogant të Edi Ramës.

Një udhëheqje e re e PD-së, duhet të zgjedhë kursin e ri strategjik të saj, duke iu përgjigjur një pyetjeje kyçe elektorale. Gjegjësisht, nëse shpresa e PD-së për t’u kthyer në pushtet do të mbështet në protestat/skandalet e lokalizuara dhe LSI-në, ose në rikthimin në kutitë e votimit të votuesve të të gjitha partive të djathta, të cilat morën së bashku 740 mijë vota më 2009-ën.

Të dyja strategjitë kanë rreziqet dhe pasiguritë e veta, por një gjë është pothuaj e sigurt: Me udhëheqjen aktuale, rikthimi i PD-së në pushtet do të varet më shumë nga vetë Edi Rama, se sa nga protestat dhe zhurmat e improvizuara nga PD-ja e Bashës…

/AFP.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU