A do e ndryshojë dot era Trump, Shqipërinë?!

Nga Ben Andoni

Ka pak të  ngjarë që ndryshimet e mundshme të përbotshme që priten të pasojnë ardhjen e presidentit të ri amerikan Donald Trump të reflektohen në Shqipëri. Duke qenë një vend i vogël  me një ekonomi aspak konkurruese, aspirant i vonuar në BE dhe politikisht i ngërthyer në ngatërresa mesveti, jehonat e ndryshimeve zakonisht i vinë të vonuara dhe më shpesh të shpërfytyruara. Kurse elitat tona politike me nivelin e tyre dhe pragmatizmin e paskrupullt për të fituar gjithçka, çdo erë ndryshimi e kanë kanalizuar në interes të qëndrimit dhe në përpjekje për të marrë ekonomikisht, çfarëdo që mund të merret. Kjo i bën të përfolura gjithnjë privatizimet strategjike dhe ca më shumë dhënien e koncesioneve.

Ndërkohë që jo-elitat janë tejet larg pushtetit dhe mënyra për të provuar përmirësimin për to është gati utopike, nëse nuk futen dot në sistemin e vlerave, që reflektojnë dy krahët e politikës së sotme. Nga jo-elitat kapërcimi te elitat është i menjëhershëm vetëm nëse individët e tyre pranojnë të përmbushin kushtet e partive politike. Nga ky moment kalimi  në kahun e elitave politike ndikon për gjithçka. Elitat politike janë kthyer si vrima të zeza që thithin gjithçka.

Sa për elitat e fushave të tjera, ato janë inekzistente dhe ndjejnë fuqinë vetëm kur bashkëpunojnë me politikën. Elita ekonomike, më e fuqishmja nëse do kishte shtet funksional dhe që mund të shërbente si promotorë e sistemit, në shumë momente ka treguar se është thjesht zgjatim i kësaj politike, që e drejton Shqipërinë. Jo më kot, kronika e jetës shqiptare është e mbushur me raste ku njerëzit e elitës ekonomike janë pjesë të asaj politike.

Teorikisht partitë politike duhet të mbajnë rol të rëndësishëm në ndërveprimin midis elitave dhe jo-elitave. Ekuilibrat e elitave ndikojnë në strategjitë e zhvillimit. E nëse elitat shkencore, por sidomos ato ekonomike do të ishin të pavarura ato do  ndihmonin realisht në programet e elitave politike dhe jo thjesht si deri më tani vetëm në make-up e partive.

Duke u kthyer në ndikimin e Trumpit në të gjithë botë dhe sidomos në gadishullin tonë: fillimisht qëndrimi i tij mendohet dhe konceptohet si ajo e një njeriu me stil të veçantë, citohet Newstatesman. Ai e ka treguar veten të jetë misogjinist, hakmarrës, ksenofob dhe i pafrikë të shkelë mbi ndjenjat e veteranëve apo të grupeve të tjera. Ky stil që prej pak orësh do bëhet substancë, citojmë të njëjtin organ që argumenton më poshtë se: në më të mirën e saj, një presidencë Trump do të çojë në “Berluskonifikimin” e politikës ndërkombëtare, e cila do të bëhet e hapur dhe e llojit të show-TV.

Në të gjitha rastet, duket e volitshme për elitën e sotme politike në Shqipëri dhe më së shumi në rajon, që pak a shumë paraprijnë me një politikë, që mbështetet mbi imazhin, por jo mbi thelbin. Edhe në këtë rast, elita jonë politike, duket se i ka të gjitha pushtetet që edhe këtë erë të re drejtimi amerikan ta kthejnë në puhi për velat e saj të forcuara në lundrimin mbi korrupsionin masiv dhe propagandën boshe. Ndaj, ka pak gjasa që Trump të ndryshojë Ballkanin, por më së shumti ka mundësi që presidenca e re amerikane të mos jetë aq e interesuar për Ballkanin dhe madje ta konsideroj si kohë të humbur atë politikë që është investuar aq shumë në rajonin tonë. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU