E mbytur në borxhe, 12 kërkesa sekuestrimi për firmën e rrugës Tiranë-Elbasan

Kompania greke Copri-Aktor, e cila ka ndërtuar autostradën e re me tunel, Tiranë -Elbasan duket se është në vështirësi financiare pas ndërprerjes së punimeve të diktuara nga shembja që ndodhi vitin që shkoi në zonën e Ibës. Gjatë vitit 2015 shoqëritë përmbarimore kanë vërshuar në QKR duke bllokuar llogaritë dhe kuotat e Aktor. Sipas të dhënave nga ekstrakti i Copri-Aktor në QKR janë lëshuar 12 urdhra sekuestrosh për bllokimin e kuotave.

Nga dokumentet që shoqërojnë urdhrat mësohet se kompania nuk ka mundur të kryejë pagesat për furnitorët, persona fizik dhe nënkotraktorë të ndryshëm.

Përmbaruesi Dionis Mekshaj në fillim të vitit 2015 lëshoi sekuestron e parë ndaj gjigantit grek të ndërtimeve për një borxh 43 milionë lekë të papaguar ndaj shoqërisë “Doko”.

Më vonë gjatë muajit maj të vitit të kaluar kompania përmbarimore Strati Bailiff Service ka kërkuar bllokimin e kuotave të Aktor në QKR për një detyrim të pashlyer me vlerë 877 mijë euro ndaj kompanisë së njohur të ndërtimit “Salillari”.

Në korrik të vitit 2015 zyra përmbarimore “Avdulaj Bailiff Services”, kërkoi bllokimin e aktiveve te regjistruara, deri në një urdhër të dytë, në pronësi të debitorit “Copri Aktor”, për rreth 15 fatura të papaguara ndaj kompanisë “Albania Experience” e cila njihet për aktivitet në shërbimet e Turizmit.

Po në korrik 2015 zyra përmbarimore “Justitia” , ka urdhëruar vënien e masës se sekuestros konservative ndaj Aktor për një borxh 1.3 milionë lekë ndaj kompanisë, Ariel shpk.

Më vonë gjatë muajit gusht Shoqëria Përmbarimore “3H” i është drejtuar QKR-së, ku ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative dhe bllokimin e kuotave të debitorëve që rezultojnë të regjistruar në emër të “Aktor Shoqëri Anonime Teknike” për detyrime të pashlyera ndaj shoqërisë Shnaci Invest shpk.

Në muajin gusht përmbaruesi Bislim Sinaj i kërkoi në QKR, vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e COPRI – AKTOR” për një borxh 90.4 mijë USD ndaj Xhevdet Celikut.

Më vonë gjatë nëntorit Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor AB”, kërkoi sekuestro konservative ne aksionet COPRI-AKTOR me qëllim shlyerjen e detyrimit 3.4 milionë lekësh që ka kundrejt palës kreditore “Treos-Engineering”Shpk.

Po në nëntor shoqëria përmbarimore “ Elvin Hoxha”, ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative mbi te gjitha aksionet e zotëruara nga “ COPRI-AKTOR”.

Kompania greke Aktor në vitin 2012 fitoi tenderin me skonto të autostradës së re Tiranë – Elbasan. Vetëm për tunelin me gjatësi 4 kilometra, Ministria e Transporteve kishte vendosur në dispozicion 15.5 miliardë lekë, kurse “Aktor” ofroi 8.3 miliardë lekë ose 40 % më lire, për shkak të një garë të fortë ku kompanitë pjesëmarrëse ofruan vlera të ulëta për punimet nisur edhe nga kushtet e vështira që krijoi kriza e vitit 2008, ku po bëheshin gjithnjë e më pak ndërtime në Rajon.

Por pas shembjes së ndodhur në Ibë vitin e shkuar kompania pretendon shtesë punimesh që kapin vlerën e 60 milionë eurove, pohojnë burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, duke tentuar të mbulojë më këtë rast edhe një pjesë të skontos që dha në tenderin e 2012-es. Kompania kulmoi me aktivitetin e saj në vitin 2013 ku shënoi një xhiro vjetore 8 miliardë lekë. Në vitin 2012 kompani raportoi xhiro vjetore në tatime 5.5 miliardë lekë dhe më 2014 vetëm 1.67 miliardë lekë, ndërkohë që ende mbetet e papërfunduar pjesa e autostradës nga Tirana deri në hyrje të tunelit.

MONITOR

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU