E kanë me reformën…!

Sa herë përmendet reforma në drejtësi në Kuvendin e Shqipërisë ka njëfarë sikleti të dukshëm në anët e opozitës. Që për të qenë të ndershëm me publikun duhet thënë që kurrë se deshti, por presioni i pazakontë dhe vendosmëria e ndërkombëtarëve e detyruan ta votojë. Gjithashtu presioni i publikut ishte ndikues në votën pro të opozitës në datën 22 korrik të këtij viti.

Mirëpo, vota pro në 22 korrik nuk është asgjë nëse nuk ndërtohen e votohen ligjet që do të ngrejnë institucionet që do reformojnë realisht drejtësinë kaq prej bret që kemi sot. E pikërisht për të penguar këtë ka menduar opozita. Berisha e di shumë mirë se reforma pa ligje është një hiç, e ky hiç çon ujë në mullirin e tij.

Siç thamë, PD e votoi reformën falë presionit ndërkombëtar dhe atij të publikut duke qenë e bindur se kjo nuk ishte vetëvrasja e tyre duke menduar se mosvotimi i ligjeve, dërgimi i tyre në kushtetuese, përdorimi i presidentit të republikës për mosdekretim e të tjera si këto, do të ishin mjaftueshëm të forta për të mos lejuar zbatimin e reformës.

Vlen të theksohet fakti se PD ndërmori një fushatë të gjërë komunikimi të çdo tematike që shfaqej në media, vetëm e vetëm që të mos flitej për reformën në drejtësi.

Janë disa momente kur PD tregoi hapur se sa shumë kërkon amortizimin e diskutimit mbi reformën në drejtësi.

Ky siklet i justifikuar ka bërë që PD të kapet pas çdo kauze sado hipokrit të jetë qëndrimi i saj ndaj së kaluarës.  Ndaj çdo ndodhie sado që e vërteta mund të ishte ndryshe nga ç’thoshte ajo. Rasti i fundit është për ligjin e mbetjeve. Por para këtij rasti, PD u mpleks pas maturantëve. Si partizan të kauzës së tyre dolën dhe bënë shoë sa u dëndën, e në fund, kur të gjthë maturantët shkuan në Universitet, heshtën, derisa gjetën të kapen pas një vdekje të një të ndjere në maternitet, për t’i rënë ministrit e për ta bërë temën e javës. Fill pas kësaj “kauze”që nuk ishte në fakt e saja, erdhi kulmi i hipokrizisë. Siç vetëm doktori di, ai urdhëroi të bëjë një kthesë 360 gradë, duke u shprehur kundër importit të mbetjeve të riciklueshme. Një lëvizje që më shumë se për kapital politik ( që nuk e merr dot kurrë, sidomos me këtë kauzë), e përdori për të mbuluar vazhdimin e sulmit ndaj reformës në drejtësi.

Gjithë çka thamë më lart ishte një strategji e komunikimit të Partisë Demorkatike, për të zbehur rëndësinë e reformës në drejtësi. Për të amortizuar vëmendjen ndaj saj, trumbetoi dhe pompoi tematika të tjera duke i kthyer në lajme dite. Ndërsa dje, kur SHBA i tha troç që dërgimi në Kushtetuese i “Vetting-ut” ishte gabim, sepse ky ligj nuk cënon Kushtetutën, Basha doli sërisht hapur duke i rënë në kokë ambasadorit të Shteteve të Bashkuara kur i tha“s’më mëson ti mua si veproj”.

Kjo është sjellje shterpë e PD-së, që e sjell në çdo rast në përplasje me SHBA/BE-në dhe me opinionin publik. Sot e vazhdoi Berisha retorikën kundër ndërkombëtarëve, duke treguar edhe njëherë se ai është aty dhe siç ka bërë nga fillimi, nuk do lërë askënd të bëjë reformë të qetë. Ky është një mesazh edhe për SHBA/BE-në që duhet të jenë sot më të vendosur se kurrë për ta çuar deri në fund projektin e nisur.

Ndërkohë që SHBA/BE do të vazhdojnë me presionin (diplomatik), Berisha &co do të sulmojë këdo që ka lidhje me këët reformë. Do e sulmojë me çdo mjet, në çdo rrethanë. Sepse fundja, ai s’ka çfarë humbet më, në çdo rast, përfundimi pritet të mos jetë aspak në favor të tij./LEXO.AL

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU