A e di ndokush, se pse ka humbur Monika Kryemadhi?!

Nga Alfred Peza

Duhet të jem i qartë që në fillim, se nuk jam duke kërkuar Monën siç e thërras edhe unë si shumë të tjerë kur e kam përballë, por praninë publike të kryetares së Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. E cila siç edhe e dimë të gjithë, është forca e tretë politike në Shqipëri dhe opozita jonë më e re, pas zgjedhjeve të 25 qershorit të kaluar.

Prej disa ditësh, të paktën nuk kam qëlluar që ta shoh aktive si dikur, madje madje më duket sikur gati gati është vetëzhdukur nga fokusi i publikut edhe medias. Nëse ky perceptimi im është i gabuar për arësye njerëzore, jam gati të kërkoj ndjesë. Madje, edhe nëse ai është i vërtetë, por mund të ketë ndodhur gjithashtu po për shkaqe humane dhe jo për arësye politike, nga ana e kryetares së LSI.

Bashkë me qenien e zonjës Kryemadhi, nën lartësinë e aktivitetit publik të forcës politike që drejton, perceptimi është se vakumi ka nisur të krijohet dalëngadalë fillimisht dhe më pas gjithnjë e më shpejt, pas senacës së famshme të zgjedhjes së Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku. Ose séancës që për shkak edhe të zonjës Kryemadhi, më së shumti mbahet mend si: Seanca e çizmes! Më pas erdhi vala e arrestimeve të ish drejtorëve të LSI të akuzar për korrupsion me miliona dollarët e tenderave të rrugëve dhe e thirrjes për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të dy ish ministrave të Transportit të LSI.

Në vend që ta mbushi boshllëkun e lënë, prania e z. Petrit Vasili në media dhe në debatin publik e politik në Parlament, duket sikur e thekson edhe më shumë mungesën e zonjës Kryemadhi. Një mungesë që bëhet edhe më e dukshme, ndoshta për shkak të debateve të nxehta që liderët kryesorë politikë të vendit po zhvillojnë prej disa javësh, për çëshje shumë të rëndësishme të politikës së ditës.

Debate që sigurisht herë pas here kanë nevojë për qëndrimet e liderëve të partive, të cilët i ofrojnë medias dhe publikut jo vetëm vizionin e tyre personal, por edhe analizën dhe alternativën për ti zgjidhur e për ti tejkaluar ato politikisht, në funksion të së mirës publike dhe të vendit. Ky lloj komunikimi, sigurisht që ka edhe një rol dhe funksion tjetër kur vjen puna tek kryetarët e partive që kanë përfaqësime të rëndësishme në Kuvend, siç është edhe rasti i LSI. Sepse nëpërmjet fjalës dhe mesazheve të kryetarëve të partive, motivohen edhe anëtarët, përkrahësit, mbështetësit dhe votuesit e tyre.

Megjithatë, ndoshta ky “retreat” i zonjës Kryemadhi është i përkohshëm. Një tërheqje që mund të jetë duke përgatitur një rikthim edhe më të vrullshëm, ose po aq të vrullshëm sa edhe më parë. Ndoshta edhe për shkak të ndryshimit të kushteve të motit…, e sigurtë është që ky rikthim, nuk pritet të jetë më si dikur, me çizme në dorë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU