E dashur Romana: Na duhesh ​hajdute, kurvë dhe antishqiptare!

Nga Mero Baze

Romana Vlahutin, do ta mbajë mend gjatë reformën për drejtësi në Shqipëri. Në karrierën e saj diplomatike, ajo vështirë se do të ketë shansin të përgojohet dhe sulmohet personalisht, më shumë se sa është sulmuar në Shqipëri, ku përfaqëson Bashkimin Evropian. Për gati dy vite e ca, ajo shikohet si e keqja më e madhe për opozitën dhe kundërshtarët e reformës, dhe është sulmuar si diplomate, si femër, si zyrtare, si përfaqësuese e BE, e deri dhe si kroate.

Sali Berisha i ka përmendur “dashnorë” që as në fantazinë e saj seksuale si ka parë, mediat e tij kanë shfrenuar fantazinë dhe ia kanë shumëfishuar, duke ia kthyer në orgji, pastaj e kanë akuzuar se ka manipuluar Komisioneren Mogherini, i kanë shpikur asaj deklarata që në fakt i bërë Komisioneri Hahn, dhe në fund e akuzuan se deshi të prekte dhe sovranitetin e Shqipërisë, duke i nxjerrë një gjysh ustash me rrënjë antishqiptare.

Për fat të mirë është ballkanase dhe në Tiranë shikon atë që ka parë dhe në Kroaci vite më parë. Shikon median e komanduar nga pushteti dhe i kujtohet Kroacia, shikon sulmet që i vijnë nga politika dhe i kujtohet Kroacia, shikon një ish-kryeministër të shfytyruar që e sulmon personalisht dhe i kujtohet po ashtu Kroacia, me të vetmin ndryshim që kolegu i Berishës atje, është në burg, për një orë të shtrenjtë.

Sot ishin kujtuar se Vlahutin nuk paska dorëzuar në afat formularin e deklarimit të pasurisë në Kroaci dhe e kishte sqaruar këtë më pas pa pasur asnjë penalitet. Por kjo nuk kishte rëndësi. Të gjithë titujt kundër saj ishin: “Vlahutin nën hetim, ka fshehur pasurinë në Kroaci” , “Vlahutin hajdute, ka fshehur milionat…” etj. Nëse ia përkthen shtypit kroat ato që ka shkruar shtypi shqiptar për të, do të krijohej ideja se në këtë vend shtypi nuk të lejon asnjë shkelje procedurale në afat për deklarim dhe jo më të vjedhësh. Shtypi ynë puritan, që nuk ia fal dot një qytetareje kroate, pse nuk e ka marrë në kohë kërkesën për deklarim pasurie, është shtypi i Sandrit, që zapton pasuri publike dhe bëhet milioner nga pushtetet që ndërrohen dhe ai u lëpihet, shtypi i “Obezit”, që mund të rigëlltisë disa herë honoraret vetëm mos t’i shpëtojë ndonjë pa marrë për shërbimin e radhës, shtypi i Saliut, mbesat dhe nuset e të cilit, u bëjnë karshillëk shqiptarëve, jo vetëm me bythë dhe gjoks përjashta, por mbi të gjitha me miliardat që i kanë grabitur këtij vendi, duke i shpenzuar në plazhe luksoze. Ky shtyp tërësisht i korruptuar dhe i pafytyrë, ky shtyp që ka heshtur për krimet në këtë vend, ky shtyp që ka lavdëruar vrasësit e 21 janarit dhe Gërdecit, është i papërkthyeshëm në lajmet rreth ambasadores Vlahutin që kanë mbushur sot faqet e tij.

E gjitha lidhet vetëm me një arsye. Me atë arsye që sulmohet Fatmir Xhafaj për vëllain, Vlahutini për gjithçka ka bërë në jetë dhe që do ta pasojë Donald Lu, me ato që ka bërë në Kirgistan apo ku dreqin ka qenë, para se të vinte këtu. Reforma në drejtësi është një revolucion, kundërshtarët e së cilës, kërkojnë që ajo të hajë të parat kokat e atyre që po e bëjnë. Vlahutin, Lu, Xhafaj, pastaj Hahn, Mogherini, Nuland dhe pse jo në fund Merkel e Kerry, do të jenë në radhë për t’u përgojuar.

Por lajm si ky i sotmi vështirë se do vijë më. Vlahutini paska vonuar formularin e pasurisë në Kroaci. Për kroatët nuk ka bërë asnjë krim, por ne na duhet e korruptuar, kurvë dhe antishqiptare.

E dashur Romana, kështu na duhesh: Hajdute, kurvë dhe antishqiptare. Nuk është faji jonë që na gjete në këtë ditë të keqe, për të na diktuar reformën. Dhe si ty na duhen të gjithë ata që po tentojnë të na hetojnë, gjykojnë dhe pastaj dënojnë! Ndryshe del që jemi ne, hajdutë, kurva dhe antishqiptarë! Dhe burra shteti!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU