Dyfishohet prodhimi i energjisë elektrike në vend, ulen humbjet

Pjesa e parë e këtij viti ka qenë pozitive për sistemin energjetik në vend, si në drejtim të prodhimit të energjisë, ashtu dhe të uljes së humbjeve. Edhe konsumi i energjisë ka ardhur në rritje, i nxitur nga konsumatorët familjarë, si rrjedhojë e rigjallërimit të industrisë së rëndë në vend (përpunimi i hekurit dhe industria minerare).
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 1,6 %, sipas të dhënave të INSTAT.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë pothuajse u dyfishua, duke arritur vlerën 2.707 GWh nga 1.424 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Ky prodhim i energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 66,3 % të prodhimit neto vendas dhe nga hidrocentralet private dhe koncensionare që realizuan 33,7 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Rritja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e dytë të vitit 2018, ka ndikuar në uljen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 3,3 herë dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 6,5 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2018, realizuan 1.795 GWh nga 963 GWh të realizuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me rreth 1,9 herë. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, realizuan 912 GWh nga 461 GWh të realizuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 2 herë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) në tremujorin e dytë të vitit 2018, rezultoi me ulje duke arritur vlerën 139 GWh nga 459 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në tremujorin e dytë të vitit 2018, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.106 GWh nga 170 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 394 GWh nga 426 GWh që ishin në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke shënuar kështu një rënie me 7,6 %. Ndikim në këtë rënie ka patur ulja e humbjeve në shpërndarje e cila përbën 80,9 % të humbjeve gjithsej në rrjet.

Humbjet në shpërndarje janë ulur me 17,7 %, si rrjedhojë e uljes së humbjeve jo teknike në shpërndarje me 21,9 % dhe uljes së humbjeve teknike në shpërndarje me 16,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2018, u rrit me 4,6 % duke arritur vlerën 1.345 GWh nga 1.286 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2017 .

Në tremujorin e dytë të vitit 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuan me +3,8 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +0,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.(monitor)

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU