Dy të rinj nga Vlora më shumë se dy muaj të zhdukur, sapo ishin kthyer nga Belgjika

Dy persona të tjerë denoncohen të zhdukur. Prindërit e tyre kanë denoncuar në polici për fëmijët. Albano Xhaferri, 34 vjeç dhe Ervis Troqe, janë dy të zhdukurit në Vlorë. Lutfi Xhaferri, babai i Albano Xhaferrit ka humbur kontaktet me familjen e tij që prej 18 qershorit të këtij viti, dhe pas asaj date askush s’di më asgjë për ta. Sipas babait, ai u zhduk një muaj pas kthimit nga Belgjika.

8 ditë pasi u zhduk, bashkëshortja e tij ka denoncuar në polici. Xhaferri, baba i dy fëmijëve të mitur, jetonte me gruan dhe fëmijët në katin e dytë të një pallati në Vlorë. Xhaferri thotë se 20 ditë pas zhdukjes së Albano Xhaferrit, është denoncuar si i zhdukur Ervis Troqe, i cili sipas familjarëve ka qenë mik me Xhaferrin pasi kanë qenë bashkë në Belgjikë.

*Albano Xhaferri

“Unë jam Lutfi Xhaferri. Djali kishte qenë në Belgjikë dhe u kthye. Kishte gati një muaj, i thashë “Pse erdhe o djalë?”. Më tha “Erdha se më mori malli për fëmijët”. Nuk e gjeta më, se rrinte në shtëpi tjetër dhe vazhdonte punën e tij. Ke ndonjë problem me njeri e pyeta, jo më tha. Se di çfarë pune bënte në Belgjikë. Atë ditë ishte ditë e zakonshme, por se di kush e mori, që nxitoi dhe e mori ta çonte në shtëpi. Erdhi një djalë, një makinë. S’ka marrë as pasaportë, asgjë. Kjo ndodhi rreth orës 10:30, 11:00 e darkës. Thonë për njërin që e mori. Vajti gruaja, bëri denoncimin për 7-8 ditë, më 18 qershor. Lajmëruan djalin tonë, tjetrin, erdhi nja 8-9 ditë e pa që s’bëri gjë dhe iku. S’di gjë për atë tjetrin që e mori. U larguan me makinë, por s’pashë dot gjë në atë orë. Ishte babai i 2 fëmijëve të vegjël, një në klasë të parë, një më i vogël. Pas djalit, u zhduk dhe një tjetër, Ervis Troqe, siç më tha babai i tij, ata kishin qenë në Belgjikë dhe kishin ardhur bashkë andej. Se çfarë kanë bërë nuk e di. Djalin tim e morën më para, Ervisi u zhduk 2 ditë më pas. Djali edhe mund të jetë rrëmbyer edhe mund të jetë larguar. Unë nuk dyshoj tek njeri se do e kisha gjetur me kohë”, thotë babai i Albanos.

*Lutfi Xhaferri

Babai ka treguar se i biri njihej me pseudonimin “Ciqe”, ndërkohë që e shoqja tregon jashtë kamerave se personi me të cilin është larguar i shoqi, është i identifikuar si Klodi. Por referuar ngjarjeve të personave të zhdukur, burime nga policia konfirmojnë se nuk janë vetëm këto raste, pasi të tjera denoncime, për të tjerë persona të zhdukur, janë duke u hetuar./Shqiptarja

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU