Droga/ Noka: Tahiri si vrasës gjakftohtë, bën si i penduar pas krimit

Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm Tahiri i cili tha se trafikantët e vërtetë janë ata që kanë qenë në pushtet dhe jo fshatarët e varfër. Kjo deklaratë, është cilësuar nga Noka si një reagim i njëjtë me atë të një vrasësi që bën si i penduar pas krimit të rëndë. Noka e akuzoi Tahirin sërish për lidhje me bandat e drogës. Ai kërkoi edhe njëherë dorëheqjen e Tahirit.

Deklarata e Flamur Nokës:

Si një vrasës gjakftohtë që bën si i penduar për të përfituar nga falja, u shfaq sot Sajmir Tahiri para shqiptarëve. Por vrasësi gjakftohtë në rastin më të parë do kthehet prapë tek vrasja e ashtu dhe Tahiri sa të filloje sezoni i mbjelljes do të kthehet prapë tek arat e kanabisit, sepse këtë ka bërë për tre vjet me radhë duke e 5-fishuar sipërfaqen e me kanabis, nga një vit më parë. Tahiri tha se i kuptoka qytetarët që ngasja për të luftuar papunësinë, i çon te puna e paligjshme, i çon tek mbjellja e drogës, por nuk tha se ai dhe Edi Rama e rritën papunësine dhe varfërinë pikërisht për t’i detyruar ata të punojnë si skllevër në parcelat e Habilajve, Balilajve e trafikantëve të tjerë që me lejen e tyre kultivojnë kanabis. Që Tahiri nuk quan trafikantë asnjë nga kokat e krimit dhe trafikut në Shqipëri, kjo është gjëja më e sinqertë që ka thënë në 3 vjet ministër’.

Madje jo vetëm që nuk i quan të tille por edhe kur situata i del jashtë kontrollit e prokuroria a vendet partnere i quajnë të tillë, Tahiri i brendshëm u jep mbrojtje, nuk i arreston dhe i ndihmon të arratisen, siç bëri me Balilajt, Frrokajt e shumë të tjerë.
Sot Tahiri nuk tha asnjë fjalë për personin përgjegjës për 23 ton kanabis të sekuestruara nga prokuroria në Vlorë. Nuk tha asnjë fjalë për policët që me urdhër të tij u japin mbrojtje dhe ruajnë arat me kanabis. Nuk tha asnjë fjalë për kërcënimin që trafikantët i bënë një prokurori në prani të policisë. Sot me zërin që i dridhej e gjuhën e trashur nga humbjet e fundit të miqve të tij trafikante, u tha qytetarëve mos mbillni kanabis edhe pse ata janë thjesht punonjës- skllevër në arat e miqve të tij. E vetmja gjë me kuptim që duhej të bënte sot Tahiri ishte dorëheqja, si njeriu që i jep mbrojtje krimit dhe trafikantëve dhe që pa të do të ishte i pamundur kanabizimi i Shqipërisë.

/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU