DOSSIER / Vrasja tragjike e Indrit Pepës dhe 750 shqiptarët e ngujuar

Gjakmarrja është një njollë e errët e traditës tonë popullore, që vijon të marrë jetë njerëzish. Një i ri u vra pak ditë më parë në Mamurras dhe dyshimet kryesore lidhen me një ngjarje të para gjashtë viteve, kohë kur viktima kishte kryer një plagosje.

Sipas vetë familjarëve, viktima Indrit Pepa dhe autori i shpallur në kërkim Agron Markola njiheshin që në fëmijëri me njëri tjetrin, madje Indriti dhe Azis Markola, vëllai i autorit të dyshuar, kanë qenë shokë. 

Konflikti ka nisur 6 vite më parë në një lokal në Mamurras, moment kur viktima dhe Agron Markola debatojnë me njëri-tjetrin, por gjithçka duket se përfundon me aq atë natë, pasi Indriti i thotë Agronit që “ne jemi rritur bashkë, kemi veshur rrobat e njëri-tjetrit e unë kam në shtëpi fotot tuaja”. 

Por pas 3 ditësh Agron Markola dhe Azis Markola e kapin viktimën të cilin e rrahin me qytën e pistoletës duke e lënë në gjendje kome.

Konflikti rindizet një vit më pas, kur viktima (Indriti) po qëndronte përballë në një berberhane të qytetit me Azis Markolën. Indriti, në atë kohë 20 vjeç, për t’iu shmangur atij që e kishte lënë thuajse të vdekur një vit më parë, del nga berberhana dhe shkon gjen nje armë zjarri tip pushkë të modifikuar e kthehet në berberhane me qëllimin për t’i marrë armën Azisit dhe për ta rrahur në mënyrë që të hakmerrej për atë që i kishte bërë një vit më parë.

Por si funksionon gjakmarrja dhe sa plagë ka hapur ajo në familjet shqiptare?

JavaNews kontaktoi me z. Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, i cili sqaron për lexuesit shkaqet kryesore që i nxisin shqiptarët drejt gjaqeve, por edhe shembuj të suksesshëm pajtimi dhe shuarje të hasmërive.

Sipas zotit Marku, sot në Shqipëri janë plot 272 familje të ngujuara, ndër këta 39 fëmijë…

Bisedoi Ardit Rada

Z. Marku, duket se gjakmarrjet janë të pamundura për t’u shuar 100%. Por si funksionojnë autoritetet në raport me familjet në gjak?

Kur një person ka bërë një vrasje të çfarëdo lloji, është e nevojshme që institucionet të veprojnë sa më shpejt për ndalimin e autorët dhe nxjerrjen para drejtësisë. Ne si komitet kemi kërkuar që shteti të kompensojë jetën e viktimave në çdo rast sepse e ka të përcaktuar në kushtetutë që shteti mbron të drejtën e jetës me ligj. Kjo masë kompensimi ngushëllon dhe zbut ndjenjën e dhimbjes apo të hakmarrjes së familjeve të viktimave. Që ti hapë rrugën procesit të pajtimit dhe faljes familja e vrasësit e ka të nevojshme të kërkojë të marrë pjesë në ngushëllim ose të dërgojë përfaqësuesit që ditën e parë të vrasjes për ngushëllim e të marrin pjesë edhe në varrim. Nëse nuk pranohen në ngushëllim nga familja e viktimës shumica e familjeve të vrasësve ngujohen. Mbas këtij momenti autoritet e kanë shumë të vështirë të përfshihen sepse sëpari acarojnë situatën dhe detyrohen të zbatojnë ligjin. Ligji përcakton që nëse familja e viktimës kërcënon me gjakmarrje ose e detyron familjen e vrasësit të ngujohet atëhere përveç viktimës do dënohen dhe nga shteti me burgim deri në tre vjet.

Nëse bëhet gjakmarrje ligji përcakton dënim me burgim të përjetshëm. Ligji është krejtësisht formal dhe një handikap në këto situata. Familja e vrasësit ngujohet vetë sepse parandjen rrezikun e gjakmarrjes dhe e ka të nevojshëm kujdesin maksimal pa marrë asnjë paralajmërim nga familja e viktimës. Nëse familja e viktimës nuk dërgon fjalë që i ka falur dhe hesht ose deklaron se nuk e pranon faljen as pajtimin kjo nënkupton rrezikun e lartë dhe ligji në këtë rast nuk ka se si të aplikohet. Institucionet e kanë të qartë këtë gjendje por është ligji që ka shkaktuar kaosin dhe nxit gjakmarrjen.

Gjakmarrja është term kanunor tradicional dhe i përket vetëm të drejtës zakonore. Nuk ka pasur nevojë që shteti ta fusë këtë term në kodin penal sepse kështu e institucionalizon gjakmarrjen. Kemi pasur dhjetra raste më shumë të vrasjeve për gjakmarrje mbas miratimit të këtij ligji që autorët deklaroheshin hapur para shtetit se edhe pse do të dënoheshin burgim të përjetshëm gjakun do ta merrnin. Këto deklarime ndodhin edhe si revoltë ndaj ligjvënësve që asnjëri nuk di se ç’pasoja sjell miratimi i një ligji në shoqëri apo çfarë impakti jep, por i miratojnë ato sipas urdhërit politik pa diskutimin e gjërë në shoqëri siç ndodhte me ligjet kanunore që miratoheshin nga të gjithë qytetarët dhe mbas diskutimit në çdo vatër shpalleshin si rregulla detyruese.

Shteti nuk krijon ballancën e drejtësisë nëpërmjet ligjeve por e prish këtë ballancë në interes të grupeve që lidhen me politikn ose biznesin.

A kemi sot një shifër për numrin e personave të ngujuar?

Mund t’ju them se janë plot 272 familje të ngujuara që në total përbëjnë 750 anëtarë. Ndër këta, 39 janë fëmijë. Policia ka regjistruar në 6 qarqe të veriut, 720 familje në hasmëri, por një pjesë e tyre janë larguar jashtë Shqipërisë, kryesisht për të kërkuar azil.

Po ju, si e nisni nje proces pajtimi?

Sigurisht përpiqemi që të kontaktojmë sëpari për të shprehur ngushëllimet. Mbas këtij momenti shohim reagimet e familjes së vrasësit dhe kërkojmë takime me njerëzit më të besuar dhe më të arsyeshëm nga pala e viktimës që të ulin tensonet dhe të jenë sa më pranë njerëzve që kanë dhimbje që mos të kalojnë në akte vetëgjyqësie ose vetëvrasjesh.

Me kalimin e kohës dërgojmë mesazhe që asnjë dhimbje nuk mund të kalojë nëpërmjet hakmarrjes apo gjakmarrjes, por vetëm nëse ngrihemi mbi dhimbjen e vendosim të falim.

Takimet nuk ndalen asnjëherë por duhet të jenë të matura dhe të pa nxituara sepse mund të mos mirëpriten. Të gjitha familjet e viktimave e njohin zakonin dhe e respektojnë atë duke mos u trondituar as keqkuptuar me misionin tonë sepse zakoni e don që të respektojnë atë që u troket në derë edhe në kësi rastesh pavarësisht nga pranimi apo mos pranimi i dialogut për pajtim. kur shihet që familja është e pa mundur të pranojë dialogun apo faljen athere familja e vrasësit prefron që ose të ngujohet ose të largohet për të mos bërë sfidë apo karshillëk ndaj palës së viktimës. Largimi i të afërmëve të vrasësit nga venbanimi dhe nga ballafaqimi me palën e viktimës është një sjellje që repektohet nga shoqëria shqiptare. Qeveria aktuale ka treguar nivel shumë të lartë bashkëpunimi me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar edhe nëpërnjet strukturave të policisë si në procesin e pajtimit edhe të mbrojtjes së të drejtës për jetën të atyre qytetarëve që kërkojnë azil në vendet perëndimore për shkak të rrezikut që u kanoset nga hakmarrja, gjakmarrja, nderi etj. Në sajë të këtij bashkëpunimi është arritur që numri i vrasjeve të zbresë në 50 % të mesatares vjetore që kishim nga viti 2005 deri në vitin 2013. Para vitit 2005 numri i vrasjeve varionte nga 180 deri në 300 në vit. Kemi pasur raste edhe në 600, 1000 apo rreth tre mijë të vrarë në vitin 1997.

Me nje mesatare, sa pajtime janë arritur ndër vite?

Procesi i pajtimit është çështje e traditës dhe ai zhvillohet në çdo moment të jetës shoqërore dhe të aktivitetit njerëzor tek shqiptarët. Ne kemi ndërtuar jo vetëm strukturat në 2800 fshatra e 60 bashki por edhe promovuar traditën e pajtimit e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve e konflkteve të ndryshme duke bërë të mundur që: gjatë periudhës 27 vjeçare të tranzicionit post komunist të gjejnë zgjidhje mbi 900 mijë konflikte e hasmëri për: ndarjen e tokave, ujërat, pyjet, kullotat, për rrugët brenda fshatit, kalimet në pyje e lumenj, gardhet, dëmet e bagëtive, prerjet e lëndëve drusore, shfrytëzimin e rërave dhe guroreve, vend varrimet dhe kalimet në tokat e të tjerëve, fejesat me shkuesi dhe prishjet e tyre, martesat dhe divorcet, lidhjet e fshehta të dashurisë, grindjet e çastit dhe fyerjet, borxhet, dëmet në prona, uzurpimi i tokave në qytete nga lëvizja e pakontrolluar demografike, konfliktet mbi dyqanet dhe rrugët para tyre, konflikte mbi ndërtimet, konfliktet për shkaqe mosbindjesh ndaj prindërve, konfliktet për vjedhjet, për dëmtimet e pronave, nga rivaliteti në biznes, konfliktet për varret në qytete, konfliktet mbi shpronësimet, hasmëritë për vendimet e gjykatave, hasmëritë për vrasjet e trashëguara para dhe gjatë sistemit komunist, hasmëritë për vrasjet e reja, hasmëritë e vrasjet për nderin, hasmëritë për vrasjet për grabitje, hasmëritë për vrasjet aksidentale, hasmëritë për ndarjen e padrejtë të pronave, hasmëritë për dhunën e konfliktet brenda familjes, për grabitjet e shtëpive e të kopshteve, për grabitjet e dyqaneve, hasmëritë mbi trafikimin e femrave dhe të lëndëve narkotike, hasmëritë mbi borxhet e pashlyera dhe humbjen e pasurisë në kazino, etj.

Vendimet e pleqësive “gjykatave kanunore” nuk janë kundërshtuar asnjëherë dhe palët jetojnë në paqe e vëllazëri ndërsa vendimet e gjykatave shtetërore në të gjitha rastet kanë thelluar konfliktin e hasmërinë mes palëve. Nga 600 000 vendime të gjykatave shtetërore palët kanë shkuar në hasmëri e gjakmarrje duke sjellë pasoja tragjike me vrasjen e 3500 personave, vetëvrasjen e 4200 vetëve dhe kalimin në depresion të 22 000 qytetarëve. Për shkak të vendimeve të padrejta e korrupsionit në të gjitha shkallët e prokurorive dhe gjykatave qytetarët ndjehen të terrorizuar, e urrejnë sistemin e drejtësisë shtetërore dhe nuk kanë shpresë në përmirësimin e tij.

A zbatohen ‘kriteret’ e Kanunit mes familjeve që hyjnë në gjak?

Krimet ndaj jetës e pronës, vrasjet barbare e dhuna në familje, ngujimi i grave e fëmijëve gjatë tranzicionit post komunist nuk i përkasin kanunit siç keqinterpretohet shpesh herë nga grupe e individë të pa informuar, ose nga struktura të errëta të krimit të organizuar e terrorizmit.edhe mediat janë të pa informuara ose të keqinformuar nga debatet rreth këtij fenomeni, termi apo institucioni.

Këto shfaqje dhune e vrasjesh dhe keqinterpretimi i tyre janë atentati më i rëndë ndaj traditës dhe kulturës shqiptare. Në internet ka grupe të posaçme e individë që paguhen nga struktura të errëta të terrorizmit për të dizinformuar opinionin qytetar për kanunin, traditën shqiptare dhe përhapin lajme të rreme me qëllim nxitjen e vrasjeve për gjakmarrje e nderin, dezinformojnë me qëllime kriminale për sabotimin e procesit të pajtimit etj.

Me futjen në kodin penal të termit gjakmarrje parlamenti ka institucionalizuar fenomenin në kundërshtim të plotë si me ligjin edhe me kanunin sepse vrasjet e periudhës së tranzicionit janë krejtësisht vrasje në një shoqëri në depresion, jashtë procedurës, hierarkisë e natyrë së gjakmarrjes. Në anën tjetër miratimi i ligjit që përcakton dënimin me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm të aktit të gjakmarrjes kur vrasësit e parë që e shkaktojnë atë janë të lirë ose dënohen më pak, kanë nxitur hakmarrjen në mënyrë të fshehtë dhe me pagesë.

Apeli juaj për personat në gjak cili është?

Apeli im është dhe mbete ai që ka qenë prej më se 27 vitesh që kur është krijuar Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar. Shoqëria shqiptare të ruajë dhe trashëgojë vlerat pozitive të mbrojtjes së të drejtës, të bashkëjetesës vëllazërore, të mbrojtjes së lirisë dhe të demokracisë, të kultivimit të kulturës së ligjit të jetës e të të dashurisë.

Mediat do të ishin shumë më efikase nëse do të dallonin informacionin dhe të vërtetën nga dizinformimi dhe shpjegimet e paqarta ndaj opinionit publik dhe institucioneve të shtetit. Për familjet e viktimave përveç ndarjes së dhimjes me ta dua t’i siguroj se asnjëherë nuk do jenë të fituara nëse shkelin traditën e faljes e të pajtimit, nëse nuk dëgjojnë zërin e shoqërisë që vuan bashkë me ta si dhe të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar që është edhe zëri i tyre.

© JavaNews, Shtator 2018

1 koment

  1. Kjo interviste interesante tregon per nje plage te vjeter te shoqerise shqiptare, qe ishte mbyllur thuajse fare ne periudhen e shtetit totalitar, per shkak te ligjeve te rrepta dhe te veprimit te menjehershem te shtetit, por qe eshte ringjallur ne permasa tronditese pas renues se komunizmit. Gjakmarrja eshte nje fenomen qe, siç e pershkruan Kryetari i komitetit per Pajtimin Kombetar, ka shkaktuar ne 27 vite shume e shume viktima e vazhdon te shkaktoje edhe sot. Puna e Komitetit te Pajtimit Kombetar eshte e lavderueshme se ka ditur te lidhe thirrjen per respektimin e ligjit me punen e urte per pajtim midis familjeve ne konflikte.

PËRGJIGJU