Dosja 339 dhe një sherr i vjetër Meta-Berisha

Nga Skënder Minxhozi/

Herë pas here media shqiptare kujtohet të rikthejë në jetë copa historie, krizash, tensionesh e sherresh të harruara. Një të tillë e ripamë në shtyp pak ditë më parë, me rastin e përvjetorit të tragjedisë së pandëshkuar të Gërdecit. Ishte data 5 mars 2015. Shqipëria ishte e mbërthyer në telenovelën Doshi-Meta, ku, për të rikujtuar fabulën qëndrore, deputeti shkodran akuzonte kreun e Kuvendit të asaj kohe, se kishte planifikuar ta vriste. Siç u pa në ato orë dramatike, opozita u hodh në sulm frontal për largimin e Metës nga poltroni më i lartë i parlamentit dhe si zakonisht në të tilla raste, kur plas sheshit panairi i akuzave dhe aludimeve më ekstreme, u shfaq në podium Sali Berisha.

Inserti video që ka mbetur nga ai moment dëshmon për një nga të rallat raste në 30 vite, kur Berisha dhe Meta janë akuzuar publikisht mes tyre, pa e frenuar gjuhën. Kjo, sepse kjo dyshe ka provuar në këto tre dekada, të ketë qenë de facto aleanca më e gjatë dhe me qëndrueshme e politikës shqiptare, që i ka mbijetuar edhe tallazeve të fajdeve, edhe vitit ’97, edhe vrasjes së Azemit, edhe Gërdecit, edhe video-përgjimit Prifti, edhe 21 janarit 2011. Është aleanca e padeklaruar që i ka dhënë formë politikës shqiptare, sipas interesit të dy njerëzve më të fuqishëm të pluralizmit shqiptar.

Që të rikthehemi tek video, mjafton të dëgjoni sesi Meta akuzon Berishën, se e dha dorëheqjen pas përgjimit të Dritan Priftit, “për hir të Shkelzenit”, siç deklaroi kreu i Kuvendit, që të tronditeni e të ndjeheni keq për çfarë po dëgjoni. Mjafton të dëgjosh në anën tjetër sesi Berisha deklaron se ai, pra Ilir Meta, është akuzuar për dy vrasje dhe si i tillë duhet të largohet nga kreu i Kuvendit, për të kapur telekomandën dhe për të parë futboll apo filma.

Mjaftojnë këto deklarata, që nuk janë përgjime me personazhe anonime nëpër celularë, por janë kumtuar para 20 telekamerave, që të hedhësh një paralele në dukje naive, por në thelb aspak të tillë: si ka mundësi që bëhet një zhurmë e një potere si kjo që po jetojmë me dosjet e përfolura të shitblerjes së votave, ku qeveritarët aktualë paskan folur me kriminelët, e në anën tjetër nuk disponohet si material hetimor as edhe një rresht i këtij shkëmbimi monstruoz akuzash në foltoren e parlamentit shqiptar?! Një sherri, që në ndryshim nga përgjimet telefonike, autenticitetin e ka të vërtetuar qysh në krye të herës, pasi ka si provë të padiskutueshme vërtetësie edhe profilin shumë të lartë të personave që akuzohen mes tyre.

Dikush mund të thotë se Berisha dhe Meta “kanë qenë duke bërë politikë”, se kanë qenë duke bërë atë që dhjetra deputetë si ata kanë kanë bërë me vite e vite në atë sallë. Avokatët e gjuhës së shthurur parlamentare mund të justifikojnë çfarëdo absurditeti, por një gjë është e vërtetë dhe e pamohueshme: skandalet më të mëdha, akuzat më të rënda dhe aludimet më skajshme, thuhen jo rrallë publikisht dhe nën stres. Dy protagonistët e këtij sherri katërvjeçar kanë thënë atë ditë gjëra që po t’i krahasosh me babale-përgjimet e të tjera akuza si këto, ngjajnë si rakia e fortë e Skraparit, me një gotë lëng portokalli. Pse duhet të besojmë më shumë të dytën se të parën?!

Berisha dhe Meta kanë shkëmbyer në vite mes tyre, një lumë akuzash, disa prej të cilash gjithçka mund të jenë, por jo “politikë si zakonisht”. Vjedhja e floririt të Krrabës, çeshtja “Doshi”, ajo “Prifti”, “Gërdeci” etj, të gjitha këto i japin formë një liste akuzash që vetëm një drejtësi qorre dhe shurdhe si kjo e jona ka refuzuar t’i marrë në shqyrtim. E njëjta gjë ka ndodhur me dhjetra politikanë që kanë sharë e akuzuar njëri-tjetrin për vrasje, rrëmbime, trafiqe gjithfarësh, korrupsion e madje deri edhe përdhunime. Asnjë hetim, asnjë i pandehur… qoftë larg, asnjë i dënuar!

Ka ardhur koha që politika të mbajë gojën, ose të mbajë përgjegjësinë. Njërën nga të dyja. Kur Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi vendosin t’i venë zjarrin sistemit politik shqiptar me emrin e katër-pesë kriminelëve e po aq politikanëve në gojë, bëjnë mirë fillimisht të na shpjegojnë se mbi çfarë bazash i kanë tejkaluar akuzat e tmerrshme që rëndojnë mbi marrëdhënien e tyre partiake pas vitit 2005. Le të na thonë se ku e gjetën vullnetin dhe lehtësinë e magjishme, për të tejkaluar akuzat për Krrabën, Gërdecin, përgjimin “Prifti” dhe tentativën e supozuar për vrasjen e Doshit.

Sherri i vitit 2015 Berisha-Meta nuk është hetuar kurrë më pas, për akuzat që prodhoi dhe hodhi në publik. Sot dy protagonistët e atij debati të rëndë dhe me aludime skandaloze, janë sërish miq të padeklaruar, siç kanë qenë për 30 vjet. Askush s’i pyeti për sa i thanë njëri-tjetrit, por ama shumëkush u pasionua dhe ngriti zërin në kupë të qiellit për dosjen 339, Babalen, Alizotin, e të tjerë anonimë si ata.

Nëse doni drejtësi në këtë vend filloni hetoni shthurjen verbale të klasës politike. Filloni të hetoni çfarë e akuzojnë njëri-tjetrin kur janë nën goditje dhe ndjehen të cënuar në interesat më të ngushta. Sepse aty, bashkë me shumë akuza “fantastiko-shkencore”, sajesa të trasha e manipulime pa baza, ka shumë shpesh edhe të vërteta që palët ja thonë njëra-tjetrës me fytyra të skuqura e zë të dridhur, kur e shohin veten të zënë ngushtë. Çdo të enjte kemi nga një Babale në mes të Tiranës, mu brenda në parlament. Pse lodheni deri në Vlorë?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU