Donkishotizmi i një kryetari shteti

Perfundimi i mandatit si President duket se i ka shkaktuar Bujar Nishanit një përjetim të rëndë. Veprimet dhe artikulimet e tij publike teksa afron data e ndarjes nga kolltuku, po rëndohen dita-ditës, ndërsa ai vetë po vazhdon të bëjë çmos që t’i shërbejë deri në fund Partisë Demokratike. Një gjë që e ka bërë hapur, pa mëdyshje dhe në mënyrë shpesh banale.

Një ngjarje e paprecedentë dje në betimin e ministrave të rinj ka nxjerrë edhe një herë në pah donkishotizmin dhe mungesën e respektit të kreut të shtetit ndaj protokollit, institucionit të qeverisë dhe në përgjithësi dhe të detyrës së lartë që vetë Nishani mban. Të kartër ministrat e sapoemëruar kanë pranuar për mediat se Presidenti i Republikës ka refuzuar t’u japë dorën dhe t’i urojë për detyrën e re. Një gjest sa naiv, aq edhe i shëmtuar, që dëshmon banalitetin me të cilin Bujar Nishani ka vendosur ta mbyllë mandatin e tij pesëvjeçar.

Ka qenë një javë kur kryetari i shtetit ka anatemuar me akuza shtypi dhe krejt pa prova, njërin nga anëtarët e rinj të kabinetit, ministrin e brendshëm Xhafaj. Më tej, ka sulmuar me fjalë të ulëta Visar Zhitin, një diplomat ish i pëndjekur politik, dikur ish-ministër i PD dhe ish-kandidat i kësaj partie për deputet. Duke folur për ngjarjen e vjetër për mosdekretimin e Zhitit si ambasador, Nishani e gjeti justifikimin në disa mesazhe anonime që “ish i persekutuari dixhital” i kishte dërguar. E quajti Zhitin edhe të çekuilibruar psiqik, kur e gjithë shoqëria shqiptare e di se aludohej për një periudhë kur zoti Zhiti kishte humbur djalin e tij të vetëm.

Një gjë e ulët dhe një standart kafaneje për një president republike! I cili po kërkon mandatin e dytë. A votohet një person i tillë?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU