Donald Lu: Politikanët, zyrtarët e qeverisë, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar kanë frikë

Kohët po ndryshojnë. Politikanët, zyrtarët e qeverisë, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar kanë frikë. A e dini se nga kush kanë frikë? Ata kanë frikë nga ju!

Kështu ka deklaruar ambasadori Donald Lu gjatë aktivitetit “Aktivizmi Rinor Kundër Korrupsionit”. Ky aktivitet u organizua nga nxënësit e shkollave të mesme të Shkodrës, Kukësit, Elbasanit, Beratit, Vlorës, Lezhës, Gjirokastrës dhe Tiranës, si pjesë e projektit të edukimit qytetar mbështetur nga Ambasada e SHBA dhe e implementuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Deklarata e plotë e Donald LU

Të dashur nxënës dhe mësues, mirëmëngjes.

Në një shoqëri, korrupsioni përfundon kur njerëzit e saj më në fund vendosin që kanë duruar boll dhe fillojnë të veprojnë. Shpesh kjo udhëhiqet nga të rinjtë.

Kur punoja në Kirkizstan 14 vjet më parë, nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteteve përballeshin me probleme të tmerrshme të korrupsionit. Të gjithë duhet të paguanin për notat.  Vetëm fëmijët e pasur merrnin nota të mira, por kurrë nuk mësonin. Nxënësit e zakonshëm punonin shumë, por merrnin nota të këqija ose nuk diplomoheshin kurrë. Korrupsioni po ua grabiste atyre arsimimin.

Ata studentë thanë: “Mjaft! Jo më! Kjo përfundon me mua!” Ata krijuan klube dhe  nwnshkruan deklarata që kurrë nuk do të jepnin ryshfet për arsimimin e tyre. Mësuesit dhe drejtorët e shkollave ishin të zemëruar. Ministria e Arsimit ishte në kaos.

Por, Presidenti i Kirkizstanit, Oscar Akayev, ishte një ish-profesor fizike. Ai pa që ndryshimi po vinte dhe vendosi ta mbështesë këtë lëvizje studentore. Edhe pse ministrat e tij, rektorët dhe mësuesit punonin kundër studentëve, Presidenti Akayev shkoi nga universiteti në universitet duke treguar solidaritetin e tij me studentët. Shumë shpejt njerëzit iu bashkuan lëvizjes. Ata pak studentë fillimisht ndryshuan rrjedhën e vendit të tyre. Kështu ndodh ndryshimi.

Dëshiroj t’ju falenderoj të gjithëve për udhëheqjen që keni treguar në Shkodër,  Kukës, Elbasan, Berat, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër dhe Tiranë. Dua të falenderoj mësuesit tuaj të guximshëm për mbështetjen e tyre, si dhe të falenderoj IDM-në, veçanërisht Shefqet Shytin, për vizionin dhe kurajon e tij.

Kohërat po ndryshojnë. Politikanët, zyrtarët e qeverisë, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar kanë frikë. A e dini se nga kush kanë frikë?

 Ata kanë frikë nga ju!/javanews.al

c.a

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU