Doktrina e Fatit të Qartë dhe roli në shtrirjen e SHBA drejt Perëndimit

Nga Ernest Nasto

Në artikujt e kaluar pamë që idetë e “popullit të zgjedhur”, “shtetit natyror” dhe “shtetit kristian” ishin dominuese gjatë periudhës koloniale, e më vonë gjatë revolucionit amerikan e viteve të para të ekzistencës së Shteteve të Bashkuara, duke u bërë shpejt ide themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane. Ato shprehnin besimin e patundur në atë që Zoti e kishte zgjedhur e bekuar Amerikën në mënyrë të veçantë, dhe njëkohësisht ofronin si model virtyti e përsosmërie një epokë të artë të dikurshme që vinte nga thellësitë e kohës. Do të shohim tashti se si këto ide themelore, duke u gërshetuar edhe me bindjen për një rol të posaçëm të Amerikës në ndriçimin dhe shpëtimin e popujve të tjerë, çuan në formimin e doktrinës së quajtur “fati i qartë”, e cila pati një ndikim vendimtar në shtrirjen e shtetit të ri drejt Perëndimit.

Koncepti i “fatit të qartë” (Manifest Destiny) filloi të dilte aty nga mesi i shekullit XIX, dhe në thelb shprehte atë që Providenca hyjnore u kish caktuar amerikanëve, në mënyrë krejt të dukshme, detyrën të shtriheshin në të gjithë Perëndimin përtej maleve Apalashe dhe të dominonin kështu të gjithë territorin e sotëm të Shteteve të Bashkuara. Në të vërtetë popullsia në territoret perëndimore u dyfishua ndërmjet viteve 1810-1820 dhe është e lehtë të përfytyrohet besimi i patundur i amerikanëve në bekimin hyjnor ndaj një ndërmarrjeje të tillë, duke pasur sidomos parasysh idetë e lartpërmendura.

Kështu publicisti John O’Sullivan e shprehte bindjen për këtë “fat të qartë” në terma fetare, kur shkruante më 1845 se “pretendimi ynë mbi territorin Oregon bazohet vetëm në atë që jemi qartazi të destinuar të shtrihemi e të zotërojmë tërë kontinentin që na është dhënë, për të zhvilluar eksperimentin e madh të lirisë dhe vetëqeverisjes federative të cilin na e ka besuar vetë Providenca. Zoti i natyrës dhe i kombeve e ka caktuar Oregonin për ne, dhe me bekimin e Tij ne do t’i ruajmë me vendosmëri të drejtat që Ai na ka dhënë, dhe do të zbatojmë pa frikë detyrat e mëdha që Ai na ka ngarkuar”.

Duket pra nga këto fjalë se “fati i qartë” lidhej edhe me “popullin e zgjedhur”, edhe me “shtetin natyror” e po ashtu me vizionin e Amerikës si përçuesja e të gjithë kombeve drejt një epoke të lumtur universale të fundit të historisë. Por nëse në fillimet e shekullit XIX përkrahësit e një vizioni të tillë shpreheshin se amerikanët do ta luanin rolin e tyre të ndriçimit të popujve e vendeve të tjera vetëm nëpërmjet shembullit, më vonë, diskursi politik filloi të shprehej gjithmonë e më tepër në terma të doktrinës së “fatit të qartë” duke shpalosur një kuptim të ndryshëm të rolit të Amerikës në botë. Sipas përkrahësve të kësaj doktrine, Zoti e kishte zgjedhur Amerikën jo aq për të shprehur përgjegjësi morale për botën, por më tepër që ajo të përqafonte fatin, apo qëllimin, e saj në botë, një qëllim që ishte i qartë e i vetëkuptueshëm. Ky fat apo qëllim ishte “i qartë” sepse Amerika ishte në të njëjtën kohë edhe një vend kristian, besnik ndaj urdhëresave të Zotit, edhe një shtet i natyrshëm, që vetëm sa pasqyronte rendin e gjërave në mënyrë të natyrshme, pra ku çdo gjë është ashtu si duhet të jetë. Për këtë arsye, duke qenë i vetmi vend i tillë në historinë e botës, ajo kishte plotësisht të drejtë ta shtrinte ndikimin e saj edhe me anë të dhunës, duke mos u mjaftuar vetëm me shembullin moral. Me justifikimin e përdorimit të forcës në arritjen e qëllimeve të Shteteve të Bashkuara, pranohej njëkohësisht që luftërat kishin qenë burim vdekjeje e mjerimesh të mëdha, por nga ana tjetër ato quheshin edhe instrumente hyjnore, të cilat, sadoqë në mënyrë të pakuptueshme për njerëzit, kishin çuar në arritje të mëdha në rrugën e lumturisë njerëzore.

Një shembull kuptimplotë i një justifikimi të tillë na vjen nga koha e luftës amerikano-spanjolle të vitit 1898, kur ndërhyrja amerikane në Filipine u konsiderua nga shumë zëra si haptazi me qëllime të zotërimit kolonial. Por presidenti McKinley u përgjigj duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara s’kishin pasur nevojë të merrnin pëlqimin e hapur të filipinasve për atë ndërhyrje, sepse, sipas tij, ai pëlqim ishte në “çdo aspiratë të mendjes së tyre dhe në çdo shpresë të zemrës së tyre”. Kjo në një kohë kur kryengritja filipinase kundër ndërhyrjes amerikane vazhdoi për rreth dy vjet, e kur gati 20 përqind e popullsisë vendase u shfaros nga lufta apo sëmundjet gjatë asaj rezistence.

Duket pra se doktrina e fatit të qartë lidhej ngushtë me idenë e “popullit të zgjedhur”, si edhe me atë të “shtetit natyror.” Kështu, lidhja me “popullin e zgjedhur” shihet në atë që zgjedhja hyjnore ishte në funksion të zhvillimit të eksperimentit të lirisë dhe vetëqeverisjes federative, mirëpo duhet vënë në dukje këtu se koncepti i zgjedhjes në shekullin XIX kishte pësuar një ndryshim të thellë qysh se Puritanët e kishin interpretuar atë në lidhje me ardhjen e tyre në Amerikë dhe me formimin e kolonive të para. Kuptimi i tyre në atë kohë përpiqej t’u mbahej besnik teksteve biblike dhe ata ishin të ndërgjegjshëm për faktin që askund në ato tekste nuk thuhej se Zoti e kishte zgjedhur popullin e Izraelit për shkak të ndonjë merite të vetë izraelitëve, apo se ata ishin më të mirë se popujt e tjerë. Shumë-shumë mund të thuhej që Zoti e kishte zgjedhur Izraelin që të tregonte dashurinë dhe hirin e tij, por arsyet se përse zgjedhja ra pikërisht mbi ta, e jo mbi një popull tjetër, mbeteshin të fshehura e s’mund të kuptoheshin nga njerëzit. Në të njëjtën mënyrë edhe për Puritanët, arsyeja se përse Zoti i kishte zgjedhur ata mbetej e fshehur në vullnetin misterioz hyjnor.

Ndërkaq në shekullin XIX arsyet e zgjedhjes hyjnore për Amerikën jo vetëm që s’ishin aspak misterioze, por përkundrazi, ato ishin fare të qarta. Dhe rrjedhimi logjik ishte që edhe fati, apo qëllimi, i Amerikës në botë, ishte po aq i qartë. Sipas fjalëve të O’Sullivan, arsyeja se përse Zoti zgjodhi Amerikën ishte se kjo e fundit mbështetej në “lirinë dhe vetëqeverisjen federative”. E thënë me fjalë të tjera, nëse akti i zgjedhjes, në kuptimin e Puritanëve, varej tërësisht nga vullneti i Zotit, dy shekuj më pas inisiativa kishte kaluar në tërësisht në anën tjetër, sepse besohej që amerikanët ishin aq dukshëm në përputhje me vullnetin e Zotit saqë ky i fundit s’kishte se si të mos i zgjidhte ata.

Një ndryshim po aq të thellë kishte pësuar edhe aspekti i besëlidhjes. Nëse për Puritanët bekimet e Zotit vareshin drejtpërsëdrejti nga besnikëria e besimtarëve ndaj tij, për amerikanët e shekullit XIX kjo kish dalë në plan të dytë dhe Zoti e kishte zgjedhur Amerikën për shkak të vetë natyrës dhe përmbajtjes së eksperimentit amerikan. Ndjenjat e përgjegjësisë ndaj njeri-tjetrit ishin zëvendësuar kësisoj me privilegjet dhe me të drejtën hyjnore.

Doktrina e “fatit të qartë” lidhej po ashtu edhe me idenë e “shtetit të natyrshëm”, dhe duhet të kujtojmë këtu, së pari, se ideja e në fjalë linte vend për t’u kuptuar në mënyra të ndryshme, e së dyti se amerikanët e asaj kohe përpiqeshin të përkufizonin “natyrën” apo “të natyrshmen” mbështetur në përvojën e tyre vetjake, në pikëpamjet dhe paragjykimet e tyre. Kësisoj ajo çka konsiderohej “e natyrshme” ishte doemos e tipit europian, dhe ata që nuk u përshtateshin normave europiane ishin, me përkufizim, “të panatyrshëm”.

Një kuptim i tillë i  “së natyrshmes” pati pasoja për popullsitë vendase të Amerikës, kultura e të cilave ishte, siç dihet, krejtësisht e ndryshme nga ajo popujve europianë. Këta të fundit e konceptonin rendin natyror në terma të qytetërimit europian, pra të karakterizuar nga jetesa në qytete apo fshatra, nga rrugët, shkollat, librat, parlamentet, fabrikat e punishtet, si edhe nga besimi kristian, por kulturat e vendasve s’kishin pothuaj asnjë nga këto tipare. Prandaj vendasit u konsideruan nga të ardhurit si inferiorë e të panatyrshëm, dhe vetë prania e tyre si pengesë për përparimin e zgjerimin e Amerikës. Gjithashtu amerikanët e ardhur nga Europa mendonin në atë kohë se Zoti u kish caktuar kufij natyrorë të gjithë kombeve të botës, rrjedhimisht ishte detyra e tyre të shtriheshin drejt viseve të reja të Perëndimit derisa kufijtë politikë të përputheshin me kufijtë natyrorë në fjalë, të caktuara nga “Arkitekti i madh i Gjithësisë”, shtrirje që duhej bërë mundësisht në mënyrë paqësore, por në rast të kundërt, edhe me forcë. Të ardhurit gjithashtu besonin se sistemimi, kultivimi e përmirësimi i tokës përbënin thelbin e rendit natyror të gjërave, duke u bazuar tek urdhëresa në librin e Zanafillës 1:28 ku Zoti u thotë njerëzve “Mbusheni dhe sundojeni tokën”. Meqë popullsitë vendase nuk e kishin bërë një gjë të tillë, atëherë pretendimet e kolonëve të bardhë mbi ato toka kishin përparësi ndaj çdo pretendimi tjetër, për arsye se ata e përdornin tokën në përputhje me qëllimet për të cilat Zoti e kishte krijuar atë.

Duket pra se thirrjet për të transformuar botën ishin të konceptuara tërësisht mbi terma eurocentrikë, sepse epoka e lumtur e fundit të historisë përfytyrohej si një kohë kur populli i zgjedhur i Zotit do të çlironte e ndriçonte të gjithë popujt e tjerë të botës, kur protestantizmi do të ishte kudo mbizotërues, e më në fund gjithshka do të ishte në përputhje me standartet e natyrës dhe të Zotit të natyrës. Lidhja më e qartë e këtij vizioni të së ardhmes me doktrinën e “fatit të qartë” gjendet tek pastori dhe mendimtari Alexander Campbell, i cili në gjysmën e parë të shekullit XIX, shkruante se “Zoti i gjithëfuqishëm e ka rrethuar tokën nga lindja në perëndim me popujt anglo-saksonë, me gjuhën, shkencat dhe qytetërimin anglo-sakson, duke u blatuar një fuqi e madhështi të paparë Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara mbi oqeanet e detet”, dhe se shtrirja e tyre do të vazhdonte derisa paqja dhe vëllazërimi të triumfonin kudo, sepse “në të tërë tokën do të ketë vetëm një Zot, një besim, një shpresë dhe një gjuhë”.

Duke u mbështetur kësisoj mbi idetë që përshkruam deri tashti, kuptohet se përse zbatimi i kësaj doktrine u shoqërua me pasoja të rënda për indianët, por është për t’u shënuar se zhvendosjet e spastrimet e tyre kishin filluar shumë vjet përpara se “fati i qartë” të përmendej si një koncept më vete, gjë që dëshmon se ajo ide kish zënë rrënjë prej kohësh në ndërgjegjen kombëtare amerikane.

Një shembull mjaft domethënës është këtu sidomos ai i fisit të madh e të fuqishëm Cherokee, që banonte në viset jugore të Georgia-s dhe Karolinës së Veriut, e që besonte se nuk do të cënohej nga të bardhët nëse adoptonte zakonet dhe mënyrën e jetesës së këtyre të fundit. Kështu ata ndërtuan fshatra të ngjashme, futën pronësine private, krijuan një shkrim për gjuhën e tyre dhe pranuan në territoret e tyre shume misionarë kristianë, në përpjekje për t’u afruar me kulturën e të ardhurve.

Por fatkeqësisht këto s’patën asnjë lloj rëndësie kur në tokat e tyre u zbulua ar dhe mijëra kolonë të bardhë u dyndën atje, duke konfiskuar fermat e duke shfarosur kafshët e gjuetisë. Në këto rrethana, vendasit, të kërcënuar nga uria, deklaruan se territori i tyre ishte praktikisht një vend i pavarur, dhe kërkuan mbrojtje nga qeveria federale bazuar në një traktat të vitit 1791 që shpallte se të bardhët duhej të kishin pasaporta për të hyrë në territorin Cherokee. Mirëpo në vend që presidenti Andrew Jackson të zbatonte detyrimet e atij traktati, ai u deklaroi indianëve se ishte në të mirën e tyre të zhvendoseshin në Perëndim, se ashtu do të harronin “zakonet e tyre të egra” e do të ktheheshin në një popull “të qytetëruar dhe kristian”. Duket pra se doktrina e fatit të qartë, e veshur me gjuhë besimtare, ishte në veprim të plotë shumë kohë para se vetë ai koncept të ishte vënë në përdorim.

Indianët Cherokee u detyruan të fillonin shpërnguljen masive për në viset përtej Mississippi-t, në të ashtuquajturin “Shtegu i lotëve”, e gjatë këtij procesi gati gjysma humbën jetën nga uria dhe mundimet e rrugës. Të njëjtin fat pësuan pak a shumë edhe fiset e tjera indiane si pasojë e përpjekjeve sistematike për nënshtrimin e tyre, të cilat, siç e pamë, ishin të frymëzuara nga doktrina e “fatit të qartë”. Nga ana e tyre krerët indianë protestuan kundër një trajtimi të tillë, dhe ajo që është për t’u vënë në dukje është se në fjalimet dhe shkrimet e tyre ata kritikonin ashpër hipokrizinë e cinizmin e të bardhëve, duke thënë se vendasit, me gjithë mëkatet e tyre, s’mund të ishin kurrë aq të këqinj sa të ardhurit. Megjithatë protestat e tyre s’patën asnjë sukses, procesi i shpërnguljes vazhdoi për një kohë të gjatë, dhe qeveria amerikane vetëm më 2009, pra shumë vjet pas përfundimit të atij procesi, kërkoi zyrtarisht falje për keqtrajtimin e popullsive indiane.       Edhe zezakët amerikanë protestuan në mjaft raste ndaj keqtrajtimit të indianëve, sepse kishin provuar mbi veten e tyre efektet e “fatit të qartë” dhe mohimin e të drejtave “të patjetërsueshme” nga ana e të bardhëve. Duke e kuptuar situatën e indianëve më mirë se kushdo tjetër, predikuesit e liderët zezakë e kritikuan me forcë atë doktrinë gjatë gjithë shekullit XIX. Sidomos në kohën e luftës me Spanjën kritikat e tyre vunë në dukje karakterin kontradiktor të pretendimeve amerikane për të çuar lirinë në Kubë, në një kohë kur vetë zezakët amerikanë jetonin në kushte të dallimit racial. Predikues të shumtë deklaronin se lufta nuk ishte për interesat e njerëzimit, por për interesat tregtare të vetë Amerikës, sepse ishte zor të besohej se një qeveri që s’kishte shprehur asnjë lloj shqetësimi për jetën dhe lirinë e dhjetë milion qytetarëve të saj nga më besnikët, të përfshihej papritmas nga “dashuria për lirinë e vëllezërve tanë zezakë në një vend tjetër”.     Si përfundim mund të themi se doktrina e “fatit të qartë”, me shkrirjen e elementeve fetare e laike, e kreu më së miri funksionin e rëndësishëm të justifikimit të shtrirjes së Shteteve të Bashkuara drejt Perëndimit. Vizioni i saj ishte mbi terma eurocentrikë, dhe vërtet që mendohej si një epokë finale e paqes universale, por vetëm pasi të tjerët të ishin nënshtruar dhe vetëm kur qytetërimi anglo-sakson të ishte kudo mbizotërues. Shohim pra se idetë e “popullit të zgjedhur”, të “shtetit natyror” e të “shtetit kristian” përcaktuan përmbajtjen e kësaj doktrine, e po ashtu edhe të vizionit amerikan për epokën e lumtur të fundit të historisë.

============

Kliko këtu për artikullin paraardhës: http://www.javanews.al/ideja-e-shtetit-kristian/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU