Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, konstituohet grupi parlamentar “Miqtë e fëmijëve”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, të OKB-së, me nismën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, rizgjidhet grupi parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, për legjislaturën IX. Ky grup, do të dëshmojë rolin jetik që luajnë parlamentarët, në avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Grupi “Miqtë e Fëmijëve” synon të sigurojë një dialog konstruktiv mes institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve kyç, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjitha fushat, nga niveli vendor e deri në atë qendror. Kuvendi i Shqipërisë duhet të punojë ngushtë me qeverinë, për të trajtuar promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të djemve dhe vajzave shqiptare, përmes veprimeve konkrete, sidomos të atyre më të pambrojturve dhe që jetojnë në kushte të pa favorizuara.

Në Nëntor 2013, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar  Rezolutën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës. Që atëherë, Kuvendi i Shqipërisë dhe UNICEF-i kanë bashkëpunuar, me një agjendë pune, e cila ka përfshirë ndër të tjera këto çështje: reforma në drejtësi me fokus fëmijët; ligji i ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve; ligji i ri për shërbimet e kujdesit shoqëror; draft kuadri ligjor për një internet të sigurt si dhe seanca dëgjimore publike me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve. Me gjithë hapat e ndërmarrë, ka ende për të bërë, me qëllim harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve me standardet ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendi z. Gramoz Ruçi,  falënderoi të gjithë deputetët që kanë kontribuar në legjislaturën e kaluar për të promovuar e avancuar të drejtat e fëmijëve  dhe për të përmirësuar legjislacionin që rregullon ato si dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile, për çdo ekspert të fushës dhe përfaqësuesit e medies për kontributin e dhënë në hartimin e ligjeve, ngritjen e institucioneve që ofrojnë shërbime për fëmijët, për mbështetjen e dhënë në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Përfaqësuesi  i UNICEF-it në Shqipëri Dr. Ezio Gianni Murzi u shpreh se duke rizgjedhur grupin “Miqtë e Fëmijëve” në Kuvend, i është ofruar një mundësi për t’i dhënë zë atyre që nuk kanë zë në politikë, por që zakonisht kanë aq shumë për të thënë – këta janë Fëmijët tanë!  Dr. Murzi shprehu bindjen se kjo është pjesa më fisnike e punës që ne të gjithë bëjmë së bashku.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për Mbrojtjen e  të Drejtave të Fëmijëve, i cakton si detyrë anëtarëve të parlamentit,  të monitorojnë zbatimin  e Konventës  së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës si dhe rekomandimet përfundimtare, që Komiteti i Kombeve të Bashkuara  për të Drejtat  e Fëmijës, i drejton Shqipërisë. Këto rekomandime, theksojnë domosdoshmërinë e veprimit të qeverisë për të bërë të njohura këto rekomandime, për të ditur se çfarë pritet prej tyre e për t’i adresuar siç duhet pritshmëritë e tyre; për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave për të drejtat e fëmijëve dhe analizimin  e tyre; për të bërë më shumë përpjekje, për të siguruar regjistrimin e lindjeve për të gjithë fëmijët, e sidomos për fëmijët romë.

Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, me rolin e tij unik, në mundësinë për të propozuar nisma të reja legjislative, që garantojnë përmbushjen e të drejtave të fëmijëve, mbetet një model i dialogut demokratik, mes organizatave të shoqërisë civile dhe Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Zoti Gramoz Ruçi ftoi deputetët, qofshin në mazhorancë apo  opozitë, që t’i kushtojnë më shumë vëmendje kontrollit  parlamentar të zbatimit të ligjeve dhe ofrimit të një modeli më të mirë dhe miqësor të të bërit politikë si dhe  inkurajoi Grupin e Deputetëve “Miq të Fëmijëve” të fillojnë sa më shpejt veprimtarinë e tyre, të zgjedhin  strukturat drejtuese, të organizohen në komitete, të propozojnë dhe ndërmarrin nisma të lidhura me çështjet respektive që mbulojnë në zbatim të objektivave strategjike që ka ky grupim.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU