“Dita e të zhdukurve”/ Daut Gumeni: Këta duan t’i zhdukin edhe të zhdukurit

Nga Ben Andoni

“U kërkua të ngrihej një komision për hapjen e dosjeve, por jo vetëm nuk u ngrit por është shtyrë pafund. Ishte një detyrim që krahas punës për krijimin e komisionit për hapjen e dosjeve të punohej dhe për të zhdukurit, por me sa shoh, do duhet ende kohë, sepse po të gërmosh në dokumentet e të zhdukurve, do të gjesh edhe emrat e ekzekutorëve, ata që i kanë spiunuar dhe me radhë”. Daut Gumeni, një nga emrat më të besueshëm që do të jetë pjesë e këtij komisioni, qesh dhe këtu e mbyll prononcimin për Javanews, sepse këtë përgjigje me rende të ndryshme gjymtyrësh në fjali e përmend shpesh, kur pyetet për Dosjet dhe të zhdukurit.

tempFileForShare_2016-08-30-18-14-17

Në kuadër të ditës së të zhdukurve, që është përkujtuar në Kosovë për 1666 të ndjerët, që sot e kësaj dite nuk kanë një vend prehje, Shqipëria ka qenë e mbytur në një sesion të gjatë për miratimin e të ashtuquajturit Vetting. Ofendime nga të dy palët vazhduan të shoqërojnë mbrëmjen e 30 Gushtit, ndërkohë që ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, më parë, ka kërkuar ngritjen e një komisioni ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuar për të hetuar krimet në Kosovë! Në një gjatësi të njëjta ka qenë edhe ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, mandati i të cilit ka qenë në kohën e eksodit të madh kosovar. Por, ndërsa ky apel i tyre diplomatik mund të vlerësohet në ndjeshmëritë që i shërbejnë politikave të tyre personale, askush prej dy ish-kryeministrat, por dhe nga pushtetarët në fuqi nuk është kujtuar se dita e të zhdukurve në Shqipëri ka peshë njësoj të rëndë në Shqipëri dhe madje më të hidhur. E vetmja, Gentiana Sula, ish-zëvendës/ministria e Çështjeve Sociale, që ka investuar të gjithë reputacionin e saj prej pak ditësh ka inincuar një fushatë në rrjetet sociale, për të sensibilizuar familjarët e të zhdukurve. Fushata quhet “A candle for the missing” (Një qiri/përshpirtje për të humburit) dhe me të synohet të krijohet një rrjet virtual për njerëzit e zhdukur bashkë me të dhënat e tyre. Në të njëjtën kohë, vetë Gentiana Sula ka atashuar aty foton e gjyshit të saj, i persekutuar, duke hedhur hapin e parë në një fushatë që duket se do një përpjekje titanike të gjithë komunitetit të familjarëve së të zhdukurve me këtë mungesë totale vullneti politik që ekziston. Për hipokrizinë nuk po flasim.

Për fat edhe ICMP, Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ka nisur një regjistër virtual për regjistrimin e familjarëve ku do të kërkohen veç të dhënave dhe depozitimet e analizave që do të shërbejnë për ADN-të. Kjo është e vetmja përpjekje deri më tash, dhe asgjë nga shteti shqiptar, që ashtu si kemi vërejtur dhe më parë nuk ka asnjë interes për të zhdukurit shqiptar.

Të zhdukurit

Gjatë periudhës ‘44-‘91 rreth 6.000 qytetarë shqiptarë, por edhe pak të huaj, janë ekzekutuar me apo pa gjyq dhe trupat e tyre nuk iu kthyen familjeve edhe pas kërkesave të tyre humane për varrim. Një numër jo i pakët vdiqën edhe në kampet e punës. Njerëz të ndryshëm kanë apeluar për kockat që po dalin në Spaç prej varrezës apo në  kampet e të tjera, për panjohurinë në lidhje me masën e madhe të atyre që janë zhdukur dhe më e trishta akoma: ata të shkretë që vdiqën në agim të demokracisë, duke tentuar të kalonin kufijtë. Ka një emërues të përbashkët me të gjitha qeveritë e deritanishme post ’90, që thjesht kanë folur dhe u kanë premtuar familjarëve të tyre, kurse në të vërtetë janë po kaq mijëra varre që presin një emër sipër kokës edhe sot më Gusht 2016.

Për fat të keq një pjesë e këtyre familjaret e këtyre të humburve, që janë mësuar deri më tani të dëgjojnë gjithçka por asgjë konkrete për fatin e njerëzve të tyre, falë një instinkti të pagabuar po i dalin vetë zot vetes, ndaj janë përpjekur në mënyrë individuale ose në grupe të hedhin dritë mbi fatin e familjareve të tyre të zhdukur. Për fat të keq, shumica presin. Nuk kanë mundësi, moshë, forcë dhe energji. Dhe, në të gjithë këtë kaos shtohet edhe malinjiteti i regjimit komunist, që vendvarrimet i ka maskuar dhe ndërruar shpesh, por edhe më keq akoma i ka vendosur afër lumenjve. Deri më tani, falë infrastrukturës së dobët të mjekësisë sonë ligjore identifikimi biologjik i mbetjeve mortore ka qenë i pamundur.

10-12 milionë USD sa llogaritet i gjithë procesi për gjetjen e të zhdukurve nuk është kaq i lehtë për t’u administruar nga qeveria shqiptare. Ndërkohë që në mars 2015, qeveria shqiptare ftoi Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP për të përmbushur premtimin e saj për gjetjen e varreve të të pushkatuarve gjatë komunizmit. Në dhjetor, të një viti e gjysëm më parë, u prezantua një udhërrëfyes i procesit kompleks, i cili zë fill me projektin pilot për identifikimin e 56 viktimave në Dajt dhe 86 të zhdukurve të tjerë në Ballsh.

Projekti pilot-i shoqëruar me faturën e llogaritur në 950 mijë euro do të sillte angazhimin e menjëhershëm të ICMP dhe do të shërbente si histori suksesi për të ngjallur shpresën e familjarëve, përfshirjen e organeve shtetërore dhe nxitjen e donatorëve të mundshëm. Por procesi po ndjek ritmin e breshkës për të mos thënë që është harruar krejt.

“Që ditën që kam marrë detyrën për të ndjekur çështjet që lidheshin me të kaluarën diktatoriale jam ndeshur me faktin që shoqëria jonë është shumë e ndarë në raport me të shkuarën,” thoshte muaj më parë Genta Sula, e vetmja Anëtare e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, miratuar nga Parlamenti shqiptar.

“Ka moskuptime e keq-informime të një shkalle të paneglizhueshme  gjë që ka pasojat e veta edhe në mungesën e njohjes dhe nivelin e empatisë  për vuajtjet e qindra-mijëra personave. Po ashtu, si ka ndasi edhe për ngjarje madhore dhe të rëndësishme historike”.

Në fakt, apeli i ditës së 30 Gushtit është më therësi sepse bëhet në një ditë kur askush nuk u kujtua realisht për ta. (Javanews)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU