Disa gjëra që nuk do të ndodhin nesër në protestë!

 

Siç ndodh rëndom, kur PD bën protestë, ka një mbingarkim të opinionit publik me pritshmëri negative dhune dhe tensioni. E kanë bërë rregullisht edhe këto katër vite në opozitë, edhe pse dhuna ka qenë simbolike. Të njëjtën gjë po bëjnë dhe për protestën e 18 shkurtit. Kanë filluar ta përgatisin si “të fortë” dhe po shkojnë drejt saj me retorikë dhune dhe paralajmërime kaosi.

Por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Disa gjëra nuk do të ndodhin kurrë.

Dhunën në protesta nuk e ka në dorë opozita, por shteti. Opozita mund të protestojë, mund të ushtrojë dhunë, mund të hyjë nëpër zyra, siç ka hyrë PD, mund të thyejë xhama, siç ka thyer PD, mund të djegë objekte, siç ka djegur PD, por asgjë nuk ndodh. Thjesht shkatërrohet një inventar fizik pasurish.

Nesër është e sigurt që nuk do të ketë vrasje. Nuk do të këputet askush në tokë para dyerve të Kryeministrisë, nuk do gjendet askush në bulevard i shtrirë pa ndjenja, nuk do bjerë dikush i vdekur nga bankina e gazetarëve, nuk do ketë asnjë të vdekur në spital.

Nuk do të ketë të shtëna me armë zjarri mbi protestuesit as kur të afrohen, as kur të largohen, as kur të shajnë apo qëllojnë policët, dhe as kur duan të hyjnë në godina. Askush nuk do t’i vrasë.

Nuk do ketë lajme të rreme nga spitali i Traumës dhe asnjë mjek nuk do jetë i detyruar të shkelë mbi betimin e tij për të mbuluar krime.

Nesër nuk do ketë skenare për vrasje “nga brenda” me çadra pistoletë, apo thika të helmuara. Protestuesit mund të jenë të qetë dhe për këtë.

Nëse shikojnë ndonjë plak të thinjur me çadër të mos kenë frikë. Edhe pse Sandri e ka gati atë montazhin që mund ta bëjë atë plakun vrasës, nuk do t’ia kërkojë njeri.

Nesër gazetarët që kanë bërë thirrje të mbështesin protestën, janë po ashtu njerëz të nderuar. Askush nuk do t’u quajë puçistë, askush nuk do t’u kërkojë tabulatet e telefonave, dhe sidomos askush nuk hap zjarr ndaj tyre, duke plagosur ndonjë. Larg qoftë, askush nuk do ta detyrojë askënd, nëse plagoset, të thotë që u rrëzova pa dashje.

Të jenë të qetë dhe të dalin pa frikë në protestë. Biles po deshën të rrijnë dhe aty ku ishte bankina e gazetarëve më 21 janar, por të bëjnë kujdes të mos shkelin mbi pllakën që përkujton Hekuran Dedën.

Nesër Presidenti nuk do akuzohet as për “horr bulevardi”, as për “puçist”, edhe pse e urren Kryeministrin. Nuk ja bën njeri këtë nder.

Kryeprokurori po ashtu të jetë i qetë. Mund të iki tek fëmija i vogël në Gjermani, se nuk ka ngjarje për të. Edhe pse është shumë i mërzitur me qeverinë dhe reformën në drejtësi, askush nuk do t’i thotë “lavire bulevardi”.

Nesër nuk do të ketë skenar “A”, dhe pastaj skenar “B” për protestën. Qeveria nuk do t’i fshijë serverat e kamerave të sigurisë, edhe pse aty mund të filmohen njerëz duke sulmuar Kryeministrinë apo duke shkatërruar. Mos u shqetësoni për këtë.

Nesër Garda është e qetë dhe nuk ka nevojë të dalë Komandanti me sy të nxirrë, për t’u dhënë zemër gardistëve të qëllojnë mbi njerëz, duke qëlluar vetë i pari. Nesër do të jetë një protestë e zakonshme e PD, siç i ka PD protestat, që nga ato me antitanke, e deri tek ato paqësoret. Nuk jam në gjendje të them çfarë ka vendosur të bëjë nesër, por zakonisht kurrë nuk e ka pasur as PD të qartë.

Jam i sigurtë që këto gjëra nuk do të ndodhin nesër. Arsyeja është e thjeshtë. Portat janë ndërruar dhe ai që vriste dhe bënte ato gjëra, nesër do jetë në shesh. Nuk vret dot, nuk manipulon dot, nuk mbulon dot krimet. Pjesa tjetër është një katër orësh i harxhuar kot për të shpëtuar familjen e tij nga frika e drejtësisë.

Por pavarësisht kësaj, është mirë mos t’i dekurajojmë qytetarët. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është t’u themi se çfarë nuk do të ndodhë, edhe pse Berisha është në mes të turmës. Janë të frikësuar se këto gjëra ndodhin kur është diku afër Berisha. Nesër është vërtet afër tyre, por jo në pushtet, por në rrugë si ata. Dhe atje ka për të vdekur! Por jo nesër!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU