Dibra si Skrapari!

Nga Ilva Tare

Rezultati i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër është sa surprizues për socialistët, aq edhe zhgënjyes për opozitën kryesore në vend. Pavarësisht retorikës politike dhe euforisë në takimet elektorale të servirura nga zyrat e shtypit të partive politike, shumica e analistëve parashikuan një votë të ekuilibruar dhe disa prej tyre madje mezi prisnin të festonin triumfin e Partisë Demokratike, si një rrjedhë logjike e një procesi të zhvilluar pas një viti qeverisje lokale të dobët dhe një skandali seksual.

Me votimet e 11 shtatorit dështuan ata analistë dhe një pjesë e opinionit publik, që e shihnin pothuajse të sigurtë rimarrjen e Dibrës nga e djathta, por dështimi më i madh është i Kreut të Partisë Demokratike dhe ekipit të tij të ngushtë, që nuk arritën të mobilizonin votën dhe as frymën e shpresën për fitore të kandidatit të katapultuar nga salla e Kuvendit.  

Kur u numëruan pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, rezultati ishte rreth 3500 vota avantazh për doktorin Rama, ose Rrema siç e thërrasin dibranët, të cilët ja dolën të bashkonin në një togfjalësh si doktorin edhe Ramën e Tiranës elitare. Cdo tentativë për vetëmbrojtje politike e përdorur nga opozita për blerje vote masive është e pajustifikuar dhe me gjasë dëmtuese për demokratët, që shpresojnë se partia e tyre mund të arrinte fitore në zgjedhjet e afërta parlamentare, pas humbjeve të njëpasnjëshme.

Edhe aleancat e opozitës të deklaruara dhe të nënkuptuara si një test edhe për betejën e radhës elektorale, duhen analizuar si një ndëshkim i popullit të konsideruar të mencur dibran, që edhe një herë provoi se pavarësisht defekteve të shumta të qeverisje, zgjedhin të votojnë për bashkëqytetarin që do t’i qeverisë, në vend të të ardhurve nga Tirana për disa ditë fushatë në një terren partiak të minuar.

Hyrja e PD në zgjedhje pa kryetar të degës në Dibër ka qenë një tjetër element ndëshkues që I ka dhënë të drejtë zërave të përcarjes lokale dhe mosmiratimit të një kandidati të imponuar nga Tirana. Pafuqia për të zgjedhur strukturat drejtuese jo vetëm në Dibër, por dhe në disa zona të tjera të rëndësishme të Shqipërisë është një pësim spektakolar që meriton një analizë të kthjellët dhe përulës.

Në mungesë të frymës dhe shpresës që duhet të ngjallë një parti politike, mund të akuzohet politikisht gjithë ditën dhe natën për blerje të votës, por cilido gjeni i shifrave në kampin e majtë apo të djathtë duhet ta pranojë pamundësinë e shitjes së votës në këto përmasa. Dhe nëse ka ndodhur një fenomen i tillë, që do të ishte turpërues dhe i ndëshkueshëm edhe nga sistemi i mbetur në këmbë i drejtësisë në pritje të ngritjes së të riut, sërish përgjegjësia bie mbi strukturat partiake, që kanë qënë jo funksionale dhe të paralizuara nga mosfunksionimi i demokracisë pjesëmarrëse.

Për një demokraci të shëndetshme jeta politike edhe e një vendi me tranzicion të stërzgjatur si ky yni, duhet të ketë shumicë dhe opozitë të shëndetshme. Ndaj lajmi është më i rëndë kur vota lexohet si humbje e opozitës sesa fitore e maxhorancës, siç është rasti i Dibrës së kthyer në “Skrapar” për nga mbështetja plebishitare ndaj së majtës.  

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU