Diaspora dhe Diplomacia Kulturore

Nga Dr. Luan Zyka

Në kohën e sotme të globalizmit, të komunikimit të lirë të kapitaleve, të mallrave, të njerëzve, të ideve dhe kulturës, një rëndësi të veçantë po paraqet ushtrimi i politikës së jashtme me mjete dhe metoda të fuqisë së butë “soft power”, si diplomacia publike me përbërsit e saj, përkundrejt fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake, përndryshe të quajtur “hard power”

Eshtë kuptimplotë rikonceptimi i përdorimit të “soft power” nga fuqitë e mëdha, sa edhe Hillari Klinton në një fjalim në Kongresin amerikan më 2013 përdori dhe zbërtheu konceptin e “soft power”, i cili përbënte boshtin strategjk të politikës së jashtme të Obamës.

“Soft power” është forcë tërheqëse, e cila harmonizohet me idealet dhe praktikat e përditshme të botës demokratike, përkundrejt “hard power”, e cila përbën ushtrim force me mënyrat e saj të demonstrimit, dhe me pasojat tashmë të njohura në historinë e përgjakshme botërore.

Diplomacia Kulturore përbën një formë të zhvillimit të marrëdhënive ndërkombëtare ku vendet dhe popujt njohin vlerat, zakonet, artin, mënyrën e jetesës së popujve të tjerë, me synim forcimin e një klime të mirkuptimit dhe besimit të ndërsjellte midis vendeve.

Diplomacia Kulturore përdor vlerat kulturore të një vendi në komunikim me vendet e tjera, me synim njohjen dhe përmirsimin e  imazhit të tij, me rezultat përfundimtar rritjen e ndikimit të tij në arenën ndërkombëtare.

Zanafillat e Diplomacisë Kultuore

Qysh në kohët e lashta, njihet përdorimi i mjeteve kulturore per qëllime të politikës së jashtme, nga persët, Aleksandri i madh etj.

Në Romën e lashtë, një qytetar që të merrte nënshtetësinë romake duhet të njihte gjuhën dhe letërsinë latine. Ne Bizant (ku për herë të parë në histori kemi ministri të jashme), përdorej fuqia dhe rrezatimi besimtar i fesë së krishterë ndaj popujve të huaj për ti kthyer ata në të krishterë, duke i bërë më pak të rrezikshëm për perandorinë 1000 vjeçare bizantine.

Në Francën e shek. 17 diplomacia kulturore u mishërua si bosht i politikës së jashtme të  kolonizatorëve franceze, kryesisht nëpërmjet përhapjes se gjuhës dhe kulturës franceze.

Në kohën e sotme, pothuajse në të gjitha vendet, diplomacia kulturore përbën një nga boshtet strategjike të politikës së tyre ndërkombëtare.

Fullbright e konsideron diplomacinë kulturore si përmasën e katërt të politikës së jashtme kryesisht me anë të komunikimit dhe promovimit efikas të vlerave kulturore të një vendi.

Por ka edhe një këndvështrim konservator ndaj përdorimit politik të kulturës, sidomos nga krahu konservator apo ai i RealPolitik, të cilët e konsiderojnë kulturën si rrezik potencial per sistemin e tyre të sigurisë. Një konceptim i tillë mbizotëronte edhe në politikën shqiptare të sistemit totalitar. Atëhere ndikimi i kulturës dhe ideologjisë së huaj, konsiderohej si agresion kulturor dhe si pararendës i agresionit ushtarak ndaj vendit socialist. Bile kjo përqasje ndihet edhe tek filmi “Gjeneral Gramafoni”.

Në praktikën politike shqiptare, kultura ka luajtur rol vendimtar në fazat me kritike të kombit dhe shtetit shqiptar (shih “C’kemi nga Shqipëria, babi ?” Luan Zyka, Botimet “Dituria”, 2006). Besojmë se ka ardhur koha që një rol të tillë, kultura mund të luaj edhe tani me hartimin e një strategjie dhe program veprimi të Diplomacisë Kulturore.

Diplomacia Kulturore sot në botë dhe në Shqipëri

Vendet e fuqishme ekonomike e  ushtrojnë diplomacinë kulturore nëpërmjet strukturave të ndryshme, instituteve, fondacioneve dhe programeve si British Counsil, Instituti Goethe, Instituti Francez, Instituti Italian i Kulturës, Instituti Servantes, Instituti “Pushkin”, programi  KulturKontak i Austrisë, Fondacioni kulturor iranian “Saadi Shirazi”  etj.  Shumë prej tyre veprojnë edhe në Shqipëri. Shtete të tjera si Turqia kanë shprehur së fundmi interes për ringjalljen e kulturës otomane në Ballkan (strategjia Davutogllu).

Tajtimi i kulturës përbën një bosht thelbësor edhe në politikat dhe veprimtarinë e organizmave të mëdha ndërkombëtare si UNESCO (the fruitful diversity of cultures), Bashkimi Europian, Këshilli i Europës etj.

Deri sot, në hulumtimet botërore janë të pakta dhe të zbehta studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare kulturore, për arsye se qeveritë, institucionet dhe studjuesit nuk e kanë të lehtë të gjejnë fushë për zbatimin e studimeve të tyre, as edhe të masin rezultatet e ushtrimit të politikave përkatëse. Për qendrat politike të vendimmarrjes, dhe kryesisht për partitë që janë në pushtet për pak vite, hartimi  diplomacisë kulturore është i vështirë dhe “pa frut”, sepse rezultatet e saj nuk janë afatshkurtëra, por afatgjata, dhe pa përfitim në rritjen e numurit të votuesve tyre.

Edhe pse marrëdhëniet kulturore përbëjnë një pjesë të vogël të diplomacisë, nga ana tjetër politika e jashtme zhvillohet mbi shtratin dhe klimën e kulturës së vendeve përkatëse. Diplomacinë e bëjnë njerëzit dhe, që ata të komunikojnë midis tyre, së pari duhet të njohin kulturën e njeri tjetrit, gjuhën, zakonet, besimin fetar, artet etj.

Pra, për të ushtruar me rezultat Diplomacinë Kulturore, duhet diplomaci efikase dhe kulturë me vlera të larta.

Diplomacia Kulturore përbën tagër të shtetit, ndërsa marrdhëniet kulturore ndërmjet  aktorëve kulturore të vendeve të ndryshme, mund të zhvillohen ose nga shoqëria civile ose edhe nga shteti.

Në Shqipëri vërejme se, edhe pse promovimi i kulturës kombëtare dhe mbeshtetja kulturore e shqiptarëve jashtë vendit përbën detyrim kushtetues, deri sot në programet e qeverive nuk kemi asnjë strategji apo zbatim praktik të këtij deyrimi.

Në ministritë e lidhura direkt me kulturën dhe diplomacinë, atë të Jashtme, të Kulturës dhe Arsimit, nuk ka në organikën e tyre, strukturë të posaçme dhe të specializur për Diplomacinë Kulturore. Nuk e dimë, se sa buxhet kanë këto ministri për Diplomacinë Kulturore, përkatësisht për arsmin në diasporë dhe promovimin kulturor jashtë vendit (35 % e buxhetit të Min. Jashtme të Francës shkon për diplomacinë kulturore).

Në Shqipëri mungon bashkëveprimi ndërinstitucional për Diplomacinë Kulturore, dhe përfaqsitë tona diplomatike, jo vetëm që nuk kanë mundësitë njerëzore dhe financiare në organizimin e veprimtarive kulturore, por edhe nuk janë aktivë kur diaspora i promovon ato.

Shteti nuk ka të dhëna statistikore për promovimet e kulturës shqiptare në botë, sipas vendeve, sipas zhanreve kulturore etj. (Vetëm në Greqi, NGO “Pegasus” qysh prej viteve ‘90 ka promovuar këngën, vallen, librin, kulinarinë, veshjet kombëtare, shkrimtarë shqiptare etj.).

Shteti nuk ka të dhëna për grupet kulturore, artistët, kuratorët e veprimtarive kulturore në vendet e tjera. Eshtë urgjente hartimi i politikës ndhe ngritja e rrjetit shkolllor për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Gjuha shqipe është boshti dhe ADN e shqiptarëve, dhe mësimi i saj përbën detyrë shtetërore, ku vetëm shteti duhet të ketë tagrin e përgjegjësisë për mësimdhënien e gjuhës .

Shqipëria, përveçse rrugës së provuar me rezultate pozitive nga shtetet e tjera në trajtimin e kulturës në politikën e jashtme për arritjen e qëllimeve të tyre, ka këto arsye të veçanta për hartimin dhe ushtrimin e një strategjie të Diplomacisë Kulturore:

Përmirsimi urgjent i imazhit të saj të shtrembëruar dhe të zbehtë në botë, mungesës së “brand name Albania”, sidomos në vendet e vendimarrjes së politikës botërore dhe në vendet fqinje.

Vlerësimi dhe angazhimi i diasporës së madhe etnokulturore shqiptare me synim mbajtjen gjallë të lidhjes së tyre me mëmëdheun, forcimin e klimës pozitive ndaj vendit tonë, ngritjen e urave të bashkëpunimit me vendet ku ata jetojnë.

Shqipëria përbën një rast të rrallë dhe unik i bashkjetesës fetare historikisht, dhe duhet ta shfrytëzojë këtë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për ngritjen e qendrave të dialogut fetar (Inter – faith Dialogue). Eshtë rast i parë në historinë tonë shtetërore ku identiteti ynë kulturoro-kombëtar  mund të përbëjë edhe një rast unikal dhe me vlerë në mozaikun e kulturës botërore.

Diplomaci Kulturore me kulturë diplomatike

Jo cdo shprehje kulturore kombëtare është e pranueshme nga popujt e tjerë. Mjaft folklor shqiptar, si edhe ai ballkanik, karakterizohet nga një nacionalizëm populist i krijuar në periudha të caktuara kohore. Kjo shprehje kulturore mund të jetë efektive  për shfrytëzim të brendshëm por është e dëmshme për diplomacinë kulturore. (Në një koncert në Selanik me artistë shqiptarë, ne hoqëm nga programi 2-3 këngë, sepse ato do shkaktonin efektin e kundërt me qëllimin e koncertit para auditorit të huaj).

Përrfshirja e “artit” të imituar dhe kitch para auditorit të huaj, nuk përbën shprehje të individualitetit kulturor kombëtar. Dhe si e tillë saboton qëllimin dhe frymën e Diplomacisë Kulturore.

Mjete të Diplomacisë Kulturore mund të përbëjnë vetëm ato shprehje kulturore të cilat janë autentike dhe unike, të cilat mund të sjellin vlera të  veçanta në kulturën boterore.

Ide dhe propozime

Në fazën historike të Shqipërisë, Diplomacia Kulturore mund të synojë:

Në promovimin e vlerave kulturore dhe arritjeve të vendit si edhe në përmirsimin e imazhit të Shqipërisë, sidomos ndaj stereotipeve të krijuara jashtë për shqiptarin dhe Shqipërinë.

Në shkëmbimin e shprehjeve dhe vlerave kulturore me vendet e tjera, duke forcuar njohjen e ndërsjelltë, mirkuptimin dhe bashkëjetesën paqësore me popujt e tjerë.

Në tërheqjen e vëmendjes ndaj vlerave tona të veçanta dhe unike kulturore, si bashkëjetesa fetare, duke e kthyer vendin në një qendër studimore ndërkombëtare në fushën e minuar të bashkëjetesës fetare.

Në kujdesin dhe lidhjen e vazhdueshme kulturoro-gjuhësore me diasporën e madhe shqiptare.

Në promovimin e resurseve turistike dhe rritjen e interest turistik për Shqipërinë

Për arritjen e këtyre synimeve nevojiten:

Hartimi i strategjisë së Diplomacisë Kulturore

Ngritja e strukturave në administratën shtetërore dhe jashtë saj në bashkëpunim me shoqërinë civile në vend dhe diasporë.

Përgatitja e personelit të specializuar.

Koordinimi i gjithë veprimtarive në nivel shtetëror nga Ministria e Europës dhe e Jashmte  në bashkëpunim me Minsitritë e Diasporës, të Arsimit dhe të Kulturës.

Buxhet përkatës dhe i veçantë.

Kontrolli i buxhetit nga keqadministrimi i tij.

Si hap të parë konsideroj hartimin e një programi pune për mbajtjen e një simpoziumi për Diplomacinë Kulturore me pjesmarrjen e personaliteteve nga vendi dhe diaspora që zhvillojnë promovimin e kulturës shqiptare, si edhe gjithë aktorëve të tjerë nga kultura dhe arsimi shqiptar.  Synim i simpoziumit do të jetë rrahja e mendimeve dhe eksperiencave me ide dhe propozime për hartimin e një strategjie kombëtare të Diplomacisë Kulturore.

Si strukurë të parë dhe efikase do të propozoja:

Meqenëse Shqipëria në këtë fazë nuk i ka mundësitë financiare për ngritjen e nje instituti te diplomacisë kulturore,me rrjet në shumë vende të botës, duhet të ngrejë një strukturë praktike, vendimarrese dhe rezultative.

Froma më efikase është ngritja e një bordi Ad Hoc me personalitete meaxhuese të vendit dhe diasporës, me buxhet te përcaktuar dhe me llogaridhënie para parlamentit.

Bordi Ad Hoc nuk do ketë struktura teknokrate dhe të kushtueshme, por do të punoj në bazë të programit të përpunuar nga ai dhe të miratuar nga Ministria e Jashtme, e Diasporës, e Kulturës dhe e Arsimit.

Në vendet e tjera do të shfrytëzohen kryesisht potencialet e diasporës me persona që kanë ndërmarrë promovimin e kulturës shqiptare, me kredibilitet dhe patriotizëm të sprovuar duke ngritur me ta një “cultural cluster”.

Burimet e financimit do të sigurohen nga buxheti shtetëror, nga programet e organizmave ndërkombëtare, UNESCO, Këshilli i Europës, nga programet kulturore të vendeve të tjera, nga sektori privat, nga donacionet etj., por në çdo rast në transparencë të plotë.

Ka ardhur koha që, shqiptarët dhe faktori shqiptar të dalin në skenën kulturore botërore, pa komplekse inferioriteti, por edhe pa butafori folklorike. Thelbi i suksesit është të jemi vetvetja, duke qëmtuar dhe perfeksionuar çdë shprehje të arritur kulturore të krijuar dhe  ngjizur në etapat e ndryshme të historisë sonë, pa komplekse dhe ideologjizma.  Fuqia tërheqëse e kulturës i përngjan fuqisë tërheqëse të gravitacionit, por ndryshe nga gravitacioni që tërheq gjithshka, kultura tërheq dhe nxjerr në sipërfaqe vetëm vlera pozitive.

Rasti i kombëtares sonë të  futbollit në paraqitjen e Kampionatit Europian të 2016, përbën dëshminë më të plotë të rolit dhe fuqisë së kulturës.  Shpirti praktik i De Biazit në përzgjedhjen e lojtarëve, kryesisht nga diaspora, përkushtimi i lojtarëve për flamurin e kombit të tyre, sjellja shembullore e mijrave shqiptarëve, kryesisht diaspora, që mbushën rrugët e dhe stadiumet e Francës me këngë e valle, pa asnjë incident tifozllëku, ishin tregues të nivelit të lartë të kulturës kolektive shqiptare.

Ish – Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, 2002 – 2004.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU