Dhuna nuk mund të jetë kënga e fitores

Nga Ilir Yzeiri

Mund të ketë një mijë e një arsye për të protestuar, mund të përshkallëzohet një protestë e ligjshme edhe me bllokimin e rrugëve apo mjediseve publike, por sa herë që përdoret dhuna, sa herë që mbi pronën publike ose atë private derdhet jo zemërimi publik, por inati që u ka errur sytë disa militantëve naivë të një kauze të vdekur politike, në këtë rast gjithmonë e më shumë bindemi të gjithë se opozita shqiptare që ka marrë mikrofonin dhe po këndon me zërin e saj të çjerrë këngën e fitores, jo vetëm që është jashtë çdo realiteti, por po na bind gjithnjë e më shumë se ky vend përfundimisht po mbetet pa opozitë.

E vlerësoj qëndrimin e vajzës së Azem Hajdarit, deputetes Rudina Hajdari që distancohet nga dhuna, por nuk arrij të kuptoj se si ata që e mbajnë veten si liderë të opozitës lëshojnë klithma histerike dhe japin mesazhe për nxitjen e luftës dhe gati mesazhe për konfrontim të armatosur. Berisha është një i lajthitur dhe atë nuk e merr seriozisht askush në këtë vend, por tani është koha që, si një vend që kemi kaluar tragjedi të llahtarshme si ajo e vitit 1997, opinioni publik të paktën duhet të jetë i rezervuar dhe më i kujdesshëm me përkrahjen apo nxitjen e dhunës.

Demokracia është një sistem politik i vështirë dhe nëse duam ta bëjmë këtë vend të jetueshëm për të gjithë, jemi të dënuar që të respektojmë bashkëjetesën paqësore dhe dialogun. Përdorimi i retorikës së luftës në një vend që ka vuajtur dhe vuan ende pasojat e përplasjes civile si ajo në vitin 1997, është një krim dhe i papranueshëm. Në Shqipëri po krijohet një klimë e rëndë kundër investitorëve dhe atyre shqiptarëve që kanë krujuar kompani të mëdha dhe kanë spikatur si biznesmenë të fuqishëm. Herë pas here ata vizatohen si oligarkë apo si të lidhur me të gjitha pushtetet për përfitime vetjake. Personalisht, në gjithë këta vjet si gazetar, në asnjë rast nuk kam shkruar qoftë edhe një rresht kundër sipërmarrësve publikë shqiptarë. Madje edhe në një rast kur kam folur për TV Klan dhe për Aleksandër Fragajn, kam thënë se e çmoj shpirtin dhe talentin e tij si sipërmarrës sepse ai paguan rrogën për të paktën 400 familje në muaj, megjithëse në një rast Frangaj ka urdhëruar që të hiqet nga transmetimi një emision ku unë isha i ftuar. Vazhdoj të jem i bindur se ne jemi dënuar që ekonominë ta zhvillojmë përmes sipërmarrësve privatë.

Shefqet Kastrati që sot së bashku me konsorciumin që përfaqëson u dëmtua nga protestuesit në Kukës, ka të punësuar 3000 deri në katër mijë familje. Po ashtu dhe shumë të tjerë. Në çdo vend të botës sipërmarrësit janë pasuria e një vendi dhe çdo shtet normal harton politika që ta lehtësojë barren fiskale të tyre sepse ata e mbajnë gjallë ekonominë dhe ata punësojnë njerëz. Ndërkohë, të gjitha qeveritë që kanë kaluar në këtë vend gjatë këtyre viteve tranzicion, më shumë e kanë mbytyr beiznesin sesa e kanë ndihmuar.

Por, nëse politikat e zhvillimit ekonomik të një vendi nuk janë progresive, nëse një vend mbytet nga betoni, ky nuk është faji i sipërmarrësve, ky është faji ynë që zgjedhim një herë në katër vjet ata njerëz që nuk respektojnë ambientin, që nuk hartojnë politika zhvillimi që ta bëjnë këtë vend të jetueshëm. Sipërmarrësit nuk kanë faj. Kulmi i gjithë kësaj idotësie që u vu re sot është ekzaltimi i Berishës dhe i opozitës që e mabn veten të djathtë. Kulti i së djathtës në gjithë botën është prona private. Si mund të jetë i djathtë Berisha që frymëzon çetnikët e tij që të djegin pronën e një privati ? Dëshpërimi i opozitës në tërësi dhe i atyre që e urrejnë Edi Ramën nuk mund të zgjidhet duke djegur pronën e Shefqet Kastratit.

Ngjarja e sotme në Kukës duhet të bëhet një shembull për të gjithë dhe nëse drejtësia ekziston, ata që dëmtuan atë pronë duhet ta zhdëmtojnë materialisht. Ndërsa ngëzëllimi i Berishës i Lulit apo i Monikës se kështu do ta mundin Edi Ramën, jo vetëm që të bën për të qeshur, por edhe të trishton gjithashtu, sepse kështu po bindemi gjithnjë e më shumë që socialsitët do të rrinë gjatë në pushtet.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU