Detajet/ Udhëtimi i Agron Xhafajt drejt Italisë për t’u vetëdorëzuar tek italianët

 

EKSKLUZIVE/ Udhëtarë të shumtë që udhëtonin sot në mëngjes herët në orën 5.25 drejt Romës me avionin Alitalia të linjës, e kanë vënë re vetëm në mbërritje se në bord bashkë me ta ndodhej edhe një “person i veçantë”. Për të cilin prej 48 orësh debaton e gjithë skena politike e mediatike shqiptare.

Fjala ishte për Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafajt, i cili teksa vinte këmbën në avion, kishte shpërndarë për mediat një deklaratë ku shpjegonte arsyet e vetëdorëzimit pranë autoriteteve italiane. Udhëtarë të pranishëm në udhëtimin Tiranë-Romë thonë për Javanews se prezencën e Agron Xhafajt e kanë kuptuar pasi kanë vënë këmbën në tokën italiane, pasi gjatë udhëtimit atë nuk e ka njohur askush.

E vetmja gjë që u ka bërë përshtypje sapo kanë zbritur, ka qenë kontrolli i pasaportave pasi avioni ka parkuar në fushë të hapur dhe njerëzit kanë nisur të zbresin drejt autobusit që të çon në terminal. Megjithatë sipas dëshmive të udhëtarëve, nuk kishte ndonjë prani të dukshme policie dhe as mjete të shtuara rreth avionit. Udhëtarët shpjegojnë se bashkë me Agron Xhafajn duhet të ketë qenë edhe avokati i tij, përshkrimi i të cilit korespondon me emrin e njërit prej avokatëve më të njohur në Tiranë.

Agron Xhafaj ka dalë i fundit nga avioni, sipas udhëtarëve, nga dera e përparme. Sapo ka zbritur e kanë pritur dy policë vendas, të cilët e kanë shoqëruar në një makinë të ulët policie që priste aty afër. Dëshmitë thonë se avokati ka vijuar rrugën drejt autobusit, duke mos u futur në makinë me klientin e tij. Kaq ka qenë e mundur të shihet nga udhëtarët e zakonshëm të fluturimit Tiranë-Romë. Më tej fati i Agron Xhafajt është një temë që i takon procedurave penale të shtetit fqinj dhe mjeteve të informacionit të të dy vendeve, njofton Javanews.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU