Detajet e vrasjes në Sarandë, viktima Bardhi shoi për tu mjekuar por ndërroi jetë në shtëpi

Prokuroria e Sarandës vijon hetimet intensive për vrasjen misterioze të 47-vjeçarit Aleksandër Bardhi. Ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë në fshatin Shëndëlli. Ndërkohë që paraditen e sotme, pritet të jepet masa e sigurisë për 15-vjeçarin Gj.A. dhe 29-vjeçarin Fernando allias Florin Deda, të cilët dyshohen të jenë autorë të ekzekutimit të babait të dy fëmijëve. Paraprakisht mësohet se prokurori i çështjes ka përpiluar akuzën dhe do të kërkojë masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy personave të arrestuar për veprat penale: “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Nga hetimet e deritanishme, akuza mbetet në kuadrin e dyshimeve të forta, pasi pritet rezultati i ekspertizës së armës tip “Kallashnikov”, që u gjet e groposur pranë banesës së 15-vjeçarit. Nga ana tjetër, ky i fundit si dhe 29-vjeçari Deda vazhdojnë të mbajnë qëndrim të fortë mohues ndaj akuzës. Burime pranë organit të akuzës dje bënë me dije se nisur nga gjurmët e gjakut të gjetura në vendngjarje, rezulton se viktima Aleksandër Bardhi pasi është qëlluar me armë, ka shkuar me këmbë në banesën e vet për t’u mjekuar dhe aty dyshohet të ketë humbur ndjenjat dhe të ketë ndërruar jetë.

Më pas ka qenë djali i xhaxhait, ai që e ka transportuar 47-vjeçarin drejt urgjencës së spitalit “Stefan Mekshi” të Sarandës, ku ka mbërritur i vdekur. Prokuroria cilëson si dëshmitare kyçe, gruan e viktimës, e cila pritet të japë shpjegime për atë çka ka mësuar nga bashkëshorti i saj kur ai ka shkuar për t’u mjekuar në banesë. Megjithatë, deri tani grupi hetimor nuk ka mundur ta marrë në pyetje atë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike./BW/a.m.

aleksander-bardhi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU