Komisioni Shtetëror për organizimin e veprimtarive, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka miratuar logon kombëtare e cila paraqitet si një yll me 36 rreze, prej të cilave 6 janë rreze kulmore, me ngjyre të kuqe, me shqiponjën dykrenore të stemës heraldike të Kastriotëve me ngjyrë të zezë në qendër, brendashkruar diçiturës “VITI MBARËKOMBËTAR I GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT-2018”, me shkronja kapitale, sipas modelit nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Logo shpaloset edhe në dy variante të tjera për t’ju përputhur qëllimeve sociale për të cilat mund të përdoret (modeli nr. 2 dhe nr. 3)
Referuar vendimit logoja kombëtare e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut” përdoret në:
– Dekretet e Presidentit të Republikës
– Vendimet e Kuvendit të Shqipërisë
– Aktet e Këshillit të Ministrave
– Urdhrat dhe udhëzimet e Kryeministrit
– Urdhrat dhe udhëzimet e ministrave
– Urdhrat dhe udhëzimet e titullarëve të institucioneve në varësi të Kryeministrit dhe ministrave;
– Urdhrat dhe udhëzimet e titullarëve të institucioneve në varësi të Kuvendit;
– Vendimet e institucioneve të qeverisjes vendore;
– Urdhrat dhe udhëzimet e titullarëve tëinstitucioneve të qeverisjes vendore;
– Urdhrat dhe udhëzimet e rektoratit të universiteteve;
– Dokumentet e krijuara nga autoritetet publike;
– Veprimtaritë e organizative jofitimprurëse, kur ato zhvillohen në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Po ashtu, vendimi përcakton se veprimtaritë, shfaqjet vizuale dhe botimet e ndërmarra nga ente private për qëllime fitimprurëse, nuk mund të përdorin logon veçse rast pas rasti, pas miratimit paraprak nga Komisioni Shtetëror të një kërkese të justifikuar nga objektivi i këtyre veprimtarive, në përputhje me qëllimet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
“Uzurpimi apo përdorimi abuziv i logos ndëshkohen sipas ligjeve përkatëse në fuqi” përcaktohet në vendim.
Logoja do të përdoret në posterat dhe ftesat e veprimtarive të rëndësishme shtetërore dhe ndërshtetërore, që do të zhvillohen në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.
Po ashtu, vendimi parashikon se logoja nuk zëvendëson në asnjë rast stemën e Republikës, por përdoret së bashku me të.
Logoja, ashtu si dhe stema e Republikës, do të vendoset në të gjitha aktet zyrtare të sipërpërmendura gjatë gjithë vitit 2018.
SCAN /b.d