‘Deri nesër në darkë dua 11 mijë euro për drogën’, zbulohen sms-të që fundosen policin gjobëvënës

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje një dënim me 2 vjet e 6 muaj burg për një ish-efektiv të Policisë së Tiranës, të akuzuar për “gjobëvënie”.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të dosjes në ngarkim të Emiljan Prengës, gjykuar me kohë të shkurtuar, prokurori tha se i pandehuri i ka bërë presion një personi me iniciale K. P., me qëllim marrjen prej tij të një shume prej 11 mijë eurosh.

Kjo shumë, sipas Prokurorisë, ishte e barabartë me çmimin e një sasie droge të siguruar nga i pandehuri me qëllim shitjen në Itali nga ana e K. P. Prokurori theksoi se i pandehuri ka konsumuar elementët e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënien e pasurisë” dhe se ai ka mbajtur qëndrim mohues për veprën.

Procedimi penal ndaj ish-policit Prenga ka nisur pas kallëzimit të K. P. Ky i fundit ka pohuar se pasi është njohur me Prengën, i ka përcjellë atij kërkesën e një të njohuri në Itali, i cili donte një sasi prej 50 kg kanabis nga Shqipëria.

Sipas kallëzimit, Prenga ka siguruar 30 kg, të cilën ia ka dorëzuar një shoferi në Durrës, i cili do ta çonte në Itali. Sipas Prokurorisë, ky person ka mbajtur vetëm 20 kg. I pandehuri e ka siguruar se droga ishte me 550 euro/kg, pasi ishte cilësi e parë nga fshatra të Krujës.

Disa ditë më vonë, për shkak se droga nuk ishte dërguar në Itali dhe shoferi e kishte gënjyer disa herë, i pandehuri ka shkuar në Durrës ku e ka rrahur atë. Ai i ka marrë 20 kilogramët e drogës dhe ia ka çuar në shtëpi kallëzuesit K. P., ku ai bashkëjetonte me një vajzë.

Kjo e fundit ka marrë kallëzuesin në telefon, ku i ka thënë se Emiljan Prenga kishte çuar në shtëpi një kuti që mbante erë të keqe. Më tej, i pandehuri i ka dërguar disa SMS kallëzuesit, ku i kërkonte t’i jepte sasinë e 11 mijë eurove.

MESAZHET 

“Deri nesër në darkë ke kohë” dhe “Sot do paguhen lekët” ishin dy nga SMS-të e lexuara nga prokurori në pretencë. Sipas Prokurorisë, nga SMS-të dhe bisedat ambientale të përgjuara del qartë se i pandehuri Prenga i kërkonte kallëzuesit 11 mijë euro, duke përdorur presion psikologjik.

a.ç

 

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU