Der Spiegel paralajmëron: Ballkani, në rrezik nga xhihadistët e kthyer nga Siria

Revista gjermane Der Spiegel paralajmëron se Ballkani është shumë i rrezikuar nga luftëtarët e ISIS-it të kthyer nga Siria.

Revista me autoritet përshkruan rastin më të fundit që ka ndodhur në Kosovë, ku janë arrestuar katër persona të armatosur, afër manastirit të Deçanit. Njëri prej tyre, sipas të përjavshmes së Hamburgut, ka qenë luftëtar në Siri.

“Nuk është hera e parë që Kosova arreston xhihadistë të armatosur. Në qershorin e shkuar, Policia e Kosovës kishte parandaluar një sulm helmues në liqenin që furnizon me ujë kryeqytetin kosovar, Prishtinën“, shkruan Spiegel.

Revista flet edhe për ekzistencën e kampeve të stërvitjes në Ballkan.

“Kosova është vendi më i prekur nga ky fenomen në Ballkan. Nga 700 luftëtarë të ISIS-it nga Ballkani në Siri, gjysma mendohet të jenë nga Kosova. Autoritet kosovare flasin për një numër prej 120 luftëtarësh”.

Kosova nuk është shteti i vetëm ballkanik, pasi janë edhe të tjerët që kanë pjesëmarrës në luftën civile në Siri.

“Rreziku ekziston, sidomos nga luftëtarët që janë duke u kthyer nga Siria”, thotë analisti politik Naim Rashiti.

Edhe ekspertë të sigurisë në Europë kanë paralajmëruar rrezikun e sulmeve të xhihadistëve në Europën Jugore, sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Europol ka përpiluar një analizë në janar për strategjinë e ISIS-it, ku flitet për kampe stërvitjeje në Europë dhe Ballkan. “Në programin e tyre përfshihen qitje, teknika vrasjeje dhe rezistenca”, shkruan Der Spiegel, duke iu referuar analizës së Europolit.

Më tej revista vazhdon se ISIS është i interesuar që shtetet e Ballkanit t’i shfrytëzojë si vende stërvitjeje dhe për kalimin e xhihadistëve europianë në Siri.

Si shkak i rritjes së rrezikut shihet izolimi dhe ekonomia e dobët.

“Shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor po e injorojnë problemin e armëve ilegale që janë në qarkullim”, thotë Rashiti.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU