Deputetja e PS-së, Ferhati: Opozita po bën lojë të rrezikshme për pushtet

Edhe deputetja e PS-se mendon se PD eshte futur ne udhe te rrezikshme.

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati është shprehur se vendimi i opozitës për djegien e mandateve është më shumë një lojë për të fituar pushtet më lehtë seç janë mekanizmat demokratikë.

Gjatë një interviste televizive dhënë mbrëmjen e sotme, deputetja sqaroi se ky vendim është i pamaturuar politikisht dhe përbën rrezik, pasi problematikat e qytetarëve do të mbeten të paadresuara.

“Është një post i cili është i qytetarëve dhe vendime të tilla, përveçse në gjykimin tim, janë të pamaturuara politikisht, dhe janë të rrezikshme për vetë ata që vendosin të japin dorëheqje nga mandati. Kjo është një çështje e atyre që vendosin dhe ne nuk mund të mbushim mendjen dikujt që do të vrasë veten. Ama nga ana tjetër janë të rrezikshme, sepse interesi i publikut do të ngelet i paadresuar në nismat që ndërmerren”, – tha ajo.

Më tej, deputetja Ferhati theksoi se vendimi për djegien e mandateve, si dhe bojkoti nga ana e opozitës ka penguar Reformën Zgjedhore.

“Të gjithë flasim që dëmtohet imazhi i Shqipërisë në sytë e botës, cenohet interesi publik, por pa dhënë shembullin konkret. Mungesa e opozitës për kaq shumë kohë në Kuvend ka sjellë pengesën e Reformës Zgjedhore. A është Reforma Zgjedhore dhe kodi i ri elektoral, që po përpiqemi ta bëjmë sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, një prej atyre elementeve le të themi të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri, një parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të gjithë?

Gjithë ky bojkot i opozitës, fakt që ka ndodhur për kaq shumë muaj, ka bërë që kjo reformë ngeli në vendnumëro. Ky është një nga ato rastet që tregon që bojkoti, ajo politikë e mospjesëmarrjes, apo po të shkojmë më tej, një opozitë jokonstruktive që përdor skenare trazirash e kaosi, janë të gjitha çështje që pengojnë reformat e vendit. Jo vetëm i prishin punë subjektit politik, jo vetëm prishin imazhin, por pengojnë reformat që e çojnë vendin përpara që nuk bëhen dot vetëm me një forcë politike”, – u shpreh Ferhati.

Sipas saj, vendimi i opozitës për djegie mandatesh është më shumë një lojë për të fituar pushtet më lehtë seç janë mekanizmat demokratikë, sesa për të ushqyer më të mirën për interesin publik.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU