Të paktën një deputet i LDK’së e ka ndryshuar deri më tash qëndrimin për të votuar demarkacionin me Malin e Zi. Është Fatmir Rexhepi nga Gjilani. Ndërkohë, deputeti tjetër që vazhdon të kundërshtojë shënimin e vijës kufitare me malazezët thotë se ka presion edhe prej vendorëve dhe ndërkombëtarëve për votimin e demarkacionit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar Marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij kundër.
“Për versionin çfarë është dhe nëse nuk ka kompromis që të rishqyrtohet kjo çështje, qëndrimi im mbetet i pandryshuar. E nëse ka vullnet për t’u rishqyrtuar çështjet diskutabile që janë, atëherë ka mundësi për diskutime”, është shprehur Bulliqi.
Megjithatë, deputeti Bulliqi ka thënë po ashtu se në këtë rrafsh institucionet e Kosovës janë duke bërë presione të formave të ndryshme për deputetët e Kuvendit ë Kosovës që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Mali e Zi.
“Këto janë presione të institucioneve tona që po bëjnë te deputetët e Kuvendit të Kosovës e në vazhdën e këtyre, institucioneve tona, sigurisht që kërkesa është edhe e faktorit ndërkombëtar”, ka shtuar Bulliqi, citohet Koha. (b.an)