Demokratizim për Shqipërinë, jo për partinë !

Nga Artan Fuga

Demokratizimi i elitave politike dhe i organizimeve të tyre nuk ka sjell aspak medoemos demokratizimin e shoqërisë.

Mes tyre aristokratët në Mesjetë kishin një organizim demokratik në një farë mënyre, ta zemë ata gjykoheshin demokratikisht prej njeri tjetrit.

Por, kjo nuk përjashtonte që bujkrobërit të ishin në gjendje mungese lirie.

Poashtu edhe skllevërit e Athinës nuk i ndihmonte fare fakti i vërtetë se demokracia athinase ishte funksionale vetëm për qytetarët e lirë.

Vendet koloniale dhe elitat e tyre politike dhe shoqërore ta zemë në shekullin e XX mund që të jetonin në kushtet demokratike të kohës të tyre në Angli dhe në Francë, apo edhe gjetiu, por kjo nuk i pengonte që t’i mbanin popujt e vendeve koloni në gjendje aspak demokratike dhe pa të drejta qytetare si në vendet e tyre.

E njejta gjë edhe në vendet me segregacion racial si në Afrikën e Jugut, apo edhe vende të tjera më parë, elitat sociale dhe kulturore të bardha aplikonin për veten e tyre një mënyrë demokratike organizimi shtetror, por kjo nuk përjashtonte që për popullsitë e denigruara të zbatohej një masë tjetër, ajo e mungesës të lirive demokratike.

Pse a nuk ka qenë dhe nuk është shpesh kështu, në drejtime të ndryshme në popullsitë shqiptare në Ballkan, ku elitat e kombeve sunduese tjetër sistem të drejtash u japin vetes të tyre dhe tjetër për shqiptarët?

Mos ikim më larg sesa në Perëndimin europian.

Nuk prodhoi demokratizimi i partive politike demokratizimin e shoqërisë, por demokratizmi i shoqërisë prodhoi demokratizimin e partive politike. Aq sa ky i fundit ka mundur të zejë vend.

Aq e vërtetë është kjo saqë edhe sot e kësaj dite liritë dhe të drejtat e qytetarit atje janë më të avancuara sesa liritë dhe të drejtat në partitë politike për antarët e tyre.

Jeta në partitë politike sigurisht nuk mund të shpjegohet me gjendje epistemologjike universale.

Në shoqëri qytetari mbetet me të njejtat të drejta pavarësisht bindjeve të tija politike. Kurse një antar partie, nëse ka bindje të kundërta me partinë e tij, mund të përjashtohet prej saj.

Qytetari ka të njejtat të dreja si të jetë shumicë ose minorancë në shoqëri, kurse antari i një partie privohet nga vendimmarrja nëse i takon një pakice në atë parti.

Cfarë ka sjellë gjoja demokratizimi i partive në demokratizimin e jetës në Shqipëri?

A ka sjellë ai më shumë të drejta për qytetarin dhe individin?

Aspak!

Lufta e brendshme në partinë socialiste 15 vite më parë, nuk solli asnjë liri e të drejtë më shumë politike për qytetarin, por thjeshtë ishte një luftë e brendshme për pushtet midis fraksioneve brenda saj.

Prandaj sot projekti për demokratizim i partive politike edhe pse mund të quhet hajde pozitiv sepse më mirë një parti e demokratizuar sesa e pademokratizuar.

Por, nuk është ky problemi i qytetarëve sot.

Te ne antari i partisë ka më shumë të drejta sesa qytetari. Ky është problemi. Militanti servil “fiton” gjoja konkurset, bëhet nëpunës, merr prona dhe tendera, pra gëzon të drejta në kurriz të qytetarëve.

Ky është demokratizim. Të barazohet në të drejta militanti i partisë në pushtet me qytetarin që as nuk do t’ja dijë për partitë politike rrangalla të shekullit të kaluar. Demokratizim është kur partia i heq të drejta vetes që i ka uzurpuar mbi shoqërinë kundër kushtetutës. Të heqi dorë nga kontrolli i pushteteve që quhen të ndara, të heqi dorë nga pushteti oligarkik ekonomik, nga tenderat edhe koncesionet që partia i fiton në garë me veten e vet.

Mos kërkoni thjesht demokratizimin e partisë, sepse është projekt gjysmak dhe i pabesueshëm, duhet kërkuar demokratizimi i shoqërisë duke e lënë të lirë nga thundra partiake, duhet barazuar në të drejta militanti dhe qytetari duke ja hequr militantit uzurpator dhe dhënë qytetarit, duhet aplikuar një sistem i avancuar të drejtash politike për qytetarin që jeton ende me të drejta të fituara në shekullin e kaluar.

Sot qytetarët kërkojnë demokratizim për veten e tyre, më shumë të drejta dhe liri për veten e tyre si qytetarë, kurse atyre u serviret vetëm një projekt për demokratizimin e zgjedhjes të kryetarit të kësaj apo asaj partie që në fund të fundit është një çështje private, kolektive, e antarëve të asaj partie.

Nuk ka asnjë garanci që demokratizimi i zgjedhjes të një kryetari partie të sjelli demokratizim të shoqërisë.

Kjo duket kur nga njera anë flitet për vlera demokratike brenda partisë socialiste, por nuk flitet asnjë fjalë për demokratizimin e shoqërisë që lëngon poshtë një pushteti oligarkik që cënon cdo bazë ligjore për të drejta dhe liri qytetare.

Ne duam liri dhe demokraci për qytetarin, ne duam demokraci për Shqipërinë, jo për partinë.

Përndryshe kemi të drejtë të mendojmë se elitat politike të partisë mendojnë thjesht për veten e tyre dhe jo për një projekt politik demokratizues për të mirën e përgjithshme.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU