Dëbimi i diplomatëve rusë/ Eshtë ftohtë, por është kohë e kthjellët

Nga Skënder Minxhozi/

Shqipëria vendosi të hënën dëbimin e dy diplomatëve rusë, me një lëvizje surprizë, e cila krijoi habi dhe ngritje supesh në ambjentin shqiptar. Megjithatë gjithçka u bë më e qartë, kur u mësua se një një numër vendesh anëtare të BE-së, përfshirë Italinë, Republikën Çeke, Finlandën, Gjermanine, Danimarkën, Suedinë, Lituaninë, Letoninë dhe Holandën, kishin ndërmarrë të njëjtin gjest ndaj diplomatëve rusë. Këto lëvizje vijnë si pjesë e një veprimi ndërkombëtar që përfshin edhe SHBA e Kanadanë, pas helmimit me lëndë helmuese luftarake, të ish-agjentit rus Skripal dhe vajzës së tij në Britani pak javë më parë.

Vendimi shqiptar për të larguar si “persona non grata” sekretarin e parë të ambasadës ruse dhe atasheun ushtarak, shihet si një gjest konkret i Shqipërisë për t’ju bashkuar dënimit ndërkombëtar ndaj helmimit të Skripal. Edhe përzgjedhja e dy diplomatëve në fjalë duket jo rastësore, nga momenti që bëhet fjalë për dy poste diplomatike që shpesh kanë të bëjnë me sferën e shërbimeve.

Shpallja non grata e diplomatëve rusë pritet të sjellë natyrshëm të njëjtin reagim nga pala ruse, e cila i ka tashmë të gatshme listat e diplomatëve britanikë dhe amerikanë që do të përzërë nga Moska apo konsullata të tjera të huaja në tokën ruse. Helmimi i Skripal erdhi në një fazë delikate të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit, teksa në SHBA vijon i fortë debati për rolin rus në zgjedhjet e fundit presidenciale, kurse në vendet e tjera të Europës Perëndimore po diskutohet çeshtja e sanksioneve që lidhen me aneksimin e Krimesë, por edhe situatën e të drejtave të njeriut e zgjedhjet e lira. Pak ditë më parë presidenti Putin u rikonfirmua në zgjedhje me rreth 76% të votave, një shifër kjo bën të rrudhen shumë buzë në Perëndim.

Roli i Shqipërisë në këtë ashpërsim global të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit është thjesht simbolik. Qëndrimi rus ndaj vendit tonë ka qenë tradicionalisht i influencuar nga miqësia tradicionale ruso-serbe, e kjo ka bërë që pala ruse të shprehet më shumë se një herë me tone të ashpra ndaj Tiranës zyrtare, përfshirë qeverinë aktuale dhe kryeministrin Rama, siç ndodhi pas zhvillimeve në Maqedoni.

Megjithatë bie në sy fakti se kur bëhet fjalë për dëbimin e diplomatëve, Shqipëria ia ka kaluar edhe disa prej vendeve baltike, historikisht në konflikt me Rusinë fqinje. Kur merr parasysh numrin e vogël të diplomatëve që ne kemi në një vend si Rusia, përzënia e dy diplomatëve rusë, e pasuar nga një gjest simetrik i ministrisë së jashtme ruse, do ta linte praktikisht bosh ambasadën tonë në Moskë. Megjithatë kjo është kostoja reale e të bërit pjesë në një organiztë si Nato apo edhe si një vend në orbitën e BE.

Duke ju bashkuar një reagimi të caktuar ndaj Rusisë, nuk kemi humbur një aleat. Thjesht kemi ngritur zërin tonë të vogël ndaj një shteti që sa herë ka qenë për të ngritur dorën në tryezat ndërkombëtare, ka votuar kundër shqiptarëve. Eshtë ftohtë, por është kohë e kthjellët. Ky është përcaktimi që i shkon për shtat asaj që sapo ka ndodhur mes nesh dhe palës ruse.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU